Zbulimi i rrallë, del në dritë varri i kalorësit

Feb 23, 2015 | 16:21
SHPËRNDAJE

Guri i varrit të kalorësit Shtjefën Zeza

Një gurë varri unik që i përket kalorësit Shtjefën Zeza ose “Teta i Zi” dhe që daton në vitin 1602, është zbuluar në Blinisht të Lezhës. Deshifrimi i mbishkrimit latin dëshmon për një artefakt të rrallë. Guri në fjalë është zbuluar gjatë pastrimit që kishte ndërmarrë sektori i Monumenteve në Kishën e Shën Shjefnit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg. Ky artefakt rezultonte i zhdukur dhe askush nuk e dinte se një objekt me një rëndësi të veçantë ndodhej në këtë zonë. Fillimisht sektori i Monumenteve në Lezhë ka bërë të mundur pastrimin e zonës përreth, ndërmarrë nga përgjegjësi specialist Paulin Zefi.

Më pas është bërë deshifrimi i “epitafit” ose mbishkrimit që rezultoi se i përkiste një kalorësi arbër nga krerët kryesorë të Zadrimës në Lezhë, i cili u vra në betejën me pushtuesit osmanë. Mbi këtë gur në gjuhën latine shkruhej “Ti besimtar, ndalu te varri i martirit Teta i Zi, i larguar nga kjo jetë, që tani prehet këtu, hero i famshëm që jetoi dhe dha gjakun e tij në ruajtjen e fesë së Krishtit”.

Përgjegjësi i Monumenteve të Kulturës në Lezhë, Paulin Zefi, pas deshifrimit ka hulumtuar nëpër burime historike të ndryshme, duke nxjerrë në dritë detaje nga jeta e këtij kalorësi, i cili ka një histori në zonën e Zadrimës dhe në rang kombëtar. Tetë(Shtjefën) Zeza shfaqet në histori si një nga dy krerët kryesorë të Zadrimës. Ishte kalorës shumë i njohur i kohës dhe emri i tij shfaqet në burimet historike, si dokumente nga Kuvendi i Madh i Dukagjinit (15 dhjetor 1601 – 15 shkurt 1602), që ishte Kuvendi i dytë pas atij që u organizua në fshatin Lis të krahinës së Matit. “Referencat i kam marrë nga punimet shkencore të prof.Injac Zamputi.

Dokumente të shek. XVI e shek.XVII për historinë e Shqipërisë. I përndrituri imzot Peshkop i Sapës, Nikollë Bardhi, Teta i Zi(Tetta Issi), Lekë Kola e krerë të tjerë, bënin pjesë te 56 krerët kryesorë që nënshkruan vendimet e Kuvendit të Madh të Dukagjinit. Kalorësi dhe luftëtari i famshëm i kohës, Teta Zeza ose Shtefi i Zi, zotërues i fshatit Kakarriq të Lezhës, u vra në luftë me osmanët dhe trupi i tij u varros pranë Kishës mesjetare të Shën Shtjefnit në Blinisht të Zadrimës, që ndodhet shumë afër Kakarriqit, në bregun lindor të lumit Drin, i cili ndan këto dy fshatra. Ky kalorës është përfaqësues i fisit të madh “Buzëzezi”, që dalin në shek.XIII si fisi më i madh në Zadrimë, Lezhë e Shkodër, të shpërndarë në shumë degëzime.

Ata sundonin Zadrimën, kullotat dimërore i kishin në malin e Shëngjinit e kullotat verore në bjeshkët e Tërbunit në Malësinë e Pukës. Roli i tyre ra pas fuqizimit të familjeve feudale Blinishti, Spani, Jonima, Dushmani, Zaharia dhe Dukagjini, të cilit iu përvetësuan pronat me forcën e armëve”, tregon Paulin Zefi. Ky zbulim i një rëndësie të veçantë tregon edhe një herë se zona e Lezhës është thesar i vërtetë arkeologjik, por që ende nuk po merr rëndësinë e duhur. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura