Zbulohet ditari i Ministrit të Mbrojtjes në 1997: Urdhrat e Gazidedes për të sulmuar Jugun

Mar 10, 2017 | 14:29
SHPËRNDAJE

Mijëra shqiptarë humbën jetën ose u gjymtuan gjatë trazirave të 1997 kur vendi shkoi drejt luftës civile. Pasojat e ngjarjeve të atij viti vijojnë të ndikojnë jetën e shqiptarëve dhe do ta ndikojnë atë për një kohë të gjatë.

Gazeta DITA boton ditarin e Shaqir Vukajt, ish-ministrit të mbrojtjes  në të ashtuquajturën “qeveri e Pajtimit Kombëtar” që kryesohej nga Bashkim Fino:

shaqir vukaj

E mërkurë, 12 Mars 1997

U paraqitëm të gjithë kandidatët për ministra në Presidencë, morëm Dekretet dhe sipas rregullit bëmë betimin. U larguam të gjithë bashkë dhe shkuam në zyrën e kryeministrit. Kisha hyrë edhe më parë në atë zyrë, kur ishte Aleksandër Meksi në atë karrige. Më bëri përshtypje se nuk kishte ndryshuar asgjë, nuk kishte bërë asnjë shpenzim për mobilime e salltanete, siç do të ndodhte më vonë me të gjithë ata që erdhën në poste drejtuese….

Mbas një takimi tepër të shkurtër dhe pak fjalëve që tha Fino, kryesisht për unitetin e punën që duhet të bëjmë për pajtim (as ai nuk dinte ç’farë të thoshte) u shpërndamë, secili në ministrinë e tij.

Më çuan me një makinë në Ministri të Mbrojtjes. Mbaj mend se me mua erdhi si shoqërues Sadri Ramçaj, oficer i Gardës, që deri atëherë kishte qenë në grupin e shoqërimit të Meksit. E njihja, se e kisha nga zona e ime.

Hyja në Ministri për herë të parë në jetën time, por tashmë si ministër.  S’kisha pasur asnjë herë rast të shkoja në atë ndërtesë. Më priti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm me dy të tjerë tek dera. Sapo hyra, siç e kanë ushtarakët, më pritën me nderime ushtarake. Mbas një bisede tepër të shkurtër, më raportuan se gjithë punonjësit e ministrisë janë të mbledhur dhe presin të paraqitesha si ministër para tyre.

Nuk njihja askënd. Me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm kisha një përshëndetje, siç kisha dhe me zv. ministrin Alfred Moisiu.

Më bëri përshtypje se sapo filluam mbledhjen, ngritën dorën përnjëherësh disa ushtarakë. I pari foli Kurt Gjika (Drejtoria e Stërvitjes) e pas tij me radhë Bajram Malaj (Drejtor i Policisë Ushtarake),Vladimir Beja (Komandant i Flotës Detare), Baki Bala (Drejtor i Komunikimit), Garip Lata (Grupi Special i Artilerisë), Alfred Moisiu (Zv/Minister i Mbrojtjes), Pëllumb Qazimi, Ahmet Osmani (Drejtor i armatimit), Adem Çobani (Shef i Shtabit të Përgjithshëm).

Nga  të gjitha diskutimet shihej qartë se ushtarakët ishin goditur rëndë, ishin vrarë në shpirt, kishin rënë moralisht. Nga diskutimet e tyre, nga njëra anë po mësoja ç’kishte ndodhur ditët e para të marsit, deri atë ditë dhe si ishte katandisur ushtria, ose më mirë si kishte rënë e shkërmoqur ushtria. Reparte të shkatërruara, depo të grabitura, oficerë e ushtarë të ikur në masë, Gjendja sipas atyre që folën ishte katastrofike. Nga ana tjetër po mësoja si ishte e organizuar Ministria e Mbrojtjes.

Disa prej atyre që diskutuan sulmuan politiken, që sipas tyre e kishte katandisur ushtrinë në këtë gjendje. Ushtria, sipas tyre vazhdonte të ishte e politizuar, njëlloj si para viteve 90-të. Disa thanë, se politika e ndjekur ishte fajtore për gjithçka që kishte ndodhur në ushtri. Ushtrinë, thanë disa prej tyre e kishin mënjanuar krejtësisht, Ushtria nuk duhet implikuar në ato që kanë ndodhur kohët e fundit, sepse për gjithçka vendosnin njerëzit e ShIK-ut, madje ndonjëri e akuzoi SHIK-un edhe për disa vrasje, si ato të ndodhura në Përmet etj. Njerëz të SHIK-ut, u tha aty, kishin qëlluar edhe kundër ushtarëve e oficerëve, që sipas tyre nuk po kryenin detyrat. Njerëzit e ShIK-ut vazhdojnë të jenë të armatosur dhe paraqesin rrezik në ditët e sotme, thanë disa prej tyre. Në diskutimet e disave kishte  mllef e urrejtje të thellë për SHIK-un.

***

Ushtria nuk ka qëlluar mbi popull. Por ajo nuk i mbrojti objektet sepse, nga njëra anë, urdhrat ishin kontradiktorë, nga ana tjetër, kush i mbron ushtarakët, sepse shteti nuk i mbron, ja për shembull, tha njeri prej tyre, prej pesë vitesh vazhdojnë gjyqet ndaj atyre që kanë zbatuar ligjin në mbrojtje të objekteve ushtarake…

Më bëri përshtypje të veçantë kërkesa e disave prej atyre që folën, për të thirrur e mobilizuar shumë prej oficerëve që ishin liruar nga reforma padrejtësisht ose kishin dalë në pension të parakohshëm, si rrugë për të ndihmuar për rregullimin e situatës në ushtri.

Mund të vazhdonim me orë të tëra, por situata ishte e tillë që duheshin masa konkrete dhe jo llafe. I dëgjoja me shumë vëmendje, duke mbajtur shënime të hollësishme për gjithçka  që thoshin  dhe, megjithëse deri atëherë nuk dija asgjë, ose dija shumë pak për përgatitjet e operacionin kundër Jugut, dhe doja të mësoja më shumë nga goja e tyre se ç’kishte ndodhur dhjetë ditët e fundit për përgatitjet dhe zbatimin e operacionit ushtarak, e mbylla mbledhjen.

Fola shumë shkurt, kryesisht për t’u ngritur moralin dhe për detyrat që kishim përpara. Ndërmjet tjerave theksova se tani nuk është koha për analiza. Ato do të bëhen më vonë dhe shtova: fajtorët do të gjykohen dhe sipas fajit do të marrin dënimin e merituar. (Dua të theksoj se dy ditë më parë, Kuvendi kishte aprovuar ligjin “Për amnistinë për personat civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltat pas falimentimit të skemave piramidale mashtruese”, ligj sipas të cilit faleshin edhe ata që kishin përgatitur  planet mizore për të luftuar kundër popullit, apo që kishin bërë edhe krime. Me këtë ligj, gjoja për pajtim, thellohej edhe më shumë ajo që ishte bërë në vitin 1991, kur u aprovua Ligji i Amnistisë për të gjithë, përfshijë edhe hajdutë e kriminelë, ligje alla shqiptarçe, që nuk kanë sjellë pajtim, por falje për të gjithë këtë lloj kriminelësh ). Tani, u thashë, secili në krye të detyrës.

***

Më shoqëruan drejt zyrës. Nuk gjeta asgjë, asnjë dokument apo akt-dorëzimi siç janë rregullat, për më tepër në ushtri. Kërkova rregulloren e ministrisë, për të mësuar  si funksiononte. Më thanë se ministria nuk kishte rregullore. E çuditshme, si ka funksionuar ajo pa një rregullore të brendshme. Dikur edhe në një ndërmarrje ekonomike kishim  rregullore të brendshme pune, ndërsa gjithë kjo ministri, për më tepër e mbrojtjes, ku gjithçka duhet të bëhet me rregullore, nuk kishte as një copë letër për të rregulluar qoftë edhe marrëdhëniet midis drejtorive…

Mbi tavolinë gjeta vetëm dy Komunikata Operative të datave 11, dhe 12 mars, me shënimin “Sekret”. Nuk di si kishin mbetur aty. Në Komunikatën e dt.11 më bënë përshtypje raportimet për zhvillimet e datës 10 mars, ku ndërmjet tjerave thuhej:

“Shefi i Shtabit të BFU në orën 15 e 30 raportoi se të gjitha objektet e bazës janë grabitur. Gjithashtu bëri të ditur për sjelljen e keqe me qytetarët dhe ushtarakët, nga rezervistët e ardhur nga rrethet e tjera dhe që drejtoheshin nga punonjësit e SHIK-ut.

Rreth orës 19.15 Datë 10.03.1997, në grup depot e BFU Elbasan në Gramsh, u grumbullua një turmë e madhe njerëzish, të cilët pasi thyen rezistencën e efektivit që ruante objektin, hynë dhe grabitën armatimin, municionin e çdo gjë që ndodhej aty….

Efektivi i thirrur nga Degët e Mobilizimit Peshkopi, Bulqizë e Burrel të përqendruar në Tiranë, u kthyen brenda ditës së djeshme në rrethet përkatëse. Armatimin dhe municionet i kanë mbajtur me vete…

Në ora 20.00 rreth 100 vetë nga qyteti i Bajram Currit u grumbulluan para depove të armatimit e municionit të BrK në këtë qytet, ku kërkonin të merrnin armë. Efektivi, kuadër e ushtarë, ndaloi turmën të hyjë në objekt, e cila më vonë u shpërnda dhe situata u qetësua.

Ka pasur provokime nga persona të pa njohur, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri kundër batalionit të artilerisë të BrAP, D1K në Rrencë. Edhe rojet nga ana e tyre u janë përgjigjur me zjarr,. Pas këtij veprimi, provokuesit janë larguar me makinë”

Ndërsa në Komunikatën që fliste për ngjarjet e dt.11 mars thuhej:

Në orën 09.30 në BrK B.Curri të D2K, turma të shumta njerëzish pasi kishin tentuar disa herë, hynë në objektet e bk Limaj shpërthyen depot e armëve  e municioneve duke marrë çdo gjë. Nga ora 11.00 deri në ora 12.00 turma të mëdha njerëzish thyen rezistencën e efektivave të bk Mollëkuqe dhe GrA Elezaj, hynë në repart duke shpërthyer depot e armëve e municioneve e duke marrë çdo gjë. Në orën 15.20 turma njerëzish u drejtuan tek grupdepot e DK në Dushaj (Fierzë) pasi kanë thyer rezistencën e rojeve të objektit hapën depot dhe morën armatim  e municion.

Në ora 10.00 në bk Plepa të BrK Shijak u larguan nga reparti 68 ushtarë dhe 36 ushtarë të GrA Gërdec. Në orën 13.30 u larguan nga reparti 90 përqind e ushtarëve të Br Komando në Zall-Herr.

Në ora 15.15 turma njerëzish u grumbulluan në bk Meteor Kukës dhe kërkonin armë, ata nuk u bindën as nga sqarimet që bëri komandanti i BrK Kukës, as nga shkëmbimi i zjarrit e rojet e repartit, hynë në repart, shpërthyen depot dhe morën armatim e municion. Në orën 15.45 turmat e njerëzve shpërthyen dhe depot e Regj. AT në Bicaj  dhe të bxh Lundër dhe bat. AKA Gostil të DK Kukës dhe morëm armatim, municion e ushqime. Gjithashtu në bk Krumë dhe objektin e Golajt turmat shpërthyen depot duke marrë armatim, municion e materiale të tjera.

Në orën 14.30 në bk Peshkopi të BrK Burrel po shpërndahej armatimi sipas listave të lajmërimit për 200 veta. Në këtë moment ka hyrë në repart një turmë  prej 300 vetash që ka kërkuar të marrë forcërisht armë, por ndërhyrja e kapterit që shpërndante armët duke qëlluar në ajër ka bërë që turma të zmbrapset. Në orën 17.30 komandanti i BrK Burrel urdhëroi ndërprerjen e furnizimit me armë, por turma nuk largohet nga reparti. Në orën 18.45 thyen depot dhe morën armatim e municion dhe në orën 03.30 i venë zjarrin ndërtesës…….”

Komunikata vazhdon me thyerje e grabitje armatimi e municioni në Gjegjan, Qafë Shtamë, Bardhaj (Shkodër), Laç, Selishtë (Peshkopi) etj.

Bënte përshtypje  njoftimi se “në Burrel dhe Peshkopi vazhdonte shpërndarja e armatimit dhe municionit  sipas listave të lajmërimit”.

Më tërhoqi vëmendjen se grabitjet e thyerjet e depove ishin masive në Shqipërinë e Veriut (duket në Jug i kishin grabitur me kohë). Po ashtu, njoftohej  për nisjen e turmave nga Bathore drejt reparteve ushtarake në Zall Herr, madje për shkëmbim zjarri midis turmës dhe ushtarakëve që mbronin repartet. Njoftohej për tre te plagosur.

***

Njoftimet që vazhdojnë të vinë janë nga më të pabesueshmet. Vazhdojnë në të katër anët e Shqipërisë sulmet mbi depot, repartet ushtarake sidomos në rrethet e Veriut. Telefonat nuk pushojnë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Njoftime pa fund për shkatërrime, grabitje deposh, repartesh. Njoftohemi se në Shkodër ka ushtarakë të vrarë e të plagosur, por të pakonfirmuara. Shqipëria është në kaos të plotë. Nga të gjitha anët vetëm lajme tronditëse.

Thuhej se banda të armatosura  i janë afruar Tiranës, madje disa shëtisin të armatosur lirisht nëpër qytet. Ishte grabitur krejtësisht Akademia Ushtarake që kishte shërbyer si qendër grumbullimi e përgatitje e rezervistëve që vinin nga  rrethet e Veriut. Aty ku kishte qenë dhe Shtabi i Operacionit me në krye “gjeneral” Bashkim Gazideden.

Më vinin lajme e njoftime se edhe Ministria e Mbrojtjes mund të sulmohej, por pritej të errësohet. Nga dreka ikën dhe një pjesë e mirë e punonjësve të ministrisë. Pyeta në se ministria është e siguruar me roje dhe çfarë armatimi ka për mbrojtje në rast sulmi. E kisha shumë të vështirë, sepse nuk dija kujt t’i besoja. Nuk dija as organizimin për mbrojtjen e Ministrisë.

Duke parë situatën, kërkova që të bëhej  thirrje nëpërmjet RTV ushtarakëve të liruar apo pensionistë që të paraqiteshin në repartet ku kishin shërbyer, thirrje që pati efektin e vet.

Me që në takimin e parë kishte diskutuar dhe kishte thënë se do ta mbrojmë me jetën tonë, bisedova me Drejtorin e Policisë Ushtarake, Bajram Malaj. Më tha se ushtarët e Batalionit të Sigurimit kanë ikur, por kemi marrë masat e duhura…

Më thanë se në krye të rojeve të ministrisë është një njeri shumë besnik, Aqif Muça, tek i cili mund të kisha besim të plotë, dhe ashtu më doli gjatë gjithë atyre muajve që punova aty. Mbaj mend se një herë, kur po kërcënohej ministria, përveç efektivit që kishte aty, ai mori dhe familjarët për ta mbrojtur

Duke qenë se në ministri shërbimi i gatishmërisë kryhej nga një grup oficerësh që emërtohej Grupi i Drejtimit, shkova aty. Sipas rregullave ushtarake u paraqit N/kolonel Izmir Toska. M’u fiksua emri i tij, dhe sot i kam të ngulura në kujtesë fjalët e tij se, po të jetë nevoja, do ta mbrojmë ministrinë me jetën tonë…

Me të gjithë flisja thjeshtë dhe vija re se u bënte përshtypje kjo mënyrë të foluri, që i bënte oficerët të çliroheshin nga tensioni që po flisnin me ministrin. Izmiri më informoi për detyrat që kryente Grupi i Drejtimit dhe më tregoi se çdo gjë që ndodhte, çdo urdhër që jepej etj. të gjitha mbaheshin në një libër ditar të cilin ma tregoi. U befasova kur pashë se çfarë ishte shkruar në të, për lëvizje trupash e teknike luftarake, për sulme, bombardime etj. etj. Mbasi shfletova disa faqe dhe lexova gjëra të tilla, për mua të pabesueshme deri në atë moment, aq sa nuk po i besoja syve. Në moment e vlerësova si një dokument me rendësi historike dhe i thashë se duhej ruajtur me çdo kusht. Megjithëse më vonë pashë edhe shumë dokumente të tjerë edhe më të rëndësishëm, që flisnin shumë për çka kishte projektuar e planifikuar “gjenerali” i ShIK-ut me shokët ë tij kundër popullit të vet…

***

  Megjithëse gjatë gjithë ditës dëgjoheshin krisma automatikësh që vinin nga rruga (Zyra ime ndodhej mbi rrugë. Dritaret binin  nga njëra anë direkt mbi rrugë, ndërsa dritaret tjera, nga ana tjetër, mbi oborrin e ministrisë). Mbasi u errësua, u shtuan në mënyrë të dukshme krismat e automatikëve, nuk vonoi dhe dikush duket solli edhe një  mitraloz, siç më thanë të rëndë, sepse unë nuk i dalloja, nga ku filluan të qëllojnë në ajër. Qitjet bëheshin direkt nën zyrën time dhe zhurma ishte e tillë, sa filluan të dridheshin edhe mobiliet e zyrës. Kuptohej se e gjitha kjo ishte për presion, sepse realisht nuk u ndërmor asnjë sulm ndaj ministrisë. Ndoshta edhe u frikësuan, sepse panë gatishmërinë e rojeve të cilët qëndronin në pozicione, të gatshëm për të hapur zjarr në çdo moment.

Atë natë, si dhe shumë net të tjera, gjatë atyre muajve fjeta në zyrë. Dua të vë në dukje një moment të rëndësishëm. Pothuajse i gjithë personeli i ministrisë kishte ikur në shtëpi, atë natë, ka qëndruar me mua zv/ministri Alfred Moisiu deri në orët vona të natës. Nuk donte të më linte vetëm për asnjë moment. Nga mesi i natës, kur ishin ralluar krismat e “kam urdhëruar” që të shkonte në shtëpi, sigurisht i shoqëruar nga ushtarakë të armatosur.

Shumë herë e kam menduar, përse ai presion ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. madje dhe tentativa për të hyrë brenda … Për mendimin tim nuk ka qenë rastësi, që po atë natë, siç do të thoshte më vonë, ish Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, ishte sulmuar dhe grabitur shtëpia e tij. Gjithmonë kam dyshuar dhe vazhdoj të dyshoj se të dyja kanë pasur një qellim: të merrnin ose të zhduknin dokumentacionin që gjendej në ministri, ose që mund të kishte Zhulali në shtëpi. Dhe këto me të vetmin qëllim, për  të zhdukur gjurmët e planeve, urdhrave që ishin përgatitur ato ditë në kuadrin e Operacionit Ushtarak kundër Jugut…

            E enjte 13 mars

Sot që në mëngjes mora Komunikatën Operative, me firmën e N/Kolonel Izmirit.  Për ta kuptuar  situatën dhe për të parë se ç’kishte ndodhur një ditë më parë dhe ç’po ndodhte në Shqipëri ato ditë, po e jap të plotë:

“Gjatë ditës së djeshme turma të armatosura kanë vazhduar sulmet ndaj njësive të ushtrisë si dhe grabitjet e armatimit, municionit, rezervave ushqimore dhe veshmbathjes. Gjatë kryerjes së veprimeve për mbrojtjen e bk në Gruemirë, Shkodër ranë në krye të detyrës oficerët: Muhamet Hasmuja, me detyrë komandant baterie, Arben Hoxha, me detyrë komandant toge, një ushtar i paidentifikuar. Ushtar Edmond Lleshi, efektiv i BrK Yzberish, Janë plagosur dhe ndodhen në gjendje shumë të rëndë shtatë oficerë, Idajet Hoxha, oficer Ramadan Ceka, kapterët Nami Sejati, Muhamet Mata, ushtarët Jetmir Kullolli nga Puka, Paulin Lepuri nga Burreli, Urim Qoku nga Bulqiza, Paulin Marku nga Puka, dhe Fisnik Mucilla nga Peshkopia, që të gjithë efektivë të bk Gruemirë.

Nga ora 0.9.15 deri në ora 12.00 datë12.3.1997, janë sulmuar dhe është rrëmbyer armatimi, municioni dhe materialet e tjera  në: shkollat e instruksionit të D2K në Pukë, komanda e D2K, bat BrAT Mjekës Elbasan, grup depot e BFU Rrëshen, depot BrK Burrel, në Klos e Burrel, BrK ( me kompletim) në Kolonjë Lushnjë.

Nga ora 12-15.30 u sulmuan dhe u grabiten: depot në Valikardë, BrK Burrel,  AU  “Skënderbej”, BrAKA Kamzë, Brk (me kompletim) Laç, bxh i BrXH-Nd. në Laç, ju vu zjarri rezervave të karburantit të BA Kuçovë, u sulmua dhe u grabit BrT dhe BrAP, Babru të D8K, BrK Lezhë, Ba Gjadër.

Nga ora 17 deri në orën 20.00 u sulmuan dhe u grabitën: grupi i helikopterëve  Farkë, bat.AKA Domje, BrT Komando, Qendra e Kontroll Raportimit Lezhë, Shtabi i Br Raketave Selitë, Uzina e Riparimit të Artilerisë, BrK Libonik e BrK Pogradec, BrK (me kompletim) Shkozë, D8K, bat. AKA Elbasan, BrK Maminas, BrK (me kompletim) Romanat, depot e BFU Elbasan, BrK Tujan dhe Borizanë.

Nga ora 20.oo deri në orën 24  u sulmuan dhe u grabitën: grup depot e BFU Elbasan, në Gjergjan dhe Ullishtë, Këtu i është venë zjarr një depoje që paraqet rrezikshmëri për qytetin, shtabi i DIK, bat. AKA  Lalës dhe komunikimit Marglliç, BrK Sharrë, BrK Krastë të D8K ku i kanë venë zjarrin truprojës; BrAP Gërdec dhe grup depot e BrK Shijak dhe Ndroq, depot e BFU Tiranë në Surel, Noj e Tufinë, të gjitha njësitë e D4K Korçë, Rajoni i PU Tiranë. Pas rrëmbimit të armëve ju vu zjarri objekteve të BrAP Gërdec, BrK me kompletim të D8K Shkozë. Tentativa u bënë për të hyrë dhe në Br Komunikimit, Shtabin e FMA-së dhe b. Sigurimit, por ndeshën në qëndresën e efektivave të reparteve, nga ku u detyruan të kthehen mbrapsht.

Rreth orës 05.15 dt. 13.3.1997 u sulmua BA Rinas si dhe ju vu zjarri godinës së pilotëve si dhe parkut të automjeteve në Gjadër.

Ne të gjitha repartet ka largime masive të ushtarëve”.

E lexova me dhimbje atë letër ku përmblidhej gjithçka e keqe që e kishte zënë ushtrinë, ose më mirë të thuash Shqipërinë. Gjithandej grabitje, shkatërrime, djegie dhe ç’është më e rënda, tashmë kishim edhe ushtarakë të vrarë në mbrojte të reparteve ushtarake.

Kështu e gjeti dita e 13 marsit ushtrinë shqiptare. Nuk dija nga t’ia filloja. Më dukeshin të pa besueshme ato që kisha lexuar. Porosita Shefin e Shtabit të Përgjithshëm,  Adem Çobanin që të lidhej me kë të mundte për të marrë vesh më mirë se ç’po ndodhte. U lidha me Kryeministrin dhe i fola për situatën, por edhe ai nuk kishte ç’të thoshte, vetëm dëgjonte. Edhe ai, tepër i lodhur e i dëshpëruar, më dha lajme të tjera për shkatërrime të objekteve civile, grabitje e djegie bankash, ndërtesash zyrtare, gjykatash, arkivash etj. Ula telefonin dhe sesi më erdhi në mend, Shqipëria është marrosur…

Krahas komunikatës, njoftohem për sulme e grabitje edhe në disa reparte të tjera. Por njëkohësisht më njoftojnë se është sulmuar disa herë Brigada Komando e Zarll Herrit, por ushtarakët po e mbrojnë me jetën e tyre dhe disa herë i kanë detyruar banditët të zmbrapseshin… ja  një shembull, mendova me vete, si mbrohen repartet kur oficerët janë ushtarakë të vërtetë dhe patriotë.

Megjithatë duhej të ruaja gjakftohtësinë, tu jepja kurajë e tu rrisja moralin  oficerëve, disa prej të cilëve filluan të jepnin dorëheqjen e të kërkonin të largoheshin nga ushtria. I pari më erdhi Shefi i Personelit, gjeneral Aleko Laze. Me pretekstin se ishte në moshë dhe në prag të pensionit kërkoi të largohej. Dukej burrë i mirë dhe me sinqeritetin që tregonte të bënte për vete. I kërkova të qëndronte. U bind. Punova me të deri në fund, sa isha në atë ministri dhe vazhdoj të ruaj edhe sot përshtypjet më  të mira për të si njeri.

Nuk vonoi dhe më erdhi Z/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Armando Vinçani. Ai, tepër i prekur, me lot në sy, kërkoi me çdo kusht të largohej, të jepte dorëheqjen. Insistonte në kërkesën e tij, sepse, sipas tij, atë nuk e kishte pyetur askush për ato që kishin ndodhur në ushtri dhe tani duhej të mbante përgjegjësi. Sigurisht, ai kishte përgjegjësitë e veta, por tani nuk ishte koha për dorëheqje. Mbasi e dëgjova i thashë, shko në shtëpi, qetësohu dhe pastaj bisedojmë. Pyeta Shefin e Shtabit për të dhe më tha se është njeri i mirë, dhe ashtu është, si të ka thënë ai, nuk e ka pyetur askush për asgjë. Armando më dëgjoi, u kthye dhe punuam bashkë deri ditën që u largova. Ruaj mendim të mirë e konsideratë për të si njeri e si ushtarak që, detyrën që e ngarkova si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes pranë Forcave Shumëkombëshe e kreu siç duhet.

Më bëri përshtypje se më kërkoi dorëheqjen edhe sekretarja e ministrit. Po ti i thashë, përse do të largohesh. Unë jam motra e Blerim Çelës, më tha, prandaj gjej një njeri tëndin. Unë nuk jam privat këtu i thashë, nuk kam ardhur të heq njerëz nga puna, për mua nuk ka rendësi motra e kujt je, për mua ka rendësi të bësh punën, të mos flasësh me të tjerët për ato që dëgjon këtu, prandaj vazhdo e qetë. Punova me të deri ditën e fundit dhe nuk pata asnjë problem, madje, kur e pyesja për ata që më kërkonin takim, më tregonte edhe për padrejtësitë që u  ishin bërë në të kaluarën…  Edhe sekretarja tjetër, që nuk kishte qenë  në Shqipëri kur ndodhën ngjarjet, mbasi u kthye, më tha se unë jam e persekutuar politikisht, prandaj merr një tjetër në vend tim.

“Shko moj vajzë, i thashë duke qeshur, puno në qoftë se don të punosh”.

Sikur u çlirua dhe vazhdoi edhe ajo deri ditën që u largova.

Po kështu pati edhe ndonjë tjetër që kërkoi të largohej, por me që e morën vesh se unë nuk pranoja dorëheqje, disa u mjaftuan vetëm me ndonjë letër drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, ku nuk merrej vesh se ç’thoshin e ç’kërkonin. Ndoshta kishte prej atyre që ishin penduar për ç’kishin bërë, ose të paktën që nuk ishin larguar më parë…

Megjithatë ato ditë nuk pranova asnjë dorëheqje. Pati ndonjë oficer që u largua dhe nuk gjendej ku ishte…dhe që më vonë kërkonte të dilte si hero nëpërmjet intervistave e shkrimeve neper gazeta. Duket kështu ndodhë në jetë. Kisha dëgjuar për disa të tillë, të cilët, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, nuk dihej ku kishin qenë  e ç’kishin bërë,  më vonë kërkonin të dilnin si heronj, madje ndonjë edhe kishte dalë…

Edhe me datë 13 vazhduan gjatë gjithë ditës të vinin lajme për grabitje e shpërthime deposh. Grabitje armësh e municionesh në regjimentin e Kimisë, në depot në Ndroq, Shijak, Marikaj, Rumanat, Porto Romano etj. Marrim vesh se disa anije ushtarake të Durrësit dhe Shëngjinit, bashkë me armatimin janë nisur drejt Italisë. Gjithandej keq e më keq, zi e më zi…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura