Zbulohen emrat/ Cilët janë 2 prokurorët që ambasada amerikane u refuzoi vizat

Feb 2, 2017 | 23:59
SHPËRNDAJE

Në letrën që Prokuroria e Përgjithshme i ka drejtuar kreut të Shtetit, Presidentit Nishani dhe kryeparlamentarit Meta, duke i numëruar shantazhet që ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu i bën këtij institucioni shumë të rëndësishëm, zbulohen edhe prokurorët të cilëve, në formë shantazhi sipas saj, Ambasada u ka refuzuar vizat.

Selia e ambasades se SHBA ne Tirane
Selia e ambasades se SHBA ne Tirane

I pari është kreu i institucionit, vetë kryeprokuroi Adriatik Llalla.

Sipas letrës, ‘Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm”.

Prokuroria e Përgjithshme, e quan këtë veprim të Ambasadorit Lu, vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të  Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme”- theksohet në letër.

Rovena Gashi, sipas Prokurorisë së Përgjithshme është i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.

“Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional. Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014,  Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin. Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane”- thuhet në letër.

Refuzimi i vizave për gjyqtarët e prokurorët, çfarë tha ambasada amerikane 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza.

Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura