Zbardhet sherri mes ministrave teknikë dhe zyrtarit të policisë ditën e votimit: Pse nuk nxjerr forcat speciale? Po blihen votat

Aug 23, 2017 | 11:12
SHPËRNDAJE

Në kohën kur qytetarët shqiptarë ende u drejtoheshin kutive të votimit në zgjedhjet e 25 qershorit, në Kryeministri ministrat teknikë dhe nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, shkëmbenin debate të forta për rolin e Policisë në zgjedhje.

“Panorama” zbardh debatet në mbledhjen e TaskForcës mes zv.kryeministres Ledina Mandija dhe nëndrejtorit të Policisë sa u takon rasteve të denoncuara për shitblerje të votës në disa qytete të vendit.

Task Forca 2

Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, gjatë mbledhjes u ka kujtuar zëvendëskryeministres dhe ministrave teknikë Kodin Zgjedhor, duke thënë se nuk mund t’i nxjerrë forcat e Policisë në patrullim apo pranë qendrave të votimit, pa një urdhër nga KQZ-ja.

Ka qenë pikërisht kjo deklaratë e Qatos që ka tensionuar mbledhjen e pasdites së 25 qershorit në Kryeministri, ku ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka kërkuar ndërprerjen e mbledhjes dhe nxjerrjen e një urdhri që Policia të ndërhyjë në çdo rast të shitblerjes së votës apo prezencës së personave të armatosur pranë qendrave të banuara.

DEBATI NË MBLEDHJEN E TASK-FORCËS

Ledina Mandija: Ne si Task-Forcë i kemi dhënë të gjithë suportin moral Policisë së Shtetit, por ama kemi pretenduar nga ana e tyre, që në kohë reale t’u përgjigjen thirrjeve të qytetarëve apo të subjekteve të ndryshme elektorale. Kur Policia implikohet, qoftë me krimin, qoftë edhe vendoset në mbështetje të subjekteve të ndryshme elektorale, dhe e pafalshmja është kur bëhet pjesë e procesit të shitblerjes së votës.

Unë kam dëgjuar që në Lushnjë ka makina me xhama të zinj, pa targa, me armë, të cilët intimidojnë qytetarët. Stafi im ka bërë të ditur dhe ka adresuar në drejtorinë përkatëse. Në fakt, në lidhje me rastet e dërguara nga zyra ime, janë rreth 20 raste të dërguara. Ndërkohë që raste për të cilat ka ardhur informacioni, me sa shikoj unë këtu dhe të verifikuara nga stafi, janë vetëm dy. Unë kam këtu edhe doja që të ndaja diçka me ju, e cila do të jetë në vëmendje të kësaj Task-Force.

Është pikërisht fenomeni i intimidimit dhe shantazhimit, përmes fletëpalosjeve nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, për qytetarët e Tiranës. Ne jemi njoftuar jo një herë, por disa herë nga qytetarë. Ata na kanë sjellë me video, na kanë sjellë me fotografi ftesa për të votuar Partinë Socialiste, apo për të votuar liderin e saj.

Për sa kohë që kryetari i bashkisë zgjidhet kryetar bashkie, ai është për të gjithë qytetarët, pa pasur ndasi majtas apo djathtas. Atëherë, zoti Qato është i ftuar për të bërë një raportim në lidhje me rastet, të cilat janë denoncuar nga ana e qytetarëve, zyra e Task-Forcës, apo edhe nga ministra të tjerë.

Altin Qato: Paraprakisht ne nuk kemi një informacion të plotë, pasi dihet që grupi i punës, që po punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku ju ishit edhe dje, kanë pasur një ngarkesë të madhe informacionesh, të cilat jepen në database tonë dhe i kalojnë të gjitha strukturave vendore për t’i ndjekur dhe shumica janë në procedurë ndjekjeje.

Kodi Zgjedhor e kufizon hapësirën e punonjësve të policisë për të patrulluar në qytete. Ky është një problem, sepse gjatë punës të vijnë shumë njoftime, por punonjësi i policisë e ka të pamundur për të shkuar kudo dhe pika kryesore për të shkuar në qendër të votimit bëhet me kërkesë zyrtare nga qendra e votimit, ose nga KZAZ-ja, në bazë të kërkesës që bëhet në qendrën e votimit, pasi ka shumë njoftime nga qytetarët dhe është e pamundur që punonjësi i policisë të vijë në qendrën e votimit, sepse do të quhej shkelje e Kodit Zgjedhor.

Gazment Bardhi: Të futet brenda.

Altin Qato: Po brenda në territorin e saj, sepse normalisht aty na pengojnë.

Gazment Bardhi: Të futen brenda, por nëse ka persona të armatosur jashtë qendrës së votimit, policia është atje dhe është në krye të detyrës.

Ledina Mandija: Zoti Qato, që të jemi më konkretë. P.sh., unë kam bërë një denoncim, pra zyra ime ka bërë denoncim për Lushnjën dhe mua më kanë marrë disa persona në telefon, përveçse kanë marrë stafin tim dhe ndërkohë nga informacioni që kam nga ana juaj, në lidhje me DVP Fier, thotë që nuk ka probleme.

Ndërkohë që unë kam pritur një përgjigje dhe qytetarët kanë thënë se çfarë do të bëhet, sepse vazhdon situata. Ne e ndërtuam mekanizmin, në mënyrë që nuk bëhej fjalë këtu për të shkuar në qendrën e votimit policia, por bëhet fjalë që këto dy makina ishin pranë një shkolle në qendër të Lushnjës dhe aty shpërndaheshin para dhe bëheshin shantazhe dhe makinat ishin të armatosura.

Pra, ne pretendojmë se kemi pamundësi fizike për të shkuar deri atje, ne pretendojmë që koordinimi do të ishte i tillë, që ngjarja vjen te ju dhe ju menjëherë dërgoni atje patrullat e policisë, që shkojnë për të kuptuar se çfarë po ndodh që po bëhet shitblerja e votës me makina, ose për më tepër, që ka edhe persona të armatosur, d.m.th., që bëhet shantazhim përmes dhunës ndaj votuesve.

Altin Qato: Normalisht, çdo njoftim që ka ardhur, Policia e ka vlerësuar dhe ka shkuar në vendngjarje, pastaj është tjetër gjë që nis dokumentimi apo kapja në flagrancë. Ne kemi shkuar. Unë thashë që ne kemi pasur një dinamikë të jashtëzakonshme të procesit me njoftime, i kemi ndjekur të gjitha.

Grupi i drejtimit, i koordinimit, që është Drejtoria e Përgjithshme, çdo informacion që merrte e ndante me strukturat vendore të Policisë, e cila normalisht është ajo që ndjek drejtpërdrejti në territor dhe kthen përgjigje. Një pjese të mirë të atyre u është kthyer përgjigjja, pjesa tjetër janë në verifikim e sipër, presim përgjigje. Prandaj unë thashë që informacioni përfundimtar i jonë është pas orës 19:00 dhe ai po përpunohet, sepse ka pasur shumë informacione, por jo se policia nuk ka shkuar, por në kohën nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 19:00 të darkës, policia e ka të kufizuar lëvizjen dhe forcat janë të kufizuara, pasi ne jo të gjitha forcat i përdorim në aktivitet, jo çdo punonjës policie.

Ledina Mandija: Pra ne kemi pranuar që policia qëndron pasive dhe nuk shkon në qendra votimi dhe ne nuk kemi pasur nëpër sheshe polici, por ama në momentin që unë referoj një rast dhe ua kërkoj juve, sepse qytetari ka besim tek unë ose subjektin elektoral e kam ftuar për të denoncuar raste dhe ai beson tek unë, pra denoncon rastin dhe unë e denoncoj te ju, dhe ndoshta dërgoj një video ose një fotografi, apo një të dhënë për targa makinash, nuk mendoj se policia rajonale dërgon menjëherë patrullën dhe verifikojnë rastin në vend.

Altin Qato: Normalisht, në këto njoftime që janë bërë, tani për momentin, nga ora 7:00 e mëngjesit deri më tani, ne kemi evidentuar 14 vepra penale, të cilat mund të jenë edhe këto raste, sepse duhet të specifikohet rast pas rasti për t’u parë. Në 14 vepra penale, të cilat janë dhënë, edhe nga informacionet që kanë ardhur te ne dhe ne këto informacione ua kemi kaluar drejtorive vendore, të cilat ia kalojnë strukturës përkatëse dhe ka proceduar.

Janë 14 vepra penale të regjistruara. Ne kemi pasur një numër të madh njoftimesh, rreth 65 njoftime për probleme në qendra të votimit dhe afër tyre. Në të gjitha këto raste është proceduar dhe është vajtur. Janë 24 raste që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qendrat e votimit, pjesa tjetër kanë të bëjnë me ambientet përreth qendrave të votimit.

Ledina Mandija: Pra 24 janë…

Altin Qato: Po, 24 janë brenda territorit të qendrës së votimit.

Ledina Mandija: Në qendër votimi.

Altin Qato: Jo brenda qendrës. Ne quajmë territor vetëm pjesën hyrëse të qendrës së votimit.

Ledina Mandija: Te shkolla, jo klasa, por oborri që nga hyrja.

Altin Qato: Edhe oborri, sepse normalisht edhe ai administrohet nga qendra e votimit.

Ledina Mandija: Të lutem, në lidhje me këto 14 raste shitblerje të votës, ju çfarë?

Altin Qato: Nuk janë të gjitha shitblerje të votës. Janë raste, të cilat lidhen me vepra penale, që lidhen me procesin, p.sh. goditje për shkak të detyrës, shitblerje, fotografimi i votës.

Ledina Mandija: Nuk i ndani sa janë shitblerje e votës?

Altin Qato: Ne i ndajmë, por me vonë mund të bëjmë edhe një informacion me të detajuar, pasi ishim dhe të papërgatitur kur na thanë për mbledhjen. Tani ne kemi bërë tabelat dhe brenda orës 19:00, me të mbaruar votimi, i cili mbyllet zyrtarisht dhe të gjitha këto veprime nuk ndikojnë më në procesin e votimit, kanë ndikime të tjera në procesin zgjedhor.

Por të paktën për votimin, sepse pasi të mbyllen dhe mbetet vetëm punonjësi i policisë në qendrën e votimit, është më e lehtë për policinë për të menaxhuar, atëherë ne jemi në gjendje që të bëjmë një tabelë të plotë me rastet që kanë ardhur nga qendrat e votimit, nga KZAZ, nga subjektet e ndryshme, nga Task-Forca, rezultatet që kemi dhënë, sepse janë të gjitha dhe mbyllen verifikimet.

Ledina Mandija: Sa raste, zoti Qato, kanë ardhur nga ana e institucioneve, të referuara te ju, në lidhje me përfshirjen e administratës në shitblerje vote dhe intimidim të votuesve?

Altin Qato: Për momentin, unë nuk e kam një shifër, sepse nuk e kemi nxjerrë, kjo për efekt kohe. Por të paktën nga zyra juaj janë 34 raste, që kanë ardhur me e-mail, sms apo me komunikime të ndryshme, nëpërmjet telefonit. Te paktën nga pika e kontaktit me është relatuar tani, qe janë kthyer 27 përgjigje në mënyra të ndryshme, me e-mail, me whatsapp etj. Te paktën, kështu më raportojnë pika e kontaktit.

Ledina Mandija: Të paktën nga ato që ne kemi dërguar, nuk ka pasur përgjigje, për rastet e ndjekura, vetëm se rezulton se nga informacioni që na erdhi tani nga ju, del që nga 20 raste që ne kemi referuar, vetëm dy raste janë që kanë marrë përgjigje, kjo sipas informacionit që kemi marrë nga ju.

Gazment Bardhi: Ne jemi duke u marrë me shifra, ndërkohë që kishte një gjë shumë thelbësore në atë që tha nëndrejtori. Nëndrejtori i policisë tha që forcat e policisë nuk dalin dot në territor dhe ne tani kërkojmë informacion se sa raste ata kanë verifikuar. Nëndrejtori thotë që nuk kanë dalë në territor dhe nuk kanë shkuar në ambientet përreth qendrave të votimit. Zoti nëndrejtor kështu tha.

Altin Qato: Nuk e thashë ashtu. Nuk e thashë në atë mënyrë.

Gazment Bardhi: Unë kështu e dëgjova dhe ne jemi të gjithë këtu dëshmitarë. Unë kështu e dëgjova, besoj dhe koleget kështu e dëgjuan. Ju thatë që jeni të limituar dhe nuk dilni dot në territor, nuk shkoni dot në ambientet e jashtme të qendrave të votimit, sepse i konsideroni qendra votimi. Ky është koncept i gabuar ligjor. Ju nuk mund të vini në TaskForcë dhe të thoni që nuk mund t’i nxirrni dot forcat e policisë në territor, sepse nuk ju lejon ligji.

Po ashtu, nuk mund të thoni që nuk mund t’i dërgoni dot te oborri i shkollës, sepse nuk ju lejon ligji dhe tani ne vazhdojmë ju kërkojmë sesa raste keni bërë. Nuk ka raste. Nëndrejtori po thotë që nuk i ka dërguar forcat e policisë në oborrin e shkollës, sepse nuk ia lejon ligji dhe ne këtu duhet të ndalojmë dhe duhet të dalim me një masë, me një rekomandim.

Altin Qato: Zoti ministër, me gjithë respektin, por po përdorni një fjalë që unë nuk e kam thënë. Unë nuk e thashë në këtë mënyrë. Më fal, ta shpjegoj edhe një herë.

Gazment Bardhi: Ju thatë që nuk i dërgoni dot forcat e policisë në oborrin e shkollës, sepse doni një vendim, unë kështu e kuptova. Tani në qoftë se e kam kuptuar gabim.

Altin Qato: Në qendrën e votimit pra.

Gazment Bardhi: Qendra e votimit është ambienti brenda, ku janë komisionerët dhe ku votohet.

Helga Vukaj: Ju ndoshta ishit më teknicien nga sa duhet, por ideja është që të mos keqinterpretohet dhe që të dimë një përgjigje ose një rezultante se çfarë është bërë me këto. Më mirë ta sqaronit që të gjitha rastet e identifikuara pranë jush janë, apo nuk janë ndjekur, apo në çfarë lloj procedure janë.

Altin Qato: Normalisht, që çdo rast që na ka ardhur, është ndjekur. Ju po i interpretoni fjalët si të doni vetë dhe jo si i thashë unë. Nuk është për të qeshur, sepse unë jam oficer, punoj, nuk kam ardhur as për të qeshur njeri. Unë thashë një fjalë edhe te fjala ime qëndroj fort. Unë kam 6000 forca për qendrat e votimit dhe nuk i nxjerr në patrullim, sepse nuk ma lejon ligji. Unë nuk e shkel ligjin. Nuk më lejohet t’i nxjerr në patrullim.

Ledina Mandija: Forcat speciale nuk i dërgoni.

Altin Qato: Nuk më lejon ligji t’i nxjerr forcat e policisë, zonja zëvendëskryeministre. Ligji thotë që në mënyre kategorike nuk dalin forcat speciale. Forcat speciale dalin vetëm në raste ngjarjesh të renda kriminale, ku i merret leja KQZ-së. Pa lejen e KQZ-se nuk i nxjerr.

Ledina Mandija: Jo, nuk është leja, është njoftimi KQZ-së. Këto janë dy gjëra të ndryshme.

Altin Qato: Nuk i nxjerr dot forcat speciale pa lejen e KQZ-se, pa i venë në dijeni ata, sepse unë shkel ligjin. Kështu e ka ligji. Në vendim, urdhri që ka nxjerrë, thuhet që për ndërhyrjet, mblidhet qendra e votimit, komisioni dhe vendos që të ndërhyjë. Unë nuk e nxjerr policinë, sepse ndikoj më keq te qytetari, në rast se shikon policë.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura