Zbardhet vendimi i Apelit Durrës, Fadil Kasemi kërkoi ulje dënimi “për hir të fëmijëve” pasi rrahu gjyqtaren

Sep 6, 2017 | 18:09
SHPËRNDAJE

“Panorama” zbardh vendimi i gjykatës së Apelit Durrës, që vulosi dënimin me tri vite burg për Fadil Kasemin, burrin e akuzuar për vrasjen e gjyqtares  Firdes Hafizi.

kasemi-473x2571-473x257Në seancën gjyqësore të mbajtur në gjykatën e Apelit Durrës, Fadil Kasemi ka kërkuar uljen e dënimit me argumentin se edhe pse i divorcuar, ka dy fëmijë të mitur që duhet ti mbajë.

“I pandehuri nuk rezulton të ketë qenë i dënuar më parë, është kryefamiljar pavarësisht se i divorcuar ka dy fëmijë të mitur, veprën penale e ka kryer në gjendje te dehur nga rrethana të rastit, fakte që nuk janë mbajtur parasysh nga gjykata e shkallës së parë duke caktuar një dënim shumë të rëndë jo në përputhje me rrezikshmërinë e autorit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës së Apelit Durrës.

Kjo e fundit, sipas dokumentit, vendosi: Lenien ne fuqi te vendimit penal nr. 12-2016-664 (76), date 28/04/2016 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Kavajë. Sipas gjykatës së Faktit  Kavajës, fadil Kasemië shtë dënuar me 3 vjet burg për dhunë në familje ndaj Fires Hafizit dhe për armëmbajtje pa leje në lidhje me epidosin e ndodhur në korrik 2015 në plazhin e Golemit ku gjyqtarja u dhunua ashpër nga ish-burri në prani të fëmijëve.

Gjykata shprehet më tej në vendim, se në individualizimin e masës së dënimit për të pandehurin rezulton që, gjykata ka mbajtur parasysh rrezikshmërinë e veprës dhe autorit si dhe ka vlerësuar drejt tërësinë e rrethanave lehtesuese ne rastin konkret si, qëndrimi e shfaqur prej tij (në gjykim) duke pranuar veprimet e kundërligjshme të kryera, faktin që i pandehuri nuk rezulton të ketë patur precedentë të mëparshëm penal, në përputhje me kërkesat e nenit 47 e vijues të K.Penal.

VENDIMI I GJYKATËS

GJYKATA E APELIT DURRËS

Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit, pasi dëgjoi të pandehurin dhe mbrojtësin e tij që kërkuan ndryshimin e vendimit, dhënien e  një mase më të butë dënimi prej dy vjetësh burgim, pasi dëgjoi prokurorin që kërkoi ndryshimin e vendimit, dënimin e të pandehurit për veprën  penale të parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal me 5 vjet burgim, për veprën penale të  parashikuar nga neni 130/a/4 të Kodit Penal dhe në bashkim të dënimeve e aplikim të nenit  406 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit me 5 vjet burgim,  pasi shqyrtoi e bisedoi në tërësi çështjen.

Vendimi penal Nr.12-2016-664(76), datë 28.04.2016 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë  është marrë në respektim të dipozitave proceduriale penale, rrjedhojë i zbatimit të drejtë të  ligjit penal dhe

si i tillë duhet lënë në fuqi në zbatim të nenit 428/a të Kodit të Proçedurës  Penale.

I pandehuri Fadil Kasemi është dëguar për gjykim nga organi i prokurorisë i akuzuar se, kakryer veprat penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” parashikuar nga neni 278/4 (i ndryshuar) i Kodit Penal, “Dhunës në familje” parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.

Mbi bazën e kërkesës së të pandehurit dhe mbrojtjes, gjykata e shkallës së parë ka proceduar me gjykim të shkurtuar në përputhje me kërkesat e nenit 403 e vijues të Kodit të  Proçedurës Penale që në thelb të tij pranon aktet e grumbulluara gjatë hetimit paraprak dhe  shmang marrjen e provave në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to.

Parashtrimi i faktit

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës më datë 20.07.2015, mbi bazën e materialeve të  referuara nga policia gjyqësore, ka regjistruar procedimin penal nr.240/2015 për veprat  penale të parashikuara nga nenet 278/4 (i ndryshuar), 130/a/4 i Kodit Penal në ngarkim të  shtetasit Fadil Kasemi.

Procedimi penal lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 19.07.2015, në Plazhin e Golemit/Kavajë në afërsi të hotel “Horizonti”. I pandehuri Fadil Kasemi dhe e dëmtuara Fildes Hafizi kanë qenë bashkëshortë dhe nga  martesa kanë dy fëmijë.

Martesa është zgjidhur me vendimin Nr. 3637 datë 04.05.2015 të  Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe fëmijët i janë lënë për rritje dhe edukim të  dëmtuarës Fildes.

Marrëdhëniet mes ish bashkëshortëve kanë qenë të acaruara si pasojë e të cilave, e dëmtuara Fildes Hafizi i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për lëshim të urdhërit të mbrojtjes,  procedurë gjyqësore që nuk ka vazhduar më tej për shkak të mosparaqitjes së të dëmtuarës duke u vendosur pushimi i gjykimit me vendimin Nr. 2782 datë 07.04.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Rezulton që, e dëmtuara Fildes të ketë paraqitur pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë edhe një kallëzim për ndjekje penale ndaj ish bashëshortit/të pandehurit Fadil Kasemi  për veprën penale të dhunës në familje, kallëzim për të cilin Prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal më datë 13.04.2015. Disa ditë para ngjarjes, shtetasja Fildes Hafizi kishte ardhur në plazh në Golem së bashku  me nënën dhe dy fëmijët, duke marrë një dhomë me qera.

Për lëvizjen e fëmijëve ajo ka  vënë në dijeni të pandehurin Fadil Kasemi (atin e tyre), ndërkohë që fëmijët kanë mbajtur  kontakte të vazhdueshme telefonike me babain e tyre. Ditën e ngjarjes, më 19.07.2015 rreth orës 16.00, e dëmtuara Fildes së bashku me djalin e saj Arlind Kasemi, ka dalë nga dhoma që kishte marrë me qera në plazhin e Golemit për të shkuar tek shezlonet në anë të detit, kur ka parë se drejt tyre po afrohej ish bashkëshorti i saj, i pandehuri Fadil Kasemi. I pandehuri kur ka konstatuar se e dëmtuara Fildes e ka parë, është afruar me vrap pa i lënë mundësi Fildesit që të largohet apo të fshihet. Sapo e ka arritur, i pandehuri Fadil ka tentuar të hapte një çante (marsupio) dhe të nxirrte diçka prej saj.

E dëmtuara Fildes duke dyshuar se ai donte të nxirrte armë, i është drejtuar duke iu lutur që të mos i linte femijët jetime si dhe ka tentuar t’i marrë çantën. Ndërkohë, i pandehuri ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë.

Ata janë përleshur fizikisht me njëri tjetrin e aty fillimisht ka nderhyrë djali i tyre Arlindi, i cili ka parë të atin të hapë çantën duke tentuar të nxjerrte prej andej një send, që ai e ka identifikuar pistoletë, por që nuk ka mundur ta nxirrte. Në këto momente, kanë ndërhyrë dhe persona të tjerë, pushues që ndodheshin aty.

E dëmtuara duke përfituar nga ndërhyrja e personave të tretë ka mundur t’ë marrë çantën që i kishte rënë në tokë (të pandehurit) dhe ka vrapuar drejt hotel “Horiozontit” ku ka kontaktuar me pronarin, shtetasin Saimir Gjuzi, i cili ka konstatuar se kjo shtetase kishte shenja dhune në fytyrë dhe po bërtiste: “Po më vret, po më vret” duke i  kërkuar ndihmë si dhe të njoftonte policinë.

Me të marrë njoftim për ngjarjen, policia ka mbërritur në vendngjarje ku i është dorëzuar nga e dëmtuara Fildes Hafizi çanta të cilën e kishte patur i pandehuri Fadil Kasemi Në çantë është gjetur e sekuestruar një armë zjarri pistoletë TT model 54 me Nr. 14044789  06 1967 me krehër të vendosur në të, nje telefon “Samsung” me Nr. SIM 0675112778 dhe  Nr. IMEI 356561069728625/2 dhe nje çelës veture tip BMË, sic pasqyrohet në proces verbalin e kqyrjes marrjes dhe sekuestrimit të provës materiale datë 19.07.2015, sekuestro që është vletftësuar e ligjshme nga prokurori me vendimin datë 20.07.2015.

I pandehuri Fadil pas ngjarjes është ulur në shezlon duke mbajtur kokën me duar dhe kur ka shkuar policia për ta shoqëruar, është prezantuar me gjeneralitete të sakta dhe nuk ka paraqitur asnjë rezistencë. Nga verifikimi me gyp indikator alkoli ka rezultuar se shtetasi Fadil Kasemi kishte përdorur pije alkolike dhe përmbajtja e alkolit ishte 0,1% – 0,2 %.

Është realizuar kqyrja trupore e shtetases Fildes Hafizi, së cilës i janë konstatuar në fytyrë shenja dhune fizike. Sipas aktit të dëshmisë mjekoligjore nr. 48 datë 20.07.2015 të ekspertit mjekoligjor rezultuar që; në trupin e shtetases Fildes Hafizi janë konstatuar shembje të indeve të buta të fytyrës dhe të trupit, enjtje të indeve të buta të mollezës së djathtë, ekimoze brenda gojës, luxation i dhëmbit të katërt lart djathtas, enjtje të indeve të buta të kokës, enjtje të indit të gishtit të katërt të dorës së djathtë.

Në akt ekspertimin teknik balistik armë e fishekësh Nr. 7790 datë 06.08.2015 është konkluduar që; arma e zjarrit pistoletë TT model 54 me Nr. 14044789 06 1967 është në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për të realizuar qitje; 7 copë fishekët janë të fabrikuar, standarte luftarake të modelit 54 kalibër 7,62 mm që përdoren si municion nga pistoletat TT e Zastava të kalibrit 7,62 mm si dhe automatikët PPS e PMSH të po këtij kalibri.

Ata janë të rregullt teknikisht dhe të përshtatshëm për qitje. I pandehuri Fadil Kasemi gjatë hetimit ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkolit dhe se, nuk i perceptonte drejt gjerat por ka thënë se arma dhe çanta nuk janë të tijat.

Në lidhje me çantën ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte e që e kishte provokuar duke iu ulur në tavolinë si dhe që i kishte marrë çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë.

Më tej, gjatë gjykimit i pandehuri ka pranuar faktin penal që i atribuohet duke mbajtur dhe qëndrim pendues për akuzat.

Parashtrimi i faktit sa më sipër ka rezultuar i provuar nga tërësia e akteve të ndodhura në fashikullin e hetimeve paraprake që për shkak të procedimit me gjykim të shkurtuar bëhet pjesë e dosjes gjyqësore, në referim dhe të Vendimit Unifikues nr.2, datë 29.01.2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Gjykata e shkallës së parë, në përfundim e ka gjetur dhe deklaruar fajtor të pandehurin Fadil Kasemi për kryerjen e veprave penale të “Dhunës në familje” parashikuar nga neni 130-a/4 (i ndryshuar) i Kodit Penal dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” parashikuar nga neni  278/2 (i pandryshuar) i Kodit Penal e dënuar në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal edhe në aplikim të nenit 406 të Kodit të Proçedurës Penale me 3 vit burgim.

Kundër këtij vendimi kanë paraqitur ankim; i pandehuri dhe mbrojtja që nuk janë dakort me vendimin e gjykatës së shkallës së parë për sa i përket dënimit, kërkojnë dhënien e një mase më të butë dënimi; prokurori që kërkon kërkon dhënien e një mase më të lartë dënimi.

Gjykata e Apelit Durrës pasi shqyrtoi e analizoi cështjen arrin në përfundimin që, vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar e duhet lënë në fuqi.

Neni 130/a-4 “Dhuna në familje” i Kodit Penal ( ndryshuar) parashikon: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet…Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.”.

Nga tërësia e njoftimeve që kanë dhënë provat e grumbulluara gjatë fazës së hetimeve paraprake, për shkak të procedimit me gjykim të shkurtuar dosja hetimore bëhet pjesë e dosjes gjyqësore, rezulton e provuar që; i pandehuri ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashëshortes së tij, në prani të fëmijës të tyre Arlind Kasemi; i pandehuri pa lejen e organeve kompetente shtetërore, ka mbajtur armën e tipit pistoletë  si dhe municion luftarak (fishekë).

Në vlerësim dhe çmuarje të provave, në respektim të parashikimeve të nenit 152 të K. Pr. Penale, rrethanave të faktit të rezultuara në gjykim si dhe në analizë të elementëve të figurës së veprave penale “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” e “Dhunës në familje”, në raport me veprimet konkrete të kryera nga i pandehuri, gjykata e apelit vlerëson se me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka konkluduar që me veprimet e tij ( i pandehuri) ka konsumuar elementët  e anës objektive dhe subjektive të këtyre veprave penale.

Gjykata e apelit e gjen të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë në kualifikimin ligjor të veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”sipas nenit 278/2 të pandryshuar të Kodit Penal në situatën që,  Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.09, date 26.02.2016 ka shfuqizuar paragrafin e peste të nenit 278 te K.Penal të shtuar me ligjin nr.144/2013 dhe i zbatuar dhe në rastin objekt gjykimi.

Gjykata e apelit evidenton faktin se duke mos mbetur asnjë efektet në fuqi i ligjit ndryshues (ligji Nr.144/2013), atëherë rezulton në fuqi neni 278 të Kodit Penal, siç ka qenë përpara ndryshimeve të vitit 2013 dhe vitit 2014 (për armëmbajtjen në mjedise publike).

Ajo dispozitë ka qenë një dispozitë e përgjithshme që dënon armëmbajtjen pavarësisht vendit apo mjedisit të mbajtjes.

I drejtë gjendet vendimi i gjykatës së shkallës së parë edhe për sa i përket masës së dënimit me burgim dhënë ndaj të pandehurit.

Masa e dënimit penal është rezultat i vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, shkallës së fajit të autorit të veprës penale, pasojave të ardhura nga vepra penale si dhe rrethanave lehtësuese e rënduese në referim të parashikimeve të nenit 47 e vijues të K. Penal.

Me qëllim të individualizimit të shkallës së pergjegjësisë të të pandehurit dhe përshtatshmërisë së dënimit, gjykata vlerëson në tërësi faktin penal, ne lidhje me të gjitha elementet dhe rrethanat që e përbëjnë atë. Në përputhje me frymën e Kushtetutës, sanksioni penal i çfarëdolloj natyre duhet të synojë  vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore.

Gjykata, duke  pasur parasysh edhe doktrinën e konsoliduar evropiane në këtë fushë, ka theksuar se që të  jetë i pranueshëm dënimi penal në aspektin kushtetues, në përputhje me nenin 17/1 të  Kushtetutës, duhet të jetë i drejtë edhe në përpjesëtim me veprën.

Në këtë mënyrë, që të  mund të ketë një proces riedukativ të suksesshëm, duhet që ndëshkimi penal të perceptohet  nga autori i veprës si i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën e kryer ( vendimin nr.19, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

Në individualizimin e masës së dënimit për të pandehurin rezulton që, gjykata ka mbajtur parasysh rrezikshmërinë e veprës dhe autorit si dhe ka vlerësuar drejt tërësinë e rrethanave lehtesuese ne rastin konkret si, qëndrimi e shfaqur prej tij (në gjykim) duke pranuar veprimet e kundërligjshme të kryera, faktin që i pandehuri nuk rezulton të ketë patur precedentë të mëparshëm penal, në përputhje me kërkesat e nenit 47 e vijues të K.Penal.

Pretendimi i mbrojtjes se duhet vlerësuar si rrethanë lehtësuese kryerja e veprës penale nga  i pandehuri në gjendje të dehur nuk mund të merret në konsideratë, për sa kohë që dehja  nuk rezulton të jetë shkaktuar në rrethana të rastit dhe të ketë sjellë uljen e ekuilibrit mendor,  referuar parashkimit të nenit 18 të Kodit Penal.

Gjykata e apelit vlerëson se, ndryshe sa është parashtruar në ankimet respektive nga i pandehuri dhe prokurori, masa e dënimit e dhënë nga gjykata është në përshtatje me rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe autorit, rezultat i vlerësimit të drejtë të të gjithë elementeve dhe rrethanave që përbëjnë faktin penal, në respektim të parashikimeve të nenit 47 e vijues të Kodit Penal.

Për keto arsye: Gjykata e Apelit Durrës, bazuar në nenin të Kodit të Proçedurës Penale, Vendosi: Lenien ne fuqi te vendimit penal nr. 12-2016-664 (76), date 28/04/2016 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Kavaje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura