Dokumenti i Prokurorisë/ Adriatik Llalla për Frrokun: Akuzohet nga Drejtësia belge

Mar 28, 2015 | 16:00
SHPËRNDAJE

Mark Frroku, deputeti i ndaluar të enjten me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, dyshohet se ka “hesape” të pambyllura me drejtësinë e Belgjikës.

Një proces gjyqësor ndaj tij në këtë vend, i publikuar nga një media belge gati një vit më parë, është konfirmuar dje nga Prokuroria e Përgjithshme.

Akuzat e Drejtësisë belge për disa vepra penale që, sipas tyre, rëndojnë mbi deputetin Frroku është një nga argumentet e përdorura nga Prokuroria e Përgjithshme për të bazuar dyshimin se ai mund t’i largohej ndjekjes penale. 

Adriatik Llalla

“Panorama” siguroi një kopje të këtij urdhri, ku ndër të tjera argumente përmenden akuzat e Drejtësisë belge ndaj Frrokut.

“Ky deputet akuzohet nga organet e Drejtësisë belge për kryerjen e disa veprave penale, akuza për të cilat, aktualisht është në proces gjykimi në këtë shtet. Në këto kushte krijohen dyshime të arsyeshme se ai mund të largohet nga territori i Shqipërisë për t’iu shmangur ndjekjes penale”, thuhej në urdhrin e firmosur nga prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Sipas lajmit të publikuar në median belge në janar 2014, Frroku dyshohej si i përfshirë në vrasjen e një shqiptari në këtë vend, në vitin 1999. Portali online që publikoi lajmin, i referohej Frrokut edhe me emrin Besnik Morina. Ndërkohë, në shkresën e Drejtorisë së Policisë dërguar Interpolit më 23 mars 2015, për verifikuar nga homologët belgë nëse ekziston ndjekje penale ndaj Frrokut në Belgjikë, deputetit i referohet edhe emri Azem Krasniqi.

MOTIVI
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, motivi i sajesës së një skenari për eliminimin fizik të deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi, ishte nisja e një ndjekjeje penale për Ilir Metën. Ky fakt ka dalë në dritë nga dokumenti i urdhër ndalimit të Prokurorisë së Përgjithshme për deputetin Mark Frroku.

“Për hetimin e plotë e të gjithanshëm të deklarimeve publike dhe ato të bëra para organit të ndjekjes penale nga ana e shtetasit Tom Doshi, janë kryer një sërë veprimesh hetimore si: pyetja e personave që kanë për dijeni për rrethanat e hetimit, kryerja e ballafaqimeve mes tyre, në raste kundrathëniesh, këqyrja e tabulateve telefonike, pamjeve filmike, përgjime etj. Nga kryerja e këtyre veprimeve hetimore, krijohen dyshime të bazuara në prova se ngjarja e pohuar nga shtetasi Tom Doshi publikisht, si dhe e deklaruar më pas edhe para organit procedues ka qenë e sajuar prej tij, deputetit Mark Frroku dhe të dyshuarit Durim Bami, me qëllim fillimin e paligjshëm të ndjekjes penale ndaj kryetarit të Kuvendit, z.Ilir Meta”, shprehej Prokuroria në urdhër ndalimin e Frrokut.

RREZIKSHMERIA
Sipas Prokurorisë, qenia e lirë e deputetit Frroku mund të vinte në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, për faktin e pozicionit që mban si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kapitaleve financiare që disponon, si dhe duke iu referuar veprimeve të kundraligjshme dhe shoqërisht të rrezikshme që ka kryer, rrezikshmëria shoqërore e tij mbetet e lartë.

Në vijim, organi i akuzës argumentonte se krahas rrezikshmërisë shoqërore, deputeti Mark Frroku, përveç aktivitetit politik dhe financiar që ka në Shqipëri, disponon dhe lidhje të rëndësishme financiare jashtë Shqipërisë si dhe ka edhe shtetësi tjetër veç asaj shqiptare.

[portfolio_slideshow] 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura