Zbardhet vendimi/ Pse u zgjat hetimi për Saimir Tahirin, prokuroria: Nga Italia po presim…

Oct 16, 2018 | 8:37
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur këtë të hënë që të zgjasë hetimet edhe me tre muaj për ishministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Saimir Tahiri

Ky i fundit është nën hetim që prej vitit të shkuar për lidhjet e tij me aktivitetin e paligjshëm të Moisi Habilajt. Zgjatja e hetimeve për dosjen “Tahiri” vjen për të tretën herë, teksa kujtojmë se regjistrimi i procedimit mban datën 17 tetor 2017.

Në këtë mënyrë, hetimet për ish-ministrin e Brendshëm zgjaten edhe me tre muaj. Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vendimin e saj, të siguruar edhe nga “Panorama”, rendit edhe arsyet e zgjatjes së këtij afati.

Sipas vendimit, Prokuroria kërkon kohë që të verifikojë disa fakte të administruara nga një letërporosi e ardhur nga Mali i Zi, si edhe ka nevojë për më shumë kohë për hetimet pasurore.

“Meqenëse afati hetimor mbaron më datën 17.10.2018, është e nevojshme zgjatja e afatit hetimor për tre muaj për të realizuar dhe disa veprime të tjera hetimore si: Administrimi i përgjigjes së një kërkese për ndihmë juridike dërguar në Republikën e Italisë, kryerja e disa verifikimeve të tjera mbi një letërporosi të administruar nga Republika e Malit të Zi dhe kryerja e verifikimeve pasurore”, shkruhet në vendim.

Aktualisht, ish-ministri i Brendshëm gjendet i lirë, pa asnjë masë sigurie, pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, më 28 maj të këtij viti, shfuqizoi vendimin e Shkallës së Parë, për vendosjen në “arrest shtëpie” të ish-ministrit. Për këtë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

 

fax

VENDIMI

Në vendimin për zgjatjen e afateve të hetimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda shkruan se ajo po zhvillon ende hetime për Tahirin dhe bashkëpunëtorë të mundshëm të tij. “Në lidhje me këtë çështje janë nën hetim edhe subjekte të tjera të dyshuara si bashkëpunëtorë të personit nën hetim, Saimir Tahiri.

Në lidhje me këto fakte penale dhe subjekte të tjera të dyshuara si të përfshira, Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe persona të tjerë nga Prokuroria për Krime të Rënda, është zhvilluar hetimi në rang të procedimeve penale nr. 134, të vitit 2016 dhe 164 të vitit 2017”, shkruhet në dosje. Gjithashtu, Prokuroria pret që të marrë përgjigje nga Italia për disa letërporosi të tjera, si edhe të verifikojë përgjigjet nga Mali i Zi, për lëvizjet e Tahirit në vitin 2014 dhe 2015.

Prokuroria konsideron edhe si provë të fortë gjetjen e 863 mijë eurove në mjetin e biznesmenit Orest Sota, së bashku me dy patentat detare të Tahirit. Sipas Prokurorisë, ka dyshime se paratë e gjetura në mjetin e Sotës janë të Tahirit.

Prokuroria e mbështet këtë dyshim me faktin se Sota dhe Tahiri kanë disa udhëtime së bashku jashtë vendit, që provon se kanë pasur miqësi dhe lidhje të ngushtë. Bëhet fjalë për udhëtime në Malin e Zi dhe në Itali.

Hetimi pasuror për Tahirin nuk ka zbuluar asgjë të paligjshme

Ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar me dhjetëra objekte dhe pasuri të Habilajve në Vlorë dhe qytete të tjera, hetimi pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duket se nuk ka sjellë asnjë rezultat.

Pasuritë e ish-ministrit dhe të familjarëve të tij janë plotësisht të justifikueshme dhe nuk ka asgjë të dyshimtë. Prokuroria tashmë është fokusuar te asetet e fshehta, duke qenë se ish-ministri Tahiri ka përdorur një skaf për udhëtime në Greqi, që nuk figuronte i regjistruar në emrin e tij. Gjithashtu, priten të dhëna nga Italia për dëshminë e një të arrestuari të grupit të Habilajve.

Po ashtu, priten edhe të bëhen disa verifikime mbi lëvizjet e Tahirit në Malin e Zi në disa raste me biznesmenin Orest Sota, në mjetin e të cilit Policia gjeti vitin e shkuar 863 mijë euro të dyshimta, së bashku me dy patenta detare në emër të ish-ministrit të Brendshëm. Nga sistemi TIMS ka rezultuar se Tahiri ka lëvizur shpesh jashtë vendit me mjetet e Sotës dhe anasjelltas.

Zgjatja e fundit e afateve tremujore të hetimit për ish-ministrin kulmon edhe me mbushjen e vitit, që kurse ai u vu nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Mirëpo, që nga ajo kohë e deri më tani, duket se pozitat e ish-deputetit të PS-së janë lehtësuar.

PANORAMA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura