Zbardhet vendimi/ Artistë e sportistë, tani edhe me mesatare nën 6.5

Oct 9, 2019 | 16:13
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Për t’u bërë artist apo sportist nuk do të nevojitet më nota mesatare 6.5 si kusht për të aplikuar.

universiteti i arteve

Pranimet e reja në Universitetin e Arteve dhe atë të Sporteve, qeveria ka vendosur t’ua lërë në dorë krejtësisht universiteteve, duke hequr filtrin e notës mesatare të gjimnazit, si kriter për t’u futur në konkursin e pranimit.

Vendimi i marrë të enjten e javës që shkoi dhe zbardhur një ditë më parë në Fletoren Zyrtare, parashikon heqjen e detyrimit të notës mesatare që aplikohet për t’u futur në çdo IAL, qoftë publik a privat, përveç programeve profesionale 2-vjecare.

Ky ndryshim i rregullave të lojës bëhet në fund të saj, kur kanë përfunduar dy raundet kryesore të pranimeve dhe ka mbetur vetëm një i tretë që presupozon ezaurimin e kuotave të mbetura bosh. Tashmë, një maturant që ka talent në një fushë arti apo sporte, nuk do të ketë më pengesë notën mesatare të gjimnazit për ta çuar më tej pasionin, duke u bërë pjesë e studimeve të larta. Mësohet se një kërkesë e tillë i është drejtuar qeverisë drejtpërdrejt përmes platformës së bashkëqeverisjes nga vetë maturantët.

VENDIMI

Pranimi i kandidatëve në profile të artit dhe sportit do të bëhet vetëm nga universiteti, i cili zgjedh më të mirët pasi i vë në konkurrim dhe në fund përllogarit mesataren e gjimnazit, me një peshë disa herë më të vogël se garimi. Tagrin ia ka lënë qeveria. “Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe sportit, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare, të parashikuar në pikat 2 e 5 të vendimit për pranimet”, citohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Mesatarja nuk do të jetë më kriter dhe për kandidatët nga trojet.

Kandidatët nga Republika e Kosovës si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, që aplikojnë për t’u pranuar në programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare”. Nga ky vendim përfitojnë studentët e jo vetëm dy universiteteve në Tiranë, por edhe ato në rrethe, që ofrojnë programe edukimi në dy disiplinat e cituara, arte e sporte.

UNIVERSITETE, RIHAPET PORTALI PËR APLIKIME

Si asnjëherë tjetër, në fund të garës për në universitete, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka vendosur të hapë portalin e aplikimeve, duke iu ridhënë mundësi për të disatën herë të rinjve që janë kujtuar vetëm tani për të ndjekur studimet e larta.

Bëhet fjalë për formularin A1/A1Z, ku zgjidhet lënda që do të jepet provim, me qëllim për të garuar në universitet. Do të jetë një ditë e vetme në dispozicion, e sotmja, një mundësi për t’u futur në garë për kuotat e lira në raundin e tretë të regjistrimeve në universitete.

“Njoftohen të gjithë maturantët/ kandidatët që nuk kanë aplikuar me formularin A1/ A1Z në portalin Matura Shtetërore 2019, se portali i Maturës Shtetërore online do të hapet për aplikime në datën 9 tetor 2019, nga ora 09:00 deri në orën 14:00. Plotësimi online i formularit A1/A1Z do të kryhet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore”, citohet në njoftimin e QSHA-së. Aplikimet për raundin e fundit të pranimeve bëhen nga data 12-14 tetor, ndërsa regjistrimet do të vijojnë nga data 21-26 tetor.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura