Zbulohet dokumenti rezervat i 1938-s: Prof. Dr. Norbert Jokli, kërkon të vijë në Shqipni, me përfundue fjalorin që ka fillu para dhjetë viteve, por duhet…

Nov 8, 2020 | 8:06
SHPËRNDAJE

Zbulohen disa dokumente arkivore të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, të cilat tregojnë për vendimin e marrë nga ana e qeverisë mbretërore të Monarkisë së Zogut e kryesuar nga kryeministri Koço Kota në muajin shkurt të vitit 1939, mbi dhënien e vizave turistike izraelitëve që jetonin në shtete të ndryshme të Europës, që kërkonin të vinin në Shqipëri.

Jokli-Lasgushi-dhe-Asdreni

Korrespodenca e Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, e kryesuar prej ministrit Ekrem bej Libohova, me disa nga konsullatat e Mbretërisë Shqiptare të akredituara në vënde të ndryshme të Europës, si Berlin, Zagreb, Beograd, etj., të kryesuar nga diplomatët e njohur, Rauf Fico, Tahir Shtylla, etj., lidhur me qarkoren e lëshuar nga kabineti i Koço Kotës, për lehtësirat që u duheshin krijuar izraelitëve që kërkonin të vinin në Shqipëri dhe mos kthimin e tyre në Gjermani, pasi internoheshin menjëherë në kampet e Dachaut e Buchenwaldit.

Korrespodenca e konsullatës shqiptare në Vienë, në vitin 1938 për albanologun e njohur me origjinë hebreje, Prof. Dr. Norbert Jokli, lidhur me fjalorin e etimiologjik që atij i kishte ngarkuar qeveria shqiptare, pagesat që do t’i bëheshin për punën që ai kishte kryer, e deri tek dhënia e nënshtetësisë shqiptare e paisja me pasaportë, që ai të mund të vinte në Shqipëri, duke marrë me vete edhe bibliotekën e tij që do t’i duhej për të punuar.

Në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, që u mbajt para disa ditëve në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë, por dhe në aktivitete të ndryshme të kësaj natyre, si ajo e 27 janarit, e njohur si “Dita e përkujtimit të Holokaustit”, konstatohet me krenari që “populli shqiptar mbrojti dhe strehoi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”!

Kjo që thuhet, për fat të keq është vetëm gjysma e së vërtetës! Themi kështu, pasi hebrenjtë në Shqipëri, nuk u mbrojtën dhe u strehuan vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, kryesisht nga nëntori i vitit 1938, (në datat 9 e 10 nëntor, e njohur ndryshe si “Netët e kristalta” apo “Netët e xhamave të thyer”) kur në disa prej qyteteve kryesore të Gjermanisë naziste si dhe Austrisë, filluan sulmet e para ndaj hebrejve, nga ana e formacioneve paramilitare SS, (huligane ekstremiste) të cilët sulmuan, thyen, plaçkitën e shkatërruan, me qindra shtëpi, biznese e lokale të hebrenjve.

Si pasojë e këtij pogromi, rreth 100 hebrenj mbetën të vdekur dhe mijra të tjerë përfunduan në kampet e përqëndrimit në Dachahu dhe Buchenwald. Kjo gjë, pra “Netët e kristalta”, do të shënonin edhe de facto fillimin e dhimbshëm të holokaustit që do të merrte jetën e më shumë se 6 milion hebrenjve dhe po aq rusëve, polakëve, dhe etnive të tjera jo hebreje (mids të cilëve dhe shqiptarë), në kampet naziste të çfarosjes në Europë.

Pas viteve ’90-të janë bërë publike mjaft dokumenta, ku ministra, kryeministra e funksionarët të tjerë të lartë të Monarkisë së Zogut, si: Mehdi Frashëri, Koço Kota, Vasil Avrami, Yzedin Beshiri, Rauf Fico, Tahir Shtylla, por dhe në periudhën e pushtimit (1939,1944) si Qazim Mulleti, Kol Bib Mirakaj, Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja etj, pajisën me viza e pasaporta, me dhjetra e dhjetra hebrenj, duke i sjellë ata në Shqipëri, ku më pas ata gjetën strehë e mbrojtje nga familjet shqiptare. Sa më sipër, veç të tjerave kjo gjë konfirmohet e bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit dhe që publikohen për herë të parë në këtë shkrim, ekskluzivisht nga Memorie.al.                                                

Letra e Konsullit shqiptar në Vienë, për Ministrin e Punëve të Jashtëme në Tiranë, Ekrem Libohova

KONSULLATA MBRETNORE E SHQIPËRISË VJENË

                                                                                                         Vjenë më 17 kallnuer 1939

 MINISTRIA e P. TË JASHTËME

 Nr. Prot VIII 51

 Arritun në 30.1.1939

 Nr 29 III (Reservat)

Shkurtim : Dërgohet kopja e aktit res. nr 335 – 1, 16

– 1 – 1939 mbi Prof. Jokl.

                                          Shkëlqesisë së tij Z. Ekrem Libohova

                                              Ministër i Punëve të Jashtme

                                                                                                                  Në Tiranë

Në vijim të raportit tim res.nr. 18 III dt 12.10.1938. kam nderin tju dërgoj këtu ngjitun për dijeni kopjen e aktit res.nr. 335 – I dt. 16 që ja transmetova dje Ministrisë së Arsimit mbi çështjen me randësi të albanologut të këtushëm Prof. Dr. Nobert Jokl.

Pranoni ju lutem Shkëlqesi, nderimet e mija ma të nalta.

                                                                                                         Konsulli

Nikoll Rrota

(firma)

Letra e Konsullit shqiptar në Vienë, për Ministrin e Punëve të Jashtëme në Tiranë, Ekrem Libohova

Nr 335 – 1

Reservat

Shkëlqesisë së tij Z. Abdurrahman Dibra Ministër Mbretënuer i Arsimit, në Tiranë

Kam nderin t’ju informoj që në dt 16 të këtij mueji ia komunikova gojarisht Prof. Dr. Nobert Joklit përmbajtjen e aktit në fjalë dhe këtu mbyllun po ju dërgoj përgjigjen e tij.

Mbi këtë shkresë, lutet i interesuemi që t’i jepen disa shpjegime, sidomos mbi detyrën që do t’i ngarkohet. Ky dëshiron së pari që ta kryejë fjalorin etimologjik të cilin e ka fillue para 10 vjetëve. Dhe siç dihet në Gusht 1929 mori nga ajo e ndershme ministri një shpërblim prej 5000 Fr. Sv. për kryerjen e kësaj vepre. Kjo shumë ndodhet e depozituene në Landerbank këtu. Ajo është në dispozicion të kësaj Ministrie, por duke qënë se i përket Z. Jokli, nuk mund të përdoret për gjë tjetër, veçse për me ble libra dhe materjale shkollore.

Profesori në fjalë si izraelit që është, parashef se do t’i bëhen pengesa të randa nga qarqet e këtushme, në rast të shpërnguljes së tij nga Vjena për në Shqipëri, si për personin e tij, ashtu dhe për bibliotekën. Prandaj që të shpëtojë sa më parë nga ferri i këtushëm, dhe të vijë me ngut në Tiranë, propozoj që t’i jepet shtetësija shqiptare dhe të betohet që këtu në këtë zyrë. Ashtu si e parashtron Kodi Civil, sepse nëse bëhet shtetas shqiptar, autoritetet e këtushme nuk i nxjerrin probleme. Dhe me këtë rast do të mundet ta marri më lehtë bibliotekën, pa të cilën nuk mund të punojë.

Një pikë tjetër me randësi është caktimi i pensionit të tij këtu në franga zviceriane dhe jo në marka gjermane, pasi kjo valutë është e stabilizueme. Lutemi që këto të përfundojnë sa më parë pasi Proff Nobert Jokli është i shqetësuem. Pranoni ju lutem shkëqesi, nderimet e mija më të nalta.

                                                                                                            Konsulli

Nikoll Rrota

                                                                                                             (firma)

Letra e Konsullit shqiptar në Vienë, për Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë

KONSULLATA MBRETNORE SHQIPTARE, VJENË

                                                                                   Vjenë më 14 kallnuer 1939

(I Plankengasse 3)

Nr. 120/II

18.1.1939.

Shkurtim: Dërgohet nji artikull i fletores hungareze “Uj Magyarsag” mbi Shqipni.

Së ndershmes

                                  Ministri Mbretnore të Punëve të Jashtme

                                                          Në Tiranë

Kemi nderin të njoftojmë se miqt tanë në Budapest, na dërguen në këto ditë, kuponin e fletores hungareze “Uj Magyarsag” në dt 8 të këtij mueji, që përmban nji artikull me randësi për posibilitetin e integrimit të hebrenjve hungarezë, në Shqipni, dhe siç duket, qenka nisur nji komisjon përkatës për në vëndin tonë. Nuk besohet se kryekonsullata jonë në Budapest, të ketë lidhje me këtë cështje.

Sidoqoftë tue marrë parasysh randësinë e këtij artikulli, duhet që me kohë të merren masa për dërgumin e hebrenjve për në Shqipëri. Për rregullim po referojmë që edhe fletorja në fjalë ashtë organ nacionalist dhe gazetë qeveritare. Për kuptimin e këtij artikulli po mbyllim këtu, brënda bashkë me origjinalin, dhe përkthimin e tij në gjermanisht.

                       Me nderime të posaçme

                                  Konsulli

Nikoll Rrota

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura