Zbulohen dokumente të reja për vdekjen e Mid’hat Frashërit: Infarkt apo vrasje?

Oct 4, 2018 | 13:16
SHPËRNDAJE

URAN BUTKA/ Arritja politike më kulmore e Mid’hat Frashërit në emigracion ishte krijimi në Paris, më 26 gusht 1949, i Komitetit “Shqipëria e lirë”, me ndërmjetësinë e anglo-amerikanëve, me këtë përbërje: Mid’hat Frashëri, kryetar, Abaz Kupi, Said Kryeziu, Zef Pali dhe Nuçi Kota – anëtarë dhe me një përfaqësi të gjerë të grupimeve e të personaliteteve të ndryshme politike të emigracionit antikomunist (Këshilli Kombëtar) me njëmbëdhjetë anëtarë: Halil Maçi, Abaz Ermenji, Vasil Andoni, Ihsan Toptani, Muharrem Bajraktari, Gaqo Gogo, Gani Tafili, Asllan Zeneli, Hysni Mulleti, Ekrem Talhaj.

Krijimi i një komiteti që do t’i bashkonte shqiptarët e emigracionit në Itali, Greqi, Turqi, Francë, Amerikë etj., dhe që do ta kishte mbështetjen te Perëndimi, një qeveri shqiptare në mërgim me Kryeministër në hije, Mid’hat Frashërin, ishte një kërkesë e kohës.

Mithat_Frasheri

Mid’hati parashtronte disa kritere të rëndësishme, të cilave duhej t’i nënshtrohej bashkimi në një komitet nacional. “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju, – i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit, më 1948 – se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut”.

“E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër Atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese… Është e tepërt të përsëris se i vetmi qëllim i ndjekur në këtë përpjekje ka qenë fitimi për çështjen shqiptare dhe jo interesi i personave ose i grupeve”,- shkruante po aty Mid’hati.

Sipas tij, nuk mund të merrnin pjesë në këtë komitet kombëtar ata që ishin komprometuar si bashkëpunëtorë me okupatorët, si edhe ata mbi supet e të cilëve rëndonin njolla dhe faje ndaj atdheut. Kësaj vije demarkacioni ai i mbeti besnik edhe në politikë, edhe në jetë, gjë që tregonte qartë moralin politik, pastërtinë dhe patriotizmin e tij të kulluar.

Gjithashtu, ky kriter rrëzonte sërish hipotezën komuniste se M. Frashëri ishte kriminel lufte dhe kolaboracionist, përndryshe nuk do të zgjidhej nga aleatët anglo-amerikanë për të kryesuar qeverinë në mërgim, si edhe ai vetë nuk do të vendoste ato kritere përjashtimi për ata që kishin bërë krime apo që kishin bashkëpunuar me fashistët.

Kështu, nuk mundën të bëheshin pjesë e komitetit disa krerë të Bllokut Indipendent apo të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që ishin komprometuar me pushtuesit, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur, Mid’hat Frashëri zgjodhi elementët më të vlefshëm dhe më të pastër, me pëlqimin e Aleatëve, dhe si përfaqësues të Kosovës Said Kryeziun. Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e lirë”, ishte tejet kuptimplotë.

Mid’hat Frashëri me Komitetin “Shqipëria e lirë”

Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratik sipas modeleve më të përparuara perëndimore. Në programin e Komitetit theksohej se liria e Shqipërisë duhej të plotësohej me lirinë e shqiptarëve.

Prandaj, as lirim për të përgatitur diktatura personash a partish, as demokraci për t’u tallur me vullnetin e popullit e për të përfituar nga vota e tij! Liria dhe demokracia, sipas programit të Komitetit “Shqipëri e Lirë”, do të arriheshin e do të bëheshin të plota kur populli shqiptar i çliruar nga shtypja e mjerimi do të zgjidhte me votën e lirë regjimin dhe përfaqësuesit e tij legjitimë, një qeveri demokratike që do t’i garantonte konkretisht liritë politike e të drejtat njerëzore, pa pranuar më diktate e aventura.

Në Francë, opinioni zyrtar dhe shumica e shtypit e përshëndetën Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Gazeta “The Christian Science Monitor” shkruante: “Sipas lajmeve të besueshme, në Paris u themelua Komiteti Kombëtar ‘Shqipëria e Lirë’, i cili do të ketë selinë në Shtetet e Bashkuara.

Qëllimi i tij do të jetë përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare, të cilat dëshirojnë vendosjen e një qeverie, e cila respekton të drejtat dhe liritë e shtetasve të vet. Në këtë Komitet përfshihen personalitete të shquara shqiptare, në sferën shoqërore dhe politike dhe do të ketë selinë e vet në Neë York. Fakti që selia e këtij Komiteti të porsaformuar të jetë në Shtetet e Bashkuara, lë të kuptohet se Ministria Jashtme Amerikane e mbështet këtë përpjekje. Mit’hat Frashëri, udhëheqësi i këtij grupi, pritet të arrijë së shpejti në Amerikë.

Mandej, anëtarët e Komitetit u nisën për në Londër. Sir Robert Hodgson shkruante: “…Porsa hyri në luftë Rusia, puna e Ballit Kombëtar u bë edhe më e vështirë, nënshtrimin e Shqipërisë nën influencën komuniste nuk mund ta ndalonte dhe mënyra më e mirë për t’i bërë ballë gjendjes ishte të futej në punë plani i Mid’hat Frashërit për krijimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Nga Radio Londra, Presidenti i parë i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ai u drejtoi më 6.9.1949 të gjithë shqiptarëve një mesazh historik, me të cilin zbulonte dramën e popullit shqiptar nën sundimin tiranik të qeverisë komuniste të Tiranës, satelite e Rusisë staliniste, si edhe shpaloste programin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”. “Raca shqiptare, ajo racë që vuan, por që edhe ndien, që ofshan, por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi zuri të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun dhe fatkeqësinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë, po i çelte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj.

Bash për të ndihmuar këtë zgjim të popullit dhe për të shpejtuar forcimin e ndërgjegjes së tij, është formuar Komiteti “Shqipnija e Lirë”. Vija e jonë do të jetë kurdoherë vijë e drejtë. Programi i ynë është të fitojmë independencën dhe të sigurojmë integritetin e vendit tonë…” Siç dihet tanimë, pushteti komunist urdhëroi të fikeshin dritat në të gjithë Shqipërinë, që të mos dëgjohej fjalimi i Mid’hat Frashërit, i transmetuar nga BBC.

Nga Anglia ai shkoi në SHBA, në Nju Jork, ku komiteti do të kishte selinë e përhershme, si edhe një mbështetje më të madhe të qeverisë amerikane dhe të lobit shqiptar atje. Kryetari i Komitetit, M. Frashëri, dhe anëtarët e tij, A. Kupi, S. Kryeziu, Z. Pali dhe N. Kota u pritën nga Kryetari i Komitetit “Europa e Lirë”, (themeluar më 1 qershor 1949), Joseph Greë dhe më pas edhe nga zëvendësndihmës i Shtetit Amerikan, Levling Thomson.

“Ishte një nder i madh dhe ne ishim shumë të kënaqur, meqenëse askush nuk na kishte ftuar në Foreign Office, kur ishim në Londër, – shkruante Said Kryeziu, – duhet ta kuptonit gjendjen tonë. Ishim njerëz të humbur dhe të braktisur, disa prej nesh të sapodalë nga kampet e refugjatëve. E ngriti shumë moralin tonë pritja prej një përfaqësuesi të Qeverisë Amerikane. Kjo na jepte të kuptonin se do të bëhej diçka për të çliruar vendin tonë”.

Në një pritje në Ëashington për nder të Komitetit “Shqipëria e lirë”, ku ndodheshin personalitete të larta amerikane dhe të organizatës “Evropa e lirë”, Mid’hat Frashëri në fjalën e tij, ndër të tjera tha: “Shpresojmë që t’i japim zemër popullit shqiptar në rezistencën e tij kundër tiranisë së egër komuniste dhe të ndihmojmë për të organizuar shqiptarët jashtë Shqipërisë, që ajo të ketë ndihmën e tyre të plotë në këtë luftë.

Populli në Shqipëri duhet ta dijë se kundërshtimi i shtypjes komuniste është i përbotshëm dhe se fuqia e kombeve të lirë, si dhe forca e institucioneve ndërkombëtare po shtohet dita-ditës”.

Mirëpo, ndodhi fatkeqësia e papritur.

Më 3 tetor 1949, ora 9:25, në hotelin “Winthrop” të New Yorkut, Mid’hat Frashëri vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në ato çaste dhe sipas ekspertizës mjeko-ligjore, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit.

Ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo gazit nëpërmjet agjentëve të KGB-së). Kim Philby, agjent i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur ishte shpallur Komiteti “Shqipëria e lirë”, ndërkohë që ishte nisur në atë kohë për në SHBA, mendohet se mund të ketë vepruar bashkë me agjentët e fshehtë të KGB-së, mbi Mid’hat Frashërin për ta asgjësuar, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes, si Stefan Bandera, Lev Rebet, Georg Markov.

Në mbështetje të këtij varianti është edhe shqetësimi i madh i qeverisë komuniste të Tiranës për themelimin e veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e lirë” dhe të Mid’hat Frashërit. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë shkruhet: “Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin…

Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona aktive ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Mid’hat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto duhen bërë sa më parë”( dokumenti i Arkivit të Ministrisë se Jashtme nr. 13-199, Rezervate, viti 1949).

Masat që mori Sigurimi i shtetit Shqiptar ishte në radhë të parë bashkëpunimi me KGB-në sovjetike, që kishte forcë të vepronte edhe ne SHBA. Mendohet se me ndërmjetësinë e Kim Filbin qe ishte emëruar titullar në ambasadën britanike në SHBA dhe të agjentëve rusë në SHBA, u bë e mundur zhdukja fizike e M.Frashërit, që ishte shpallur person i rëndësishëm nën mbrojtjen e shtetit amerikan ( Kohët e fundit ka nisur edhe një hetim i shtetit amerikan për vdekjen e dyshuar të Mid’at Frashërit).

Trupi i Mid’hat Frashërit u varros me nderime në varrezat Femchff në Neë York, ku e ka edhe sot varrin. Një varr i thjeshtë, i sheshtë e në mes të barit, me mbishkrimin e vetëm: “Mid’hat Abdyl Frashëri- 1880- 1949″. Fjalën e lamtumirës e mbajti Nuçi Kotta në emër të Komitetit “Shqipëria e lirë”. Bënë homazhe personalitete të SHBA-ve dhe të organizatës “Evropa e Lirë”.

Vdekja e Mid’hatit ishte një goditje e rëndë për kombin dhe kulturën shqiptare. Një nga njerëzit e shquar të kulturës, që e përjetoi me dhimbje ishte edhe albanologu Zef Valentini. Në letrën që i dërgonte studiuesit dhe publicistit të njohur Tajar Zavalani, më 30 tetor 1949, i shkruante se Mid’hati qëndronte më lart se Faik Konica për nga kultura historike, ndjesia e traditave, drejtpeshimi filozofik:

“Q’me kohë mora prej miqvet shqiptarë të këtushëm lajmin e idhtë të largimit të Midhatit. Mjerisht sot Shqipnija nuk ka nji shtyp qi të jetë zani i saj e qi të mundet me kujtue meritimet e këti njeriu, i cilli pa dyshim për këdo – mik a anmik politik të të ndjerit – ka përfaqësue gjithmonë e pothue vetun një ide: atë të sjelljes politike, jo mbas drejtimit të tjetërkuj, qoftë edhe të shumicës, por vetëm të mbushmendjes së vet, e prandaj të ndërgjegjes.

E këtë, me një shpirt krenarije të pajustifikueme prei kompetencës kulturale, por me një drejtim qi, kur e mendoj, më kujton typin e “klerikut” I. Benda, qi kurr nuk e ka tradhtue shpirtin, por n’atë kullën e vet të fildishit, edhe kundra çdo interese praktike, personale, të përkohshme, gjithnji thotë fjalën e së vërtetës e të shpirtit. Njij mendje këtu me Faik Konicën, por me nji thellsi ma të madhe, masi kultura historike, ndjesija e traditavet, drejtpeshimi filosofik e qindresa ndër mendime qe ma e madhe në Mid’hatin sesa në Faikun”.

Është e habitshme që lajmi i vdekjes së Mid’hat Frashërit arriti së pari, ndofta në mënyrë të nëndheshme, në burgun e Burrelit, ku ishin mbyllur mjaft nga bashkëpunëtorët dhe ithtarët e tij. Një ndër ta, poeti Kudret Kokoshi, krijoi me mend dhe ua kumtoi të burgosurve politikë një sonet, jo me tingëllime elegjiake apo mortore, por me nota optimiste dhe përjetësie:

Në dhé të huaj larg Shqipes me gjak lagur,
Që Ti me ankth kaq shum’ e dashurove,
Në dhé të largët prej fatit i përflakur,
Atdheut të vuajtur jetën i dhurove.

Baba i kombit, ndër beteja plakur,
Ti zemrat tona me ideal i ngrohe
Rrugës së jetës sonë të përgjakur,
Në terr, Promethe, ti na ndriçove!

Ndër male e fusha nga veriu në lindje,
Gjëmon jehona e thirrjes shpëtimtare:
Vrapo, vrapo Shqipëri për në Rilindje,
Vrapo nën dhé, se na prin Mid’hati!

Falanga e kombit po vërshon me bindje,
me idet’e Lumos, pa u trembur fare.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura