Zbardhet vendimi/ Mark Frroku kërkoi azil në Belgjikë para marsit 1999

Mar 17, 2016 | 1:00
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti Mark Frroku, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së Aleksandër Kurtit në mars 1999 në Bruksel, Belgjikë, ka kërkuar azil politik në këtë vend para ngjarjes.

Mark Frroku në Gjykatën e Lartë
Mark Frroku në Gjykatën e Lartë

Fakti zbulohet në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Lartë, që shpalli moskompetencë në gjykimin e tij dhe ia kaloi dosjen Gjykatës së Tiranës. Duke iu referuar hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, gjykata pohon se viktima Kurti kishte rënë në dashuri me një shtetase që “punonte si prostitutë rruge nën mbikëqyrjen e tutorit Mark Frroku dhe vëllezërve të tij”.

“Autorët e ngjarjes, të cilët jetonin në Belgjikë si kërkues të azilit politik duke përdorur emra kosovarë, janë larguar menjëherë pas kryerjes së vrasjes jashtë Belgjikës”, thuhej në vendim.

DENIMI PER DROGE

Në vendimin e Kolegjit Penal të datës 3 mars 2016, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, hidhet dritë dhe mbi dënimin e Frrokut me 3 vjet burg nga drejtësia e Holandës, në 2002, për trafik të narkotikëve.

Sipas Prokurorisë, veprimtaritë e paligjshme në të cilat dyshohet të jetë përfshirë ish-deputeti, janë burimi i pasurisë prej gati 2 milionë dollarësh të tij. Nga hetimi ka rezultuar se nga viti 1998 deri në vitin 2007, Mark Frroku ka krijuar pasuri në vlerën 73.8 milionë lekë. Në vijim, nga vitit 2008 deri në vitin 2013 ka krijuar pasuri në vlerën 135.7 milionë lekë. Prokuroria e Përgjithshme pretendon se këto pasuri nuk justifikohen nga burime financiare të njohura.

“Për rrjedhojë nga viti 1998, kohë kur shtetasi Mark Frroku ka kërkuar azil politik në Belgjikë dhe deri në vitin 2013 kur ka bërë deklarim pranë ILDKPKI para fillimit të detyrës si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se ka krijuar një pasuri prej 209.627.218 lekësh me burime të panjohura.

Nga hetimet ka rezultuar se shuma e mësipërme nuk është krijuar nga të ardhurat e shoqërive tregtare në pronësi të shtetasit Mark Frroku, por rezulton se është produkt i veprimtarive te paligjshme kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit në Belgjikë dhe trafikimit të lëndëve narkotike sipas vendimit datë 04.12.2002 të Gjykatës së Amsterdamit/ Holandë, me të cilin shtetasi Mark Frroku është dënuar me tre vjet heqje lirie, për veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike”, citohej dosja hetimore në vendimin e Gjykatës.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura