Zbardhet rrëfimi i Kristi Pine: Vrasjen në Shkodër e bëra si nder për Tafilin

Feb 14, 2016 | 9:09
SHPËRNDAJE

Zbardhet dëshmia e plotë e Kristi Pines, i akuzuar për vrasjet me pagesë, të porositura nga qelitë e burgut prej të dënuarit përjetë, Admir Tafili.

kristi pine2Para prokurorëve për Krimet e Rënda, i penduari Pine ka treguar në mënyrë të detajuar, se si i studionte lëvizjet e “shënjestrave” të tij dhe më pas për dinamikën e kryerjes së krimit.

“Panorama” publikon sot rrëfimin e Pines për vrasjen e Ibrahim Manit, ngjarje e ndodhur më 25 qershor 2014 në Shkodër dhe për tentativën e vrasjes së Edmond Çakmashit, më 5 shtator 2014 në Shkozë, Tiranë.

Për vrasjen e Manit, Pine nuk ka marrë para, duke ia konsideruar si një “nder” Admir Tafilit.“Ishte vrasje e thjeshtë, që do të bëhej në këmbë dhe jo me makina apo motorë”, ka deklaruar Pine.

Për vrasjen e mbetur në tentative të Çakmashit, Pines i është premtuar një pagesë prej 15 mijë eurosh. Për shkak se “shënjestra” vetëm është plagosur, Pine ka kërkuar gjysmën e pagesës, por kjo shumë nuk i është dhënë.

VRASJA E MANIT

“Një ditë, në muajin maj 2014, unë kam shkuar në Tiranë dhe jam takuar me shtetasin Elson Merdani.

Unë jam takuar me Elsonin në Tiranë në afërsi të ish-Ekspozitës, në një lokal. Aty Elsoni me ka thënë se kishte një porosi nga Admir Tafili për të vrarë një person në Shkodër dhe më pyeti nëse isha dakord që ta vrisja unë.

Ai më tha se ishte një vrasje që paguheshin pak lekë, por ishte vrasje e thjeshtë, që do të bëhej në këmbë dhe jo me makina apo motorë. Elsoni nuk më tha se kush ishte apo ku rrinte në Shkodër, por unë kam rënë dakord.

Elsoni më tha që të mos e vrisja mendjen për armë apo për lekë. Unë Elsonin e kam takuar dhe pasi u përshëndetëm. Ai më ka dhënë një çantë të zezë shpine dhe më dha edhe disa lekë se ishin porosi e Admirit.

Ai më pas u largua. Aty kam hapur çantën dhe kam parë që brenda kishte një armë pistoletë tip ‘Zastava’ me fishekë 7.65 mm, të cilët nuk ishin të vendosur në krehër.

Ajo kishte dhe një silenciator që ia kam montuar në shtëpi…”, ka deklaruar Pine. Për njohjen e “shënjestrës” Tafili dhe Merdani e kanë lidhur Pinen me të pandehurin Dritan Peksani, i afërm i Tafilit.

“Ai m’u prezantua si Tani dhe ishte djali i tezes së Admir Tafilit. Më pas ne kemi lëvizur në lagjen ku banonte ai, duke bërë xhiro në atë zonë.

Ai më pyeti nëse kisha folur me Admirin dhe unë i thashë që po. Ai atëherë më ka thënë se duhej të vrisja një person, i cili ishte fqinj me vetë Tanin.

Ky person quhej Brahim dhe punonte si murator. Ai më tha se Brahimi lëvizte me motor, dilte nga shtëpia rreth orës 07:00 dhe kthehej në orën 18:00 nga puna.

Ai kishte dy ose tre fëmije, nuk e mbaj mend. Ne kemi kaluar afër shtëpisë së Brahimit me makinë ku Tani më tregoi shtëpinë.

Rastësisht ka qenë në oborr edhe personi që do të vritej. Unë e kam fiksuar këtë person, i cili ishte i thinjur, i gjatë, pak i shëndoshë.

Ne kemi vazhduar lëvizjen me makinë ku Tani më tregonte rrugën në të cilën duhej të ikja pasi të kryeja vrasjen”, ka deklaruar Pine. Të nesërmen i pandehuri Kristi Pine ka shkuar te banesa e viktimës, i cili ka qenë në oborr duke punuar së bashku me të shoqen. Sikurse deklaron Pine, në një moment kur e shoqja ka hyrë brenda, i ka thirrur me emër.

Në momentin që Ibrahimi ka kthyer kokën dhe është përgjigjur, ai e ka qëlluar tri herë me pistoletën me silenciator që kishte me vete dhe është larguar.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura