Zbulohen spiunët që fundosën Edison Gjergon, nga “Bufeja e madhe” te “Artisti”

May 30, 2017 | 7:20
SHPËRNDAJE

“Gjethja e mollës”, “Artisti”, por mbi të gjitha “Bufeja e madhe”. Këto ishin disa prej pseudonimeve të agjentëve dhe të infiltruarve, që futën në grackë dhe që çuan drejt dënimit piktorin Edison Gjergo, autorin e tablosë së famshme “Epika e yjeve të mëngjesit”.

Se cilët janë emrat që fshihen pas këtyre pseudonimeve, sigurisht e dinë jo vetëm ata vetë, por edhe bashkëpunëtorët e dikurshëm. Nuk dihet nëse janë ende gjallë, nëse ndiejnë brerje ndërgjegjeje apo mendojnë se kanë kryer thjesht “detyrën”. Muret e “Shtëpisë së gjetheve” kanë dëgjuar për së pari të qara fëmijësh, kur në kohën e Mbretit Zog u ndërtua si maternitet, e më vonë, në kohën e diktaturës, do dëgjonte biseda, përçartje gjithëfarë- sojesh…

Edison Gjergo (ne rreth), me shoket gjate viteve te Institutit te Larte te te Arteve
Edison Gjergo (ne rreth), me shoket gjate viteve te Institutit te Larte te te Arteve

Atje ku dikur lindte jeta, lindte përndjekja, pse jo edhe vdekja. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve, i hapur vetëm pak ditë më parë, i ngjan një labirinti. Realizuesit kanë ruajtur strukturën e mëparshme, kanë ruajtur aparaturat dhe e kanë mbushur me zëra të së kaluarës. Qindra histori e sekrete fshihen aty. Një ndër to edhe historia e piktorit Edison Gjergo. Një dhomë e muzeut i është kushtuar pikërisht rastit të piktorit, që u dënua sepse nuk e pëlqente realizmin socialist, sepse zjarri që ngrohte partizanët në tablonë e tij ishte “irreal”. “Ishte realizuar me mjete formaliste të artit ekspresionist, kubist të një eklektizmi e të një çorbe borgjeze revizioniste, që cenon rëndë përmbajtjen”, dilte në përfundim Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në ekspertizën e saj për veprat e Gjergos.

Në “Shtëpinë e gjetheve” është zbardhur dosja e piktorit, që në momentin kur filloi të ndiqej nga agjentë si “Bufeja e madhe” e si spiunohej nga kolegët e tij artistë me pseudonimet “Artisti” apo “Gjethja e mollës”.

Bashkë me raportimet e detyrat që u jepeshin të infiltruarve, jepen edhe karakteristikat e agjentëve dhe si ishin rekrutuar ata. Në këtë rast, të “Bufesë së madhe”, që nuk dihet pse ka pasur këtë pseudonim, sepse i pëlqenin bar-bufetë e kohës apo bufetë që mbaheshin në dhomat e ndenjjes shabllone të viteve të diktaturës.

Mësohet se “Bufeja e madhe” kishte pranuar të bëhej pjesë e organeve të Sigurimit të Shtetit, në këmbim të lirisë, pasi vuante dënimin për “veprimtari armiqësore”. Falë vullnetit të “Bufeve të mëdha”, “gjetheve të mollës” e “artistëve”, Edison Gjergo u arrestua dhe u dënua për “agjitacion e propagandë”. Doli nga burgu në vitin 1982 dhe vdiq në moshën 50-vjeçare, tërësisht i shkatërruar, në vitin 1989.

ALMA MILE

Spiunimet ndaj Edison Gjergos

Marrë p.op…

Dhënë agjentit “Bufe e madhe”

Tiranë, më 12/6/1973

Raport

E hënë, 29 maj rreth orës 20 e 30 ai u takua me Edison Gjergon në kafe “Peza”. Edisoni i dehur i kërkon atij që ta qerasë me një konjak. Ai e pyet Edisonin se përse je kaq i mërzitur?

Edisoni: “Jam i mërzitur se ashtu është edhe vetë natyra e njeriut që nuk gjen rehat në këtë botë”. Edisoni fillon dhe predikon citate të filozofisë dhe filozofëve të ekzistencializmit si J. P. Sartri, Albert Kamus etj., midis të cilave ay gjen si të vërtetë të thënët se “të jetuarit e njeriut nuk vlen për asgjë. “Këtë të vërtetë njeriu e konsumon kur vdes”. Ai vazhdon: Vullneti i njeriut është gjithnjë i kondicionuar në rrethanat në të cilat ndodhet.

edison gjergjo gjate hetuesise

Burimi thotë se nga kjo anë materializmi është më bindës në të thënat e veta.

Edisoni: Lëre m… mos e përfill në gojë, marksizmin as që e pranon njeri sot.

Burimi: Pa më thuaj, ç’të shtyn të jesh kaq pesimist? Thuamë të vërtetën, mos ndoshta deluvioni që pësove në art?

Editoni: As më rr. b… për këtë. S’do bëj këtë, do bëj një gjini tjetër. E vërteta është se unë dashuroj një vajzë që punon në bibliotekë në Pallatin e Pionierëve. Ajo më shfaqi simpati për punën time. Unë nuk di si t’ia bëj. Ai i thotë se simpatia për punë nuk e kondicionin në mënyrë absolute dashurinë. Një ditë tjetër ai u takua me Edisonin, i cili i tha: “Më thoni që në vend që të rri dy muaj do të bëj 5 muaj, sigurisht do të bëj disa punë, ashtu më këshilloi edhe një shoku im që ka përgjegjësi në Ministrinë e Arsimit. Shkurt muhabetit, kjo është sa për të larë gjynahet edhe fajet që s’kemi bërë. Simbas interpretimit të burimit, shprehja e Edisonit len të kuptojë se puna e tij në terren ose bazë ka më tepër një karakter ndëshkimor.

“Bufe e madhe”

**

Ekzemplar i vetëm Berat, më 20.VIII.1974

Shënim-operativ

Në takimin e bërë bë datën 19.VIII.1974 me ish-B.P. “Fleta e Mollës midis të tjerave më tha: Se nga fundi i muajit maj 1974, që data ekzakte nuk i kujtohej, kishte ardhur në Kombinatin e tekstileve Mao Ce Dun, piktori Edison Gjergo për të marrë materiale të nevojshme për kryerjen e tabllosë në pikturë me rastin e çeljes së ekspozitës së arteve figurative së shpejti. Nga ana e Kombinatit Edisonit iu dha ndihma e duhur dhe iu plotësuan të gjitha kërkesat për materiale. Editonit iu dhanë fotografi nga puna e tekstilisteve.

Në një bisedë që Edisoni kishte bërë me B.P., Fleta e Mollës, midis të tjerave Edisoni i kishte thënë atij: “Porsa i përket tabllove që kam krijuar si ‘Shuarja e pusit 542’ dhe ‘Epika e yjeve të mëngjesit’ për këto janë sulmuar me të padrejtë nga disa shokë dhe drejtues të vetë Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë.

Edisoni vazhdoi se një pjesë kanë reaguar negativisht nga mosnjohja sa duhet e ekzekutimit të një pikture dekorative”.

Edisoni u largua nga Berati, duke thënë se mbasi t’i mbaroj pikturat e tekstilit do të vijë përsëri për t’i parë me shokët e Kombinatit, por deri tani, tha B.P., nuk ka ardhur. Detyra: B.P ju dha si detyrë që në rast se do të vijë Edisoni në Berat, përsëri, të takohet e bisedojë me të rreth pikturave që ka bërë nga tekstili dhe si mendon Edisoni për goditjen që ka pasur për krijimtarinë dekadente në pikturë…

Punëtori operativ

Ekzemplar i vetëm Tiranë, 17, 7, 1973

Detyra Për B.P. “Artisti” për t’i konsumuar në biseda me objektin e përpunimit paraprak

Edison Gjergo

Duke qenë se B.P. “Artisti” ka dhënë një të dhënë të rëndë- sishme për objektin Edison Gjergo dhe se ka shoqëri dhe mundësi për t’u futur në përpunimin e këtij objekti mendojmë se ky B.P. që mbahet në Lidhje nga… të kryejë këto detyra në biseda me objektin.

1) Me qenë se i lidh edhe ana profesionale si B.P., ashtu edhe objektin, B.P. të mundohet për ta takuar në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ose duke i vajtur në studion e objektit me pretekste të ndryshme për t’i parë krijimet e këtij të fundit dhe të diskutojnë me të mbi krijimtarinë e objektit, anët pozitive e negative që ka objekti në krijimtari, mbi nacionalitetin që duhet të kemi në krijimet, duke pasur baza tabanin kombëtar, mbi piktorët e realizmit socialist në vendin tonë dhe piktorët modernistë të vendeve perëndimore e revizioniste. Kjo me qëllim për të sqaruar se ç’mendime ka objekti.

Tabloja e dënuar, “Epika e yjeve të mëngjesit”
Tabloja e dënuar, “Epika e yjeve të mëngjesit”

2) Të bisedojnë mbi masat e marra kohëve të fundit mbi luftën kundër ndikimeve të huaja në art e kulturë dhe se si këto masa të reflektuara në fushën e krijimtarisë, për të nxjerrë shkas diskutimi të përmendë se ç’nivel të lartë paraqiteshin krijimet në ekspozitën e 30-vjetorit të krijimit të ushtrisë. Me këtë rast të diskutojë me të për mbajtjen e plenumit dhe goditjen e elementit antiparti, duke i lënë shkas që të japë mendim objekti për këto elemente.

3) Të bisedojë për të mësuar mendimet e objektit për perspektivën e artit e pikturës sonë. Për rolin e partisë dhe të udhëheqësit tonë në drejtim të përcaktimit të rrugës që duhet të ndjekë arti e kultura. Këtu t’i thotë që pa tjetër arti duhet të përfaqësojë politikën e një vendi dhe jo të jetë i ndarë nga politika, duke i thënë se ç’mendon objekti për këtë…

Republika Popullore e Shqipërisë

Gjykata e Rrethit Tiranë Nr.186

Vendim “Në emër të popullit”

Gjykata e Rrethit Tiranës e përbërë prej kryetarit të seancës.. Nd. Gjyqtarit… Asistuar prej sekretares… sot më dt.28 dhe 29.04.1975 në seancën gjyqësore me dyer të hapura mori në shqyrtim çështjen penale që i përket të pandehurit:

Edison Gjergo, i biri i Vangjelit dhe Kornelis, lindur në 1939 në Tiranë dhe banues në Tiranë, lagje nr.10, rruga “Bajram Curri”, pallati 490/2, shkalla 1, ap.5, origjina shoqërore nëpunës i lartë, gjendja piktor pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, me arsim të lartë (Instituti i Arteve), tani pa punë, i pamartuar, pa fëmijë, kryer shërbimin ushtarak, i padënuar, paparti, i arrestuar më datën 15.01. 1975.

I akuzuar: Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim ky i parashikuar dhe i dënuar nga nen 73.1 i K.P. Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, mbasi bisedoi çështjen në tërësi dhe mbasi ndigjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkoi mëshirë:

Vëren

Gjatë gjykimit u vërtetua se i pandehuri Edison Gjergo ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor.

Ky i pandehur, duke vepruar në kundërshtim me politikën e partisë, ka bërë piktura të ndryshme me përmbajtje reaksionare.

I pandehuri pranoi para gjykatës se nuk i ka pëlqyer arti i realizmit socialist dhe prandaj ka propaganduar, duke lavdëruar piktorët reaksionarë, modernistë, Shagalin, Pikason etj. i pandehuri, armiqësinë e tij kundrejt realizmit socialist e ka treguar jo vetëm duke folur me persona të ndryshëm, por edhe në punimet që ka bërë…

Kush ishte agjenti “Bufeja e madhe”

Ekzemplar i vetëm Tiranë, më 5.9.1976

Karakteristikë për agjentin “Bufe e madhe”

Agjenti B. Madhe është tërhequr në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit në vitin 1949, kohë në të cilën ky ishte në burg për veprimtari armiqësore. Tërheqja e tij është bërë mbi bazën e lirimit para kohe nga burgu.

Qysh prej asaj kohe e deri tani është mbajtur në lidhje të rregullta dhe të dhënat e tij kanë qenë të vlefshme. Me këto të dhëna janë bërë goditje të elementit armik, janë çelur përpunime dhe aktualisht ka në ndjekje shumë probleme me karakter të mprehtë armiqësor.

Qysh nga muaji shtator i vitit 1975 e deti tani, kohë kjo që është marrë në lidhje nga ana ime, ka dhënë 12 të dhëna me vlera operative. Në takime është shumë i rregullt, zbaton grafikun, futet me kujdes në bazën e caktuar dhe mundohet që të zbatojë detyrat që i ngarkohen, por gjatë kësaj periudhe janë vërejtur dhe të metat e mëposhtme që duhet të kihen parasysh në të ardhmen:

a. Shpesh ka maninë që të takohet qysh para se të futet në bazë, kjo kur i është konsultuar është këshilluar dhe mësuar se si të veprojë. Në fillim justifikohej se nuk na njeh njeri, por më vonë reagon drejt.

b. Ka pasur raste që problemet nuk i sqaron deri në fund, për këtë justifikohet se kam frikë se mos digjem dhe nuk di si të veproj. Është kritikuar disa herë dhe në gjitha takimet është mbajtur afër, është mësuar si të veprojë.

c. Është i dhënë pas interesit personal, në rast se ky interes i preket sa do pak, nxehet dhe krijon përshtypjen se këto ia bën organi i Sigurimit të Shtetit. Për këto është sqaruar dhe deri diku është bindur.

d. Ë s h t ë karakterizuar si tip nevrik, jep mendime nganjëherë të nxituara për njeriun… Shënim Agjenti “Bufe e madhe” dha të dhëna të rëndë- sishme për objektin 2/A, i cili kishte tendenca terrori e diversion. Për vërtetimin e të dhënave të këtij agjenti u organizuan kombinacionime T.O ku u përgjua ky b.p me objektin e lartpërmendur, ku u vërtetua se B.p ishte në pozita të mira dhe objekti në pozita armiqësore.

Mbi këtë bazë objekti u arrestua, por nuk u zbërthye në hetuesi dhe në këtë mënyrë, pasi u analizua në ministri me autorizim të zv.ministrit sh…. dhe me urdhër të Drejtorit të P. Brendshme, ky agjent u përdor si dëshmitar në procesin e këtij të pandehuri. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura. Shefi i seksionit Tiranë 28.8.1977

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura