Zbulohen dokumentet, si iu refuzuan Nishanit vilat e Vlorës dhe Dhërmiut

Jul 28, 2015 | 17:28
SHPËRNDAJE

Që prej datës 27 prill e deri më 19 qershor 2015, mes Presidencës, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Kryeministrisë është shkëmbyer një korrespondencë intensive në lidhje me përcaktimin e rezidencës qeveritare se ku mund t’i kalojë 21 ditët e pushimeve verore kreu i shtetit, Bujar Nishani dhe familja e tij.

jari
Fillimisht përmes një shkrese të datës 27 prill, të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Florjan Nuri, i kërkohet Drejtoreshës së Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Kamelia Vojka që të vërë në dispozicion Vilën qeveritare të Dhërmiut për Presidentin Nishani dhe familjen e tij nga 11-31 korrik. Drejtoresha Vojka përgjigjet po atë ditë se Vila e Dhërmiut është e amortizuar dhe në pritje të një rikonstruksioni.

Në një shkresë të dytë, Presidenca kërkon që rikonstruksioni të mos bëhet gjatë periudhës së verës, por më vonë. Më 2 qershor, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare njofton se ka nisur rikonstruksionin e Vilës së Dhërmiut dhe i kërkon Presidencës të përzgjedhë një tjetër ambient që i përcakton ligji për të kaluar pushimet e zotit Nishani. Në përgjigje, Presidenca përmes sekretarit të Përgjithshëm, Nuri, kërkon që Presidenti Nishani dhe familja e tij të pushojnë pranë Vilës Nr.1 Vlorë ( e rikonstruktuar pak vite më parë).

Por, Drejtoria Qeveritare i kujton Presidencës se kreu i shtetit mund të shkojë në çdo kohë në vilat qeveritare të Durrësit, Pogradecit dhe Vilën nr.6 në Vlorë. Por, Presidenca nuk është e kënaqur me këtë përgjigje dhe i drejtohet kabinetit të Kryeministrit që të ndërhyjë. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, në përgjigje të korrespondencës me Presidencës, shprehet se Vila qeveritare Nr. 1 në Vlorë do të përdoret nga Kryeministri sepse ai gjatë pushimeve zhvillon dhe aktivitet zyrtar dhe takime në këtë vilë, pasi vetëm kjo ka ambientet e përshtatshme për të zhvilluar këtë aktivitet, duke i kujtuar Presidentit të Republikës se janë dhe tri vila të tjera ku ai mund të pushojë.

KORRESPONDENCA MES PRESIDENCËS DHE DREJTORISË QEVERITARE

27.04.2015
Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës
Dërguar
Kamelia Vojka
Drejtore e Shërbimeve Qeveritare

E nderuar Drejtore,
Në vijim të komunikimit, ju përcjellin, përmes kësaj shkrese, kërkesën për rezervimin e ambienteve të Vilës së Dhërmiut në periudhën 11-31 korrik 2015, periudhë gjatë së cilës do të pushojë Presidenti dhe familja e tij.
Për sa më sipër, kërkojmë të na përcillni konfirmimin tuaj për këtë kërkesë, si dhe marrjen e masave të nevojshme që mundësojnë qëndrimin e familjes presidenciale në periudhën e sipërshënuar.
Lutemi në kthimin e përgjigjes nga ana juaj brenda datës 10 maj 2015.

Sekretari i Përgjithshëm
Florjan Nuri

27.04.2015
Kamelia Vojka
Drejtore e Shërbimeve Qeveritare
Dërguar
Florjan Nurit
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës

I nderuar zoti Nuri,
Në vijim të shkresës suaj, me nr. 884 prot. datë 27.04.2015, në të cilën kërkohet rezervimi i Vilës Dhërmi, për periudhën 11-31 korrik 2015, për pushimet e Presidentit të Republikës, sh.t.z. Bujar Nishani dhe familjes së Tij, Ju informojmë se kjo vilë është në gjendje tejet të amortizuar, si pasojë e mungesës së investimeve prej shumë vitesh. Për këtë arsye, jemi duke marrë masa që Vila Dhërmi të rikonstruktohet dhe si rrjedhojë, do të jetë e pamundur akomodimi në të.
Nëse ku investim nuk do të realizohet sipas planifikimeve tona, atëherë, vila do të jenë në dispozicion, në periudhën e kërkuar nga Ju.

Kamelia Vojka
Drejtore

29.04.2015
Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës
Dërguar
Kamelia Vojka
Drejtore e Shërbimeve Qeveritare

E nderuar Drejtore,
Në vijim të shkresës suaj, nr.prot. 171/1 dt. 27.04.2015, vlerësojmë se koha e përzgjedhur për kryerjen e rikonstruksionit të Vilës Dhërmi është jorealiste, pasi lidhet me periudhën e kryerjes së pushimeve verore.
Në këtë kontekst, nisur edhe nga fakti që ende nuk ka një përcaktim të qartë nga ana juaj nëse ky rikonstruksion do të arrijë të kryhet përgjatë periudhës verore, përcjellim kërkesën për shtyrjen e afatit të rikonstruksionit të Vilës Dhërmi për një periudhë të mëvonshme.
Paralelisht me këtë kërkesë, ju konfirmojmë se Presidenti i Republikës dhe familja e tij do të jenë në këtë rezidencë në datën 11 korrik 2015.

Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës

2.06.2015
Kamelia Vojka
Drejtore e Shërbimeve Qeveritare
Dërguar
Florjan Nurit
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës

I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm,
Në vijim të korrespondencës së mëparshme, lidhur me kërkesën për rezervimin e Vilës Dhërmi për periudhën 11-31 korrik 2015, për pushimet e Presidentit të Republikës, sh.t.z. Bujar Nishani dhe familjen e Tij, dhe informacionit tonë për planifikimin e hershëm të punimeve për rregullimin e kësaj vile, grupet teknike konstatuan sërish se gjendja e kësaj vile është tejet e amortizuar, edhe si rrjedhojë e moskryerjes së investimeve prej më shumë se trembëdhjetë vitesh paraqet probleme mjaft serioze, si: lagështi të theksuar dhe myk në mjediset e brendshme dhe të jashtme, infiltrim të ujërave, si pasojë e prishjes së shtresave hidro-izoluese, si dhe degradim të instalimeve elektrike që paraqesin dhe rrezikshmëri të lartë.

Sa më sipër, duke qenë se ky mjedis ishte krejtësisht i papërshtatshëm dhe jashtë standardeve të kërkuara për personalitetet e larta shtetërore, të cilëve u ofrojmë shërbimin tonë, ju informojmë se kemi filluar punimet rehabilituese për të bërë të mundur rikthimin e këtij objekti në kushte të përshtatshme. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, ju lutemi, të na informoni se cilin nga mjediset rezidenciale të përcaktuara në përdorim të Presidentit të Republikës, duhet të vëmë të dispozicion për periudhën 11-31 korrik 2015.

Kamelia Vojka
Drejtore

9.06.2015
Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës
Dërguar
Kamelia Vojka
Drejtore e Shërbimeve Qeveritare
Për dijeni
Vali Bizhga
Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit

E nderuar Drejtore,
Në vijim të komunikimit tonë shkresor, si dhe pas njohjes me shkresën tuaj, Nr. Prot.171/3 dt. 2.06.2015 me lëndë: “Informacion për fillimin e punimeve në Vilën Dhërmi”, bazuar në VKM Nr. 34, dt. 7.01.1999, “Për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe trajtimin e personaliteteve të larta”, të ndryshuar, kërkojmë që Presidenti Nishani dhe familja e tij të pushojnë pranë Vilës Nr.1 Vlorë (e rikonstruktuar pak vite më parë) në periudhën 11-31 korrik 2015.
Ne vlerësojmë se kërkesa për kryerjen e pushimeve të Presidentit të Republikës duhet të trajtohet nga ju, si prioritare dhe sipas përkatësisë në përputhje me të gjitha kushtet e përcaktuara nga dispozitat ligjore për trajtimin e Kreut të Shtetit shqiptar.
Në pritje të përgjigjes brenda afateve ligjore.

Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës

12.06.2015
Kamelia Vojka
Drejtore e Shërbimeve Qeveritare
Dërguar
Florjan Nurit
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës
Për dijeni
Vali Bizhga
Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,
Në vijim të shkresës suaj me nr. 884/1 Prot, datë 9.06.2015, me anë të së cilës kërkohet që Presidenti i Republikës, sh.t.z. Bujar Nishani dhe familja e Tij të pushojnë pranë Vilës Nr.1 Vlorë, gjatë periudhës 11-31 korrik 2015, më lejoni t’ju informoj se këto çështje rregullohen në bazë të VKM-së nr. 34 datë 7.1.1999 “Për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe trajtimin e personaliteteve të larta”, i drejtuar. Më konkretisht, neni 14 i saj përcakton se: Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe familjeve të tyre, në kohën e pushimit u vihet në dispozicion nga një apartament në rezidencat që administrohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në qendrat e pushimit…”
Duke shprehur gjithë gatishmërinë dhe përkushtimin tonë në përmbushje të detyrave, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullues të veprimtarisë së DSHQ, për t’i ofruar shërbimin tonë Presidentit të Republikës, dëshirojmë t’ju informojmë se jo vetëm në kohë pushimesh, por gjatë gjithë vitit, në dispozicion të Presidentit të Republikës janë mjediset rezidenciale të mëposhtme:

Vila Nr. 6, Rezidenca Qeveritare Durrës
Vila Nr. 2, Rezidenca Qeveritare Pogradec
Vila Nr. 6, Rezidenca Qeveritare Vlorë

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, presim përgjigje se cili nga mjediset rezidenciale të sipërcituara do të përzgjidhet për pushime.

Kamelia Vojka
Drejtore

16.06.2015
Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës
Dërguar
Vali Bizhga
Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit

E nderuar Drejtore,
Presidenti i Republikës, në përputhe me axhendën e muajve në vazhdim, tashmë të miratuar, ka vendosur të pushojë së bashku me familjen pranë Vilës Nr. 1 Vlorë,(të rikonstruktuar pak vite më parë), në periudhën 11-31 korrik 2015, pasi Vila e Dhërmiut, sipas informacionit zyrtar të përcjellë nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare është në rikonstruksion.
Në vlerësim të kësaj situate njoftuam Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për vendimmarrjen e dytë të Presidentit për të pushuar në Vilën Nr. 1 Vlorë, njoftim për të cilin ju kemi vënë në dijeni dhe ju, si autoritet që keni në varësi këtë institucion. Në vijim, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, jo vetëm që nuk merr masat e nevojshme për të siguruar gatishmërinë e ambienteve të Vilës Nr.1 Vlorë, për periudhën e përcaktuar nga Presidenti i Republikës, por në tejkalim të kompetencave të caktuara nga dispozitat ligjore arrin dhe të caktojë vendin dhe kohën ku dhe kur Presidenti mund të shkojë për të pushuar, në rezidencat qeveritare të caktuara për trajtimin e personaliteteve të larta.
Theksojmë se rezidencat në të cilat pushojnë personalitete e larta shtetërore janë kompetencë e Këshillit të Ministrave dhe specifikisht të rregulluar me VKM Nr. 34, dt, 7.01.1999, ku një ndarje e tillë si ajo që përcjell shkresërisht DSHQ nuk ekziston. Për referencë ju përcjellim bashkëlidhur kësaj shkrese, praktikën nga vitet e më- parshme. Duke e konsideruar si rast të paprecedentë sjelljen institucionale të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, kërkojmë të ushtroni autoritetin ligjor që DSHQ, institucion në varësi të Kryeministrit, të verë në dispozicion Vilën Nr.1 Vlorë, për kryerjen e pushimeve të Presidentit të Republikës në përputhje me të gjitha kushtet që i takon të trajtohet Kreu i Shtetit shqiptar.

Florjan Nuri
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës

Faksimile e korespondences
Faksimile e korespondences

19.06.2015
Engjëll Agaçi
Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë
Dërguar
Florjan Nurit
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës

I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm,
Kabineti i Kryeministrit i ka adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave letrën tuaj me nr. Prot. 1179, datë 16.062015, nëpërmjet së cilës institucioni i Presidentit të Republikës ankimon zgjidhjen e propozuar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në lidhje me përdorimin e mjediseve në dispozicion të Presidentit të Republikës dhe familjes së tij për kalimin e pushimeve verore. Duke analizuar këtë situatë në përputhje me kuadrin ligjor, rezulton se: Në bazë të nenit 14, të VKM Nr. 34 datë 7.01.1999, tri personaliteteve më të larta të vendit dhe familjeve të tyre u vihet në dispozicion nga një apartament në rezidencat qendra pushimi, nën administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Meqenëse DSHQ është përgjegjëse për administrimin e këtyre mjediseve, ky institucion gëzon të drejtën dhe detyrimin të bëjë një ndarje proporcionale të mjediseve, duke u bazuar në parimin e barazisë. Në këtë kontekst, DSHQ-ja ka përcaktuar ndarjen e rezidencave të pushimit mbi bazën e një trajtimi prioritar, për të siguruar në çdo kohë një mjedis ekskluziv për secilin nga personalitetet e larta të shtetit. Si rrjedhojë, rezidencat qeveritare të Durrësit, (nr.6), të Pogradecit (Nr.2) dhe të Vlorës (Nr.6) janë në dispozicionin ekskluziv të Presidentit të Republikës dhe familjes së tij.
Nisur nga fakti se ndër vite kërkesat nga Presidenti i Republikës kanë qenë për përdorimin e Vilës së Dhërmiut, Kryeministri ka përdorur rezidencën Nr. 1 në Vlorë, duke e konsideruar edhe fluksin e mbledhjeve të nivelit të lartë në kuadër të aktiviteteve të Tij kombëtare dhe ndërkombëtare edhe gjatë periudhës së verës dhe përshtatshmërinë e ambienteve të rezidencës për zhvillimin e tyre. Vlen të theksohet se DSHQ ka përcaktuar ndarjen e mjediseve rezidenciale, në bazë në një praktike të ndjekur ndër vite nga personalitetet më të larta shtetërore.

Pavarësisht diskutimit të momentit me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, sigurojmë gatishmërinë e shërbimeve të këtij institucioni kundrejt Presidentit të Republikës dhe familjes së tij, duke i ofruar një trajtim dinjitoz dhe të përhershëm, proporcionalisht nevojave dhe mundësive legjitime, siç e dëshmojnë, në rastin në fjalë, edhe alternativat e propozuara.

Engjëll Agaçi
Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë

letra-8

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura