Ilir Kupa: S’jam “babagjysh”, publikohen videot e grabitjeve

Dec 24, 2014 | 8:58
SHPËRNDAJE

Ilir Kupa në Gjykatë

UPDATE – Ilir Kupa mohoi dje në Gjykatën për Krimet e Rënda akuzat për përfshirjen e tij në “bandën e babagjyshëve”.

I paraqitur në Gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, caktuar në mungesë ndaj tij, Kupa nuk e ka pranuar akuzën. Përmes avokatit të tij, Lazer Sokolaj, Kupa ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me grabitjet e kryera nga të akuzuarit për 13 grabitje me armë. “Klienti i përfaqësuar prej meje nuk është pjesë e ‘babagjyshëve’.

E vetmja vepër penale e konsumuar prej tij është ajo e ‘armëmbajtjes pa leje’ për të cilën është duke vuajtur një dënim të caktuar nga gjykata”, është shprehur avokati. Ndërkohë, sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, dyshohet se Ilir Kupa ka qenë organizatori i bandës kriminale që ka shënuar grabitje me armë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Emri i tij është lakuar nga i arrestuari Agustin Sula, i arrestuar si një nga anëtarët e bandës. Sula ka rrëfyer para prokurorëve, se e kishte njohur Kupën në Greqi dhe në vitin 2013 në bashkëpunim dhe me persona të tjerë ata kanë kryer disa grabitje. Ditën e djeshme janë bërë publike ndërkaq edhe disa pamje nga kamerat e sigurisë në bizneset e grabitura prej “bandës së babagjyshëve”. Në pamje duket ngjarja e ndodhur më datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, ku tre anëtarë të grupit kanë vjedhur me armë dyqanin-argjendari në pronësi të shtetasit A.B.

Nga videoja duket momenti kur autorët shkojnë me një makinë “Benz” dhe ndalojnë para argjendarisë dhe më pas hyjnë aty e marrin mallin teksa kërcënojnë me armë pronarin e dyqanit. Ky i fundit njofton policinë vetëm pasi grabitësit kanë ikur. Pamjet përmbajnë edhe ngjarjen e ndodhur në Fushë-Krujë, në një tjetër grabitje argjendarie në datën 25.11.2013, rreth orës 13:45.

Gjatë kësaj grabitjeje në qytetin e Fushë-Krujës, katër anëtarë të grupit kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P.B. Në video duket edhe grabitja e zyrave të “Xhoi Loto” në Tiranë në vitin 2014, ku autorët e krimit kanë hyrë të veshur e të maskuar si policë dhe kanë marrë shumat e parave, duke kërcënuar punonjësit. Videot tregojnë se në të tri rastet, autorët e grabitjeve kanë vepruar krejt qetësisht pa frikën e policisë apo të pronarëve të bizneseve. Ata në rastin e grabitjes së zyrave të “Xhoi Loto” kanë përdorur një makinë në të cilën kishin simbole të dukshme të Policisë së Shtetit

 

“Banda e babagjyshave”, shpallet në kërkim anëtari i 10

UPDATE/  Identifikohet dhe shpallet në kërkim anëtari i dhjetë i “bandës së babagjyshëve”, të akuzuar për 13 grabitje me armë në disa qytete të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk është mjaftuar me arrestimet e para, por ka vazhduar hetimet duke zbardhur gjatë gjithë ditëve të fundit anëtarë të tjerë të grupit, por edhe episode kriminale të pazbardhura më parë. Bazuar në provat e mbledhura javën e fundit, prokuroria dhe policia kanë zbardhur edhe emrin e anëtarit të radhës të identifikuar si anëtar i “bandës së babagjyshëve”.

Mësohet se 26-vjeçari Mark Shpendi është shpallur në kërkim si anëtar i dyshuar i bandës, që ka realizuar disa vjedhje spektakolare, përfshi edhe atë të 24 dhjetorit 2013 në qendrën tregtare TEG. Ndërkohë, ditën e djeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dokumentuar grabitjen e koncesionarit të “Benzit”, nga “banda e babagjyshëve” në shkurt 2014. Sipas Prokurorisë, autorët e kësaj grabitjeje kanë qenë të dyshuarit Edmond Selala dhe Agustin Sula. Referuar provave të zbuluara mësohet se dy personat që grabitën koncesionarin e “Benz”-it, kanë qenë të veshur si policë në momentin kur kanë kryer grabitjen.

Ata kanë arritur të marrin 100 mijë lekë të rinj dhe gjatë daljes nga zyrat ku grabitën paratë, kanë lënduar rojën e objektit, që është përpjekur t’i pengojë. Ditën e djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka njoftuar akuzën dhe masën e re të arrestit edhe 29-vjeçarit Ilir Kupa, i akuzuar si anëtar i “bandës së babagjyshëve”. Javën e kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tre personave të akuzuar si anëtarë të bandës, që dyshohet se ka kryer së paku 13 grabitje me armë gjatë vitit të fundit. Krahas arrestimit të tre të dyshuarve, organi i akuzës shpalli në kërkim edhe gjashtë shtetas të tjerë. Njëri nga të arrestuarit, Agustin Sula, ka pranuar akuzën para prokurorit Besnik Muçi, duke treguar në detaje krimet e kryera nga anëtarët e “bandës së babagjyshëve”. Ky i arrestuar mësohet se ka nisur t’u nënshtrohet procedurave të bashkëpunëtorit të drejtësisë për shkak të deklarimeve të dhëna që kanë ndihmuar hetimin

 

 

Masat e sigurisë, ‘arrest me burg’ të ndaluarve  
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur te shtunen masën e sigurisë  për të arrestuarit si pjesë e “bandës së babagjyshëve”, nje prej te cileve u arrestua ate dite.

Në seancën me dyer të mbyllura, gjykata caktoi fillimisht masën ‘arrest me burg’ për Agustin Sulën, njerin prej te arrestuarve.

Gjykata ben me dije se me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, ditën e Shtunë (dt. 20.12.2014), ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 persona, të cilët bashkë me disa të tjerë, dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në vjedhje me armë, të njohur publikisht si grupi i “Babagjyshëve”. 

Eshtë vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit:

1.   Agustin Sula

2.   Julian (Enea) Qerrushi

3.   Hajdar Sefa

4.   Edmond Selala (ndaluar ditën e Shtunë, dt. 20.12.2014)

Ndërkohë që gjykata pritet të shqyrtojë të dielën masat e sigurisë, të kërkuara nga Prokuroria për Krime të Rënda për disa persona të tjerë, të cilët dyshohen si pjesëtarë të këtij grupi kriminal, ndër të tjerë, edhe për shtetasin Ilir Kupa, i cili aktualisht gjenden në burg.

‘Panorama’ shkruante për zbulimin e anëtarëve të rinj të “bandës së babagjyshëve”, grupit kriminal të akuzuar për 13 grabitje me armë në periudhën 2013-2014.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhra arresti për gjashtë persona të akuzuar si pjesë të grupit. Dy prej të dyshuarve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë identifikuar gjatë dy ditëve të fundit, gjatë hetimeve të kryera nga prokurori i çështjes Besnik Muçi.

Ditën e djeshme, Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për caktimin e masave të sigurisë ndaj tre personave të arrestuar ditët e fundit. Organi i akuzës ka kërkuar caktim mase të re sigurie edhe për Ilir Kupën, i arrestuar për armëmbajtje pa leje në janar 2014.

Te akuzuarit 
Ilir Kupa 28 vjeç, i arrestuar
Fatmir Pjetri 28 vjeç, në kërkim
Dritan Kola 36 vjeç, në kërkim
Hajdar Sefa 30 vjeç, i arrestuar
Julian Qerishta 29 vjeç, i arrestuar
Agustin Sula 25 vjeç, i arrestuar
Miljan Elezi i vrarë
4 persona të tjerë në kërkim

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura