Zbardhet vendimi/ Pse u shkarkua Bashkim Dedja, ka pasuri më shumë sesa…

Feb 22, 2019 | 19:39
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ “Nuk ka deklaruar plotësisht pasurinë në përdorim dhe ka në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë”, argumenton kështu Kolegji i Posaçëm i Apelimit në vendimin për shkarkimin e drejtuesit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

bashkim-dedja_1507026710-5357079-770x395

Disa muaj më parë, KPAja rrëzoi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë, duke larguar Dedjan nga sistemi, ndërsa shumë nga justifikimet e pranuara prej këtyre të fundit, Apeli i ka rrëzuar plotësisht. Së pari, Kolegji në vendim arsyeton se deklarimet e gjyqtarit si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë huat e marra nga vëllai dhe një person tjetër, të cilët kishin krijuar të ardhura nga emigracioni, nuk mund të pranohen. Kjo, pasi përpos faktit të deklarimit si të ardhura nga emigracioni, gjyqtari duhet t’i vërtetonte me dokumente këto të ardhura.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Apelimit vlerëson që, pavarësisht se njihen botërisht prurjet e emigrantëve në ekonominë shqiptare, në formën e remitancave, të njohura edhe nëpërmjet akteve publike, ato mund të merren në konsideratë në gjykim nëse ka prova të mjaftueshme”, shkruhet në vendim. Kujtojmë se një pjesë e subjekteve, prokurorë dhe gjyqtarë, gjatë procesit deklarojnë të ardhurat nga emigracioni si burime për pasuritë e tyre.

Së dyti, për Kolegjin, vetë Dedja nuk ka pasur aftësi paguese për apartamentin në Tiranë.

“Paaftësia paguese e subjektit të rivlerësimit qëndron që në pagimin e vetë këstit të parë, duke ngritur pamundësinë e justifikimit të burimit për të paguar të gjitha këstet. Nga analiza financiare e kryer nga trupi gjykues, u arrit në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, për pagimin e këstit të parë kishte një diferencë të pambuluar me të ardhura të ligjshme në shumën prej 68,117 lekësh”, shkruhet në vendim.

Së treti, për Kolegjin, rezulton se Dedja nuk ka deklaruar përdorimin e apartamentit në Kavajë, që sipas tij, ishte i të vëllait. Gjyqtari gjatë seancës u shpreh se nuk e kishte fshehur përdorimin e apartamentit dhe se fakti që në emrin e tij ishte kontrata me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ishte bërë për të ndihmuar vëllain në shlyerjen e detyrimeve. Arsyetime, të cilat Kolegji i ka hedhur poshtë, ndërsa i konsideron si të papajtueshme dhe në kundërshtim të fakteve.

“Qëndrimet e subjektit të rivlerësimit për këtë marrëdhënie janë të ndryshme, të papajtueshme, në kundërshtim të hapur me faktet evidente në dosje, duke mohuar një fakt flagrant të ekzistencës së një marrëdhënieje kontraktuale midis subjektit të rivlerësimit dhe furnizuesit me energji elektrike OSHEE”, argumentohet në vendim.

Së katërti, Komisioneri Publik, në ankimin e bërë vuri në dukje se gjyqtari kishte mungesë të burimeve financiare për 5 vite, nga 2010 deri në 2015. Për këtë fakt, gjyqtari në seancën e zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u shpreh se nuk ishte vënë më parë në dijeni të këtij fakti. Nga ana tjetër, KPA-ja vlerësoi se Dedja ishte në dijeni dhe duhet të kishte paraqitur dokumente provuese për të kundërtën.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura