Zbardhet skema e re/ Burg për ujin, nga 1 shkurti nis aksioni. Ja ç’do bëhet

Jan 13, 2018 | 11:20
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Qeveria nis pas 1 shkurtit aksionin për ndërprerjen e paligjshme të lidhjeve të ujit të pijshëm. Aksioni në terren do të nisë me sensibilizimin e qytetarëve për vendosjen e sahateve dhe më pas me kontrollin derë më derë për pagimin e faturave të prapambetura.

uji

Pas 20 ditësh, grupet e punës do të ndërpresin lidhjet e jashtëligjshme që cenojnë furnizimin me ujë të pijshëm. Ligji parashikon burg për ata qytetarë, që ndërhyjnë në rrjetin e shpërndarjes së ujit, pasi grupet e kontrollit u kanë ndërprerë lidhjen.

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, në letrën që u dërgoi në muajin dhjetor bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve shpjegonte se faza e dytë do të shoqërohet me kontrolle derë me derë dhe me masa ndëshkimore për ata që nuk paguajnë faturat e ujit.

“Në fazën e dytë të aksionit, që konsiston me verifikimin e formalizmit të shërbimit të çdo abonenti derë më derë, pajisjen me ujë-matës të të gjithë abonentëve dhe marrjen e masave për vënien përpara përgjegjësisë të kundërvajtësve dhe shkelësve, që ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellës–kanalizimeve”, thuhej në letrën e ministrit Gjiknuri.

Aksioni do të nisë me verifikimin e kontratave, sahateve dhe pagesat e institucioneve publike dhe buxhetore e jo buxhetore, më pas me nëpunësit e administratës, biznesi dhe familjarët.

Qeveria, në bashkëpunim me bashkitë për familjarët që kanë detyrime të mbartura të faturave të ujit, do të ofrojë skema lehtësuese për kryerjen e pagesave me këste. Skema do të jetë e njëjtë si për detyrimet e faturave të dritave, ku qytetarët duhet të lidhin aktmarrëveshje me ujësjellës-kanalizimet për të paguar detyrimet e mbartura.

Nga të dhënat që jep Enti Rregullator i Ujit, qytetarët janë furnizuar me ujë mesatarisht 11.4 orë në ditë. Por shqetësim mbetet niveli i lartë i humbjeve, ku 67 për qind e ujit humbet për shkak të rrjetit të amortizuar. Ky tregues, të paktën për në katër vitet e fundit, mbetet në nivele aspak të mira dhe përbën shqetësimin kryesor në sektor. Përqindja e mbulimit me shërbimin e furnizimit me ujë në qytet arrin 90 për qind, ndërsa në fshat 62,7 për qind.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura