Zbulohen emrat e kandidatëve për gjyqtarë në Strasburg

Aug 13, 2016 | 19:15
SHPËRNDAJE
Partia Demokratike akuzoi sërish sot kreun e qeverisë, Edi Rama se po kërkon të çojë avokatin e tij në Strasburg, pa i bërë vetting-un.
Përmes një deklarate për media të deputetit Oerd Bylykbashi, Partia Demokratike pretendon se qeveria ka nisur në terr dhe mungesë të plotë transparence, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për postin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
qeveria

REAGIMI I QEVERISE

Qeveria bëri të ditur se përmes faqjes Transparencë.al se Këshilli i Europës ka ftuar qeverinë shqiptare të paraqesë brenda datës 26.8.2016, listën me propozime për tre kandidaturat më të përshtatshme për gjyqtarin e ri të Shqipërisë në GJEDNJ, për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual më datë 31.1.2017.

“Duhet theksuar se në rastin e përzgjedhjes së kandidaturave të mëparshme për të njëjtin pozicion, si në rastin e gjyqtarit Ledi Bianku, qeveria e zotit Berisha nuk ndoqi asnjë procedurë dhe nuk vendosi asnjë standard transparence për përzgjedhjen që bëri. Çdo gjë u mbajt në fshehtësi dhe procesi i përzgjedhjes nuk shmangu ndikimin politik. Ky fakt është lehtësisht i provueshëm nga kushdo”, thuhet nw reagim.

“Ndryshe nga kjo praktikë, me qëllim ndjekjen e procedurave sa më demokratike dhe transparente në këtë proces përzgjedhjeje, bazuar, gjithashtu, në standardet e vendosura në Udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Qeveria Shqiptare publikoi më datë 18 korrik 2016 thirrjen për aplikim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, Nr.23, (Botim i Qendrës së Botimeve Zyrtare), në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe në media.

Gjithashtu, për përzgjedhjen e kandidatëve sa më të përshtatshëm, profesionalë, me integritet, apolitike dhe në mënyrë transparente, u ngrit një komision konsultativ ad-hoc (Komisioni) me anëtarë që gëzojnë përvojë të konsiderueshme profesionale, janë përfaqësues të institucioneve të pavarura apo akademikë të shquar, duke shmangur kështu çdo mundësi për ndikim politik në këtë proces.

Ky Komision përbëhet nga:

Kryetar i Komisionit:

-Z. Luan Omari, konstitucionalist, ish-anëtar i Komisionit të Venecias.

Anëtarë të Komisionit:

-Z. Kristaq Traja, ish-gjyqtar në GJEDNJ.

-Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

-Z. Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

-Z. Artur Metani, Drejtor i Departamentit të Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit, Kryeministria.

Për sa i përket procesit të vetting-ut, të ndërgjegjshëm për rëndësinë e integritetit dhe pastërtisë së figurës së gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtare gjyqësore, si dhe të gjendur në rrethanat e mosmiratimit deri në këto momente të projektligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (Projektligji “Për vetting-un”), Komisioni, gjatë kryerjes së procedurave përzgjedhëse për kandidatët për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në GJEDNJ, po zbaton dhe po vlerëson kandidaturat në përputhje jo vetëm me kriteret e thirrjes për aplikim, por edhe me parimet që qëndrojnë në themel të procesit të vetting-ut, të cilat lidhen me çështje të kompetencave profesionale, verifikimin e deklarimit të pasurisë dhe integritetin.

Për sa më lart dhe të vendosur për të garantuar profilin e kandidatëve për gjyqtarë, në përputhje me standardet më të larta, jo vetëm profesionale, por edhe morale, Komisioni, i ka kërkuar aplikantëve vërtetimin e dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike ose plotësimin e tij, si dhe ka kërkuar në rrugë zyrtare pranë ILDKPKI-së informacion mbi verifikimin e deklarimit të pasurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në fund theksojmë se qeveria shqiptare ka të drejtë vetëm propozimin e tre emrave për këtë pozicion, pasi është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, institucioni që do të shqyrtojë, vlerësojë dhe votojë një nga emrat e paraqitur.

Emrat e aplikantëve të cilët po shqyrtohen prej Komisionit janë:

Xhezair Zaganjori

Altina Xhoxhaj

Dariel Sina

Elira Kokona

Ina Rama

Sokol Berberi

Gent Ibrahimi

Plarent Ndreca

Ledia Mirakaj

Sokol Puto

Ornela Rrumbullaku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura