Zbardhet vendimi i qeverisë/ Miratohet bonusi, ja sa do paguhen mjekët që do transferohen në rrethe

Jan 22, 2020 | 19:28
SHPËRNDAJE

Qeveria ka miratuar bonusin për pagesën ekstra, që do të marrin mjekët që do të transferohen në spitalet e rajoneve të tjera.

Foto Ilustruese
Foto Ilustruese

Në vendimin e qeverisë bëhet e ditur se për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, mjekët e specialiteteve të ndryshme, që do të transferohen, përveç pagës, do të trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj.

“Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar”, shkruhet ndër të tjera në vendimin e qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura