Zbardhet vendimi i qeverisë/ Edhe me mesatare 6.5 në fakultet mësuesie, por nuk bëheni dot mësues! Degët ku mund të aplikoni

May 27, 2022 | 11:58
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Janë dhjetëra degë, kryesisht në universitetet e rretheve, që diskutohen çdo vit për t’u mbyllur për shkak se mezi plotësojnë kuotën prej dhjetë studentësh, si kusht për të qëndruar hapur si profile studimi.

fakultet filologjik

Arsyeja kryesore që i vë çdo vit përballë rrezikut është filtri i notës mesatare 7.5 për maturantët, si kusht për të aplikuar në degët e fakulteteve të mësuesisë. Në fakt, jo të gjithë aspirojnë të dalin mësues, mund të jenë përkthyes, redaktorë letrarë, kimistë e shumëçka tjetër.

Për të mos lënë auditorët bosh dhe për t’iu ofruar një mundësi maturantëve të nivelit nën mesatar, qeveria ka vendosur të ulë në kufij minimalë mesataren e aplikimeve në fakultetet e mësuesisë për ata që nuk duan të jenë të tillë në të ardhmen. Pra, një maturant me mesatare nga 6.5-7.5 që dëshiron të jetë një biolog, mund të aplikojë e të pranohet në profilin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por kurrsesi nuk mund të ushtrojë profesionin e mësuesit.

Duke u pajisur me një numër të veçantë matrikullimi, ai nuk do të lejohet as të kryejë master profesional në atë degë, por vetëm shkencor. Ky është mekanizmi që ka gjetur qeveria pas kontestimeve të ardhura nga institucionet e arsimit të lartë lidhur me notën mesatare për degët e mësuesisë.

MINISTRJA

Në vitin 2017, me reformën e mësuesisë që synonte që më të mirët të bëheshin mësues, të gjithë maturantët që vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë mesataren e gjimnazit mbi 7.5. Me vendimin e ri të marrë një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, për ata që do të marrin drejtim tjetër veç mësuesisë, mesatarja në fuqi nuk do të jetë e vlefshme për ta. Por zgjedhja duhet të peshohet mirë që në krye të herës, pasi do të ndalohen kategorikisht më tej të vijojnë një master mësuesie.

Vendimin e deklaroi për mediat ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në përfundim të mbledhjes, duke komunikuar mënyrën se si do të procedohet me këta studentë që marrin një profesion.

“Me vendimin e sotëm, ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi, por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera”, nënvizon Kushi teksa shton se ndryshimi është dakordësuar me universitetet, të cilat presin këtë vit numër më të lartë në auditorë. Heqja e mesatares pritet të reflektohet këtë vit në auditorë, pasi regjistrimet në këto degë – pranohet edhe nga MAS – kanë qenë shumë të ulëta për shkak të këtij kufizimi.

DEGËT

Numërohen plot 82 programe studimi, të miratuara me VKM nr. 436, datë 3.6.2020, ku përcaktohet nota mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë e të dytë, e cila është rritur në mënyrë progresive, jo menjëherë. Në tabelën përbri shkrimit janë të listuara të njëjtat programe, me përjashtim të atyre që kanë si synim të drejtpërdrejtë dhe e kanë të shkruar që në titull (p.sh. Mësuesi për arsimin parashkollor) për të cilat nuk do të aplikohet më kjo mesatare për të konkurruar për pranim në këto degë. Nga ana tjetër, MAS ngul këmbë fort që në mësuesi duhet të shkojnë më ekselentët.

“Sa u takon mësuesve, përsëri jemi shumë rigorozë dhe kërkojmë që mësues të bëhen më të mirët. Mësues do të vazhdojnë të jenë maturantët që kanë mesatare minimumi 7.5. Ndërkohë që në këto programe ne do t’i hapim edhe për të tjerët që duan të marrin profesione të tjera, por të studiojnë për gjuhë të huaj, për biokimi, matematikë, fizikë e të tjera”, nënvizon. Kësisoj, nota mesatare 6.5 e njëjtë për pranim në çdo lloj programi tjetër studimi, do të aplikohet edhe për degët e mësuesisë, nga të cilat nuk dalin mësues, por profesionistë të një fushe.

deget

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura