Zbulohet dokumenti për Kadarenë, Mehmet Shehu: Jepini zgjidhje “Gjeneralit”

Aug 10, 2017 | 14:30
SHPËRNDAJE

Edhe pse Partia e kishte shpallur kinematografinë si një nga elementët primarë të propagandës, ishte e bindur se sado filma të mirë të bëheshin në Shqipëri, asnjë prej tyre nuk do të mund të shpërndahej në tregun botëror. Diçka kishte nisur të lëvizte në lëmë të letërsisë me botimin e disa veprave të Ismail Kadaresë, por në lëmë të kinematografisë ishte e vështirë, ndaj u konsiderua si domosdoshmëri realizimi i një filmi me temë shqiptare, nga regjisorë të huaj, mundësisht me famë botërore.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që si roman po njihte sukses në Francë, Suedi etj., do të kishte qenë një skenar i pëlqyeshëm. Në vitin 1975, një delegacion shqiptar, mes të cilëve edhe Kadareja, do të shkonte në Suedi dhe në Francë. Përmes një relacioni, dërguar Kryeministrit shqiptar Mehmet Shehut, njoftoheshin të gjitha përpjekjet për botimin e letërsisë shqipe jashtë, si dhe domosdoshmëria për realizmin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili sipas relacionit, për shkak të zvarritjeve kishte mbërritur në një “pikë të vdekur”. Gjatë takimit me producentin Alen Kler, ishte hedhur propozimi që regjinë e filmit ta realizonte regjisori grek Kostas Gavras.

Mehmet e Fiqirete Shehu me Ismail Kadarenë në vitet ‘70
Mehmet e Fiqirete Shehu me Ismail Kadarenë në vitet ‘70

“Mendojmë se duhen bërë të gjitha përpjekjet që kjo iniciativë e re të përfundojë me sukses, sepse, për arsyet që dihen, vetëm një film i xhiruar nga një regjisor me famë botërore mund të bëjë që filmi të përhapet e të shfaqet në të gjitha kontinentet. Filmat tanë, sado të mirë t’i bënim, nuk do kishin këtë mundësi reale përhapjeje të gjerë”, shkruhej në relacion. Pasi e ka lexuar, Kryeministri Mehmet Shehu ia adreson atë shefit të sektorit me jashtë pranë Komitetit Qendror, Piro Bita, duke i kërkuar t’u gjejë rrugë problemeve të ngritura në relacion.

“Lexojeni këtë material. U shërben për t’u njohur me gjendjen dhe mundësitë tona për punën atje. Për sa u përket propozimeve, në parim mund të pranohen, por Komiteti për Marrëdhëniet me Botën e Jashtme duhet të mendojë t’u japë rrugë”, shënon me shkrim dore Shehu, në një letër shoqëruese të materialit. Ky relacion rrëfen për situatën kur bëheshin përpjekje për realizmin e filmit mbi romanin e Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, arsyet e ngecjes dhe se si vetë njerëzit më të rëndësishëm të kohës ishin të shqetësuar dhe të interesuar për zgjidhjen e çdo ngërçi. 

SHËNIME MBI QËNDRIMIN NË SUEDI DHE FRANCË

Prill-maj 1975

Mund të themi qysh në fillim se 16 ditët e qëndrimit në Suedi dhe 10 ditët e qëndrimit në Paris kanë qenë me të vërtetë të frytshme në shumë drejtime, në mënyrë të veçantë në Suedi, ku kujdesi dhe puna e organizuar e miqve suedezë që na kishin ftuar, si dhe puna shumë e kualifikuar e Ambasadës sonë, bënë që të arriheshin rezultatet të mira dhe inkurajuese për të ardhmen.

S’ka dyshim që ambasada jonë në Francë është një nga përfaqësitë tona diplomatike që kanë bërë dhe bëjnë më shumë për njohjen e vendit tonë, por në Paris organizimi i takimeve brenda një kohe të shkurtër paraqitet shumë i vështirë, për të mos thënë disa herë i pamundur. Në Suedi ne ishim miq të organizatës kulturore marksiste-leniniste “Oktober”, krijuar dhjetë vjet më parë dhe që ka shërbyer si pikënisje për krijimin e Ligës së Komunistëve më 1967, që shpuri në 1973 në krijimin e një partie marksiste-leniniste-e partisë komuniste suedeze.

“Oktober” boton libra, pllaka gramafoni dhe administron një rrjetë prej mbi 40 librarish, të cilat kanë një kuptim më të gjerë sesa një librari, kanë edhe ndonjë bufe e shesin edhe ndonjë mall si këmisha shqiptare apo çaj kinez. “Oktober” ka filluar një punë të mirë për përfaqësimin e letërsisë shqipe.

Përpara pak ditësh, “Oktober” ka kërkuar në mënyrë të veçantë mundësinë e botimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, kjo zgjedhje ka të bëjë me nevojën për të përkthyer ato vepra që do të ndihmonin drejtpërsëdrejti në luftën për demaskimin e revizionizmit sovjetik, luftë në të cilën marksistë-leninistët suedezë kanë arritur rezultate… Gjejmë shumë të rëndësishëm faktin që ata kanë arritur të bëjnë militantë të tyre personalitete të tilla të kulturës si kritiku shumë i kuotuar Jan Stolpe, mik i zjarrtë i Shqipërisë, që për një periudhë ka qenë edhe kryeredaktor i revistës së shtëpisë botuese më të madhe të Suedisë, “Boniers”, që është edhe një nga shtëpitë botuese të botës (ka botuar edhe romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), kurse tani ai mori përsipër të përpiqet për botimin e romanit “Komisari Memo” të D. Agollit në një shtëpi tjetër botuese, me të cilën ai ka lidhje dhe punon gruaja e tij. Jan Stolpe për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka shkruar në mënyrë shumë pozitive në shtypin suedez.

Faksimile e relacionit të hartuar nga përfaqësues të delegacionit që shkoi në Francë e Suedi
Faksimile e relacionit të hartuar nga përfaqësues të delegacionit që shkoi në Francë e Suedi

* * *

Gjatë takimit me shtëpinë botuese “Boniers” u informuam se romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka pasur në Suedi një pritje shumë të mirë. Shitja e tij i ka kaluar dhjetë mijë kopjet, gjë që përfaqëson një sukses të dukshëm. Gjatë takimeve të ndryshme, mjaft lexues kërkonin nga autori që të firmonte në ekzemplarët e tyre të romanit. Bile pati edhe lexues, që erdhën në Ambasadë për të marrë firmën e autorit. Boniers na njoftoi se në shtator të këtij viti ai do të botojë romanin tjetër të Kadaresë, “Kronikë në gur”.

Kurse romanin “Kështjella” do ta botojë në vitin e ardhshëm, gjë që dëshmon për vlerësimin e autorit. Pyetjes sonë nëse ai do të kishte interes që të botonte vepra të tjera të autorëve shqiptarë, Boniers iu përgjigj duke theksuar se shtëpia e tij botuese i boton veprat e letërsive të vendeve të ndryshme vetëm në qoftë se ato vepra janë botuar më parë në një nga tri vendet: në Shtetet e Bashkuara, në Angli dhe në Francë.

Ai shtoi se nuk ka asnjë dyshim se letërsia e sotme shqipe duhet të ketë autorë të shquar si Kadareja, por praktika e tyre është ajo që përmendëm më sipër. Këndej del konkluzioni se përpjekjet tona duhet të bëhen më konkrete, sistematike e këmbëngulëse për të çarë kryesisht në Francë, gjë që, ashtu si në rastin e romaneve të Kadaresë, do të krijonte mundësitë reale për përfaqësimin e letërsisë sonë në Suedi, që hap perspektiva për përhapjen e saj edhe në vendet e tjera skandinave.

Për shembull edhe në Norvegji, që është një vend ku ne duhet të dërgojmë gjithashtu njerëzit tanë të letërsisë, ka një organizatë kulturore “Oktober”, edhe atje janë botuar vepra nga letërsia jonë-romani “Dasma” i Kadaresë dhe tregimet e Shuteriqit me titullin “Kënga dhe pushka”. Kurse miqve finlandezë ne u dhamë për botim romanin e Agollit, “Komisari Memo”.

* * *

Siç e theksuam edhe më lart, botimet e letërsisë sonë në Francë marrin një vlerë të veçantë si një pikënisje për t’u përfaqësuar pastaj edhe në shumë vende të tjera. Dhe këtu duhet të nxjerrim konkluzionin se kjo punë nuk mund të bëhet në shkallën e duhur në qoftë se, krahas interesimit të përfaqësive tona në vendet e ndryshme, nuk do të dërgojmë drejtpërsëdrejti në këto vende, në rastin konkret në Francë, në Suedi, apo Norvegji, Finlandë e Danimarkë shkrimtarët tanë, veprat e të cilëve ne synojmë t’i botojmë në ato vende.

Kjo gjë bëhet një nevojë, sepse me ato vende ne nuk kemi konventa kulturore, në bazë të të cilave ato të ishin të detyruara për të përkthyer vepra letrare shqiptare të rekomanduara prej nesh. Për dobinë me të vërtetë shumë të madhe të këtyre botimeve të veprave më të mira të letërsisë sonë të re të realizmit socialist është e tepërt të flasim. Le të sjellim vetëm një shembull. Në Francë, ku është botuar një përmbledhje poetike me katër poetë shqiptarë, Kadare, Agolli, Arapi e Lako, përgatitur prej nesh, përkthyer nga Metie dhe botuar nga editori Osvald, pjesët nga ky vëllim kanë pasur një përhapje e propagandim të mirë.

Ata janë recituar nga aktorë të njohur francezë (regjistrimet e këtyre recitimeve janë dërguar në Shqipëri nga Ambasada jonë në Paris, por nuk dihet akoma se ku kanë përfunduar), si dhe janë përfshirë në leximet për nxënësit francezë, gjë që ka një rëndësi të madhe për ne. Për shembull, në botimin periodik “TDC” (Tekste dhe Dokumente për Klasën), që përgatitet nga Instituti Nacional i Kërkimeve dhe Dokumentacionit Pedagogjik, krahas vjershave të Rembosë e Valerisë, Malarmesë dhe Eluarit, Edgar Alen Posë e Rafael Albertit, është botuar edhe vjersha e Kadaresë “Kataraktet”.

Në takimin tonë me editorin Osvald në Paris ne ramë dakord për botimin prej tij të kësaj here të një antologjie të poezisë shqipe, duke nisur nga folklori, te 5-6 poetë të së kaluarës dhe te 7-8 poetë të realizmit socialist, gjithnjë rreth 250 faqe. Kjo është një gjë me rëndësi që duhet ta vlerësojmë e ta inkurajojmë me të gjitha mënyrat. Si përkthyes u përmend përsëri emri i Metesë, i cili, sigurisht, nuk është ndonjë përkthyes i shkëlqyer (do të qe mirë sikur të arrinim të siguronim edhe përkthyes të tjerë, sidomos nga radhët e poet- ëve të mirëfilltë francezë), por sidoqoftë përkthimet e tija janë të pranueshme, ndërsa përkthimet që dërgojmë nga Shqipëria, me përjashtim të përkthimeve të Vrionit, në Francë nuk gjykohen të pranueshme.

Metesë i është dorëzuar për përkthim edhe poema e Agollit “Nënë Shqipëri”, që ai do ta ketë të gatshme nga vjeshta, por mundësia e botimit si libër më vete është e pakët, sepse editorët e atjeshëm botojnë si rregull libra më të vëllimshëm. Shënojmë se, në bazë të një konsultimi, ka mundësi të pranohet atje për botim romani i Agollit, “Komisari Memo”. Pa dyshim një takim i mëvonshëm i vetë autorit në Paris do ta sanksiononte këtë mundësi dhe do të hapte rrugën edhe për ndonjë vepër tjetër të autorit, duke zgjeruar kështu numrin e romancierëve tanë të botuar në Francë.

Duhet shënuar se zvarrisja e gjërave dhe mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë kish bërë që problemi i xhirimit të një filmi artistik në bazë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të mbetej në një pikë të vdekur, pas dështimit të iniciativës franko-italiane për ta xhiruar filmin me regjinë e Elio Petrit, kjo për shkak të tërheqjes së palës italiane. Takimi i drejtpërdrejtë me produktarin francez Alen Kler, që kish shumë kohë që bënte propozimin e vet pa marrë përgjigje, e vuri përsëri punën në vijë. Nga autori i romanit atij iu lëshua autorizimi me shkrim që të fillojë punën për bërjen e skenarit dhe impenjimin e regjisorit që do ta xhirojë filmin.

Propozimet e tija konkrete, që do të bëhen më vonë, do t’i dërgohen për aprovim autorit të romanit, por në mënyrë paraprake ai përmendi emrin e regjisorit me kombësi greke, Kostas Gavras, regjisor përparimtar shumë i njohur. Mendojmë se duhen bërë të gjitha përpjekjet që kjo iniciativë e re të përfundojë me sukses, sepse, për arsyet që dihen, vetëm një film i xhiruar nga një regjisor me famë botërore mund të bëjë që filmi të përhapet e të shfaqet në të gjitha kontinentet. Filmat tanë, sado të mirë t’i bënim, nuk do kishin këtë mundësi reale përhapjeje të gjerë. Detyrat që na vihen të gjithëve nga shoku Enver, kur më 20 dhjetor theksoi se ne duhet të bëjmë që bota borgjezo-revizioniste ta shikojë forcën e madhe të marksizëmleninizmit në Shqipëri, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në ato të artit e të kulturës…

Mehmet Shehu: Gjeni zgjidhje!

Pasi ka lexuar raportin, kreu i Ekzekutivit, Mehmet Shehu, ia kalon atë shefit të Sektorit të Punëve të Jashtme në Komitetin Qendror, Piro Bita, duke i kërkuar atij t’u japë zgjidhje problemeve dhe propozimeve të ngritura në këtë relacion: Sh. P. Bita, Lexojeni këtë material. U shërben për t’u njohur me gjendjen dhe mundësitë tona për punën atje. Për sa u përket propozimeve, në parim mund të pranohen, por Komiteti për Marrëdhëniet me Botën e Jashtme duhet të mendojë t’u japë rrugë”

Faksimile e shënimit të Mehmet Shehut drejtuar Piro Bitës, për t'u dhënë udhë problemeve që ngrihen në relacionin për udhëtimin në Francë dhe Suedi
Faksimile e shënimit të Mehmet Shehut drejtuar Piro Bitës, për t’u dhënë udhë problemeve që ngrihen në relacionin për udhëtimin në Francë dhe Suedi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura