Zbulohen prapaskenat, si e ndërmjetësoi Meta marrëveshjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi

Feb 17, 2018 | 10:12
SHPËRNDAJE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka qenë i përfshirë në aneks marrëveshjen e re ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin.

Burime të gazetës “Epoka e re”, kanë bërë me dije se për këtë proces ka një meritë presidenti shqiptar, Ilir Meta.

Meta e Markovic
Meta e Markovic

Sipas këtyre burimeve, presidenti Meta më 9 shkurt (ditë e premte) ka pasur një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dusko Markoviq, me të cilin ka biseduar për gjetjen e një zgjidhje rreth demarkacionit.

Takimi mes Metës dhe Markoviqit ka ndodhur në Podgoricë në “Villa Gorica”.

Për angazhimin e presidentit Meta si ndërmjetës për këtë temë kanë qenë në dijeni Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj.

“Të premten e shkuar, datë 9 shkurt, presidenti Meta ka qenë në një dreke informale në Podgoricë në ‘Villa Gorica’ me kryeministrin e Malit të Zi dhe ka negociuar formulën përfundimtare për demarkacionin para vizitës së kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë. Në dijeni të këtyre negociatave sekrete ka qenë zëvendëskryeministri Limaj dhe kryeministri Haradinaj”, kanë thënë burimet e gazetës “Epoka e re”.

Presidenti Meta deri më tani nuk ka dhënë asnjë deklaratë rreth përfshirjes së tij në aneks marrëveshjen e re, e cila ka rezoltuar me pajtimin e dy palëve rreth zgjidhjes së çështjes së demarkacionit.

Megjithatë ai ka uruar për arritjen e kësaj marrëveshje.

Presidenti Meta do të jetë nesër në Prishtinë, ku do të marrë pjesë në shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Më 14 dhe 15 shkurt, kryeministri i Malit të Zi ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku edhe dha sinjale se shteti i tij është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura