Zbardhet takimi 45 minuta Rama-Meta në Kuvend: LSI merr bashkitë e Kukësit dhe Fierit

Feb 26, 2015 | 21:20
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama është parë dje paradite rreth orës 10:00 t’i drejtohet zyrës së kryetarit të Kuvendit Meta, nga hyrja ceremoniale e Kryesisë së Kuvendit.

Meta dhe Rama në Kuvend

“Panorama” shkruan sot se takimi ka zgjatur rreth 45 minuta, ndërsa mësohet se qëllimi i takimit ka qenë përmbyllja e diskutimit për ndarjen e bashkive për zgjedhjet e 21 qershorit.

Mësohet se të dy bashkëbiseduesit kanë pasur mirëkuptim të plotë për ndarjen që kanë vendosur të bëjnë. Burime nga qeveria pohojnë se bashkitë e Pogradecit, Kukësit, Lezhës, Beratit dhe Fierit i janë lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Diskutimi i fundit ka qenë ai për Bashkinë e Fierit, ku LSI do të kandidojë deputetin Robert Bitrin, ndërsa PS kishte si kandidat Salarjan Totaj. Bashkitë Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Dibër do të kenë kandidatë të Partisë Socialiste. Në fundjavë, kryetarët e grupeve të PS dhe LSI pritet të përcaktojnë dhe disa bashki të vogla, por ende nuk dihet nëse do të lenë hapësira për partitë e tjera të koalicionit të majtë fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Për ta bërë më të lehtë fitoren e Lëvizjes Socialiste për Integrim në ato bashki të mëdha ku ajo do të dalë me kandidatët e saj, si në Berat, Fier, Pogradec, Kryeministri Rama ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakëve, të cilët kanë 12 vjet në këtë detyrë. I pari që iu përgjigj apelit të Kryeministrit ishte kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi, i cili dha dorëheqjen, por u bëri apel dhe kolegëve të tjerë që të hapnin rrugën për kandidimin e të rinjve për bashkitë e tyre. Ende nuk ka një reagim nga kryebashkiakët e tjerë, ndërkohë që mësohet se kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, i cili u padit dy ditë më parë, Flamur Bime, ka shprehur dëshirën të dalë si i pavarur, nëse PS nuk e kandidon.

Bashkite qe merr LSI-ja

Bashkia e Pogradecit
Bashkia e Kukësit
Bashkia e Lezhës
Bashkia e Beratit
Bashkia e Fierit 

Bashkite qe do kene kandidate te PS-se  

Bashkia e Tiranës,
Bashkia e Elbasanit
Bashkia e Durrësit
Bashkia e Korçës
Bashkia e Vlorës
Bashkia e Dibrës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura