RAPORTI I PLOTE/ Frroku mohoi njohjen me Bamin, punonjësit e restorantit te Shallvaret: I kemi parë bashkë me Tom Doshin

Mar 24, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Prokuroria i ka paraqitur Kuvendit provat mbi të cilat ka kërkuar lejen për arrestimin dhe kontrollin në banesë për deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Tom Doshi dhe Mark Frroku, (majtas) faksimile e kerkeses se prokurorise

 

“Panorama” zbulon relacionin e plotë që organi i akuzës i ka paraqitur Këshillit për Imunitetin dhe Mandatin e deputetëve. Prokuroria në bazë të dëshmive, përgjimeve dhe tabulateve telefonike ka arritur në konkluzionin se akuza e Tom Doshit për porositjen e vrasjes së tij është inskenim. Prokuroria ka provuar se ishte Mark Frroku ai që ka informuar Tom Doshin për një skenar vrasjeje ndaj tij, megjithëse ky i fundit e ka mohuar gjatë dëshmisë së tij.

“Të dhënat e hetimit të deritanishëm, provat që ka në dispozicion organi procedues ka dyshime të arsyeshme që shtetasi Mark Frroku ka iniciuar krijimin e rrethanave të rreme për ekzistencën e veprës penale dhe ka bashkëpunuar me shtetasit Tom Doshi dhe Durim Bami, për të bërë të besueshëm një fakt të tillë”, thuhet në relacionin e Prokurorisë.

Gjatë hetimeve, Prokuroria ka zbardhur tabulatet e komunikimit telefonik mes Durim Bamit, i cili prej Doshit është cilësuar si personi që do kryente vrasjen, me Besnik Tomën, shofer i deputetit Mark Frroku. Biseda këto që janë konstatuar gjatë muajve tetor 2014 deri në shkurt 2015.
 

“Analiza e komunikimeve telefonike hedh dritë edhe për shumë lidhje të përbashkëta midis shtetasit Durim Bami dhe shtetasit Mark Frroku, çka hedh poshtë pretendimin e shtetasit Mark Frroku për mos njohjen e shtetasit Durim Bami”, thuhet në argumentin e Prokurorisë.

Po ashtu dhe në dëshmitë e punonjësve të restorant “Antika”, konstatohet se Tom Doshi dhe Mark Frroku kanë njohje me Durim Bamin. Këto elementë kanë rrëzuar pretendimin e Mark Frrokut, i cili është shprehur në dëshminë e tij se nuk e njeh Durim Bamin.

RELACIONI I PROKURORISË PËR DEPUTETËT TOM DOSHI E MARK FRROKU

1. Më datë 03.03.2015, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z.Tom Doshi, ka deklaruar publikisht për median e shkruar dhe audiovizive se ai dispononte prova, sipas të cilave kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta, kishte paguar vrasës për ta eliminuar atë fizikisht dhe ndër të tjera, ai dispononte një video, ku një prej personave i ka pohuar atij për tentativat që ishin bërë për të realizuar vrasjen, por që nuk ishte bërë e mundur të realizohej.

1.1 Po më datë 03.03.2015, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime e Rënda, Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i datëlindjes 29.10.1979, lindur dhe banues në Komunën Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasja e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a-22, i Kodit Penal.

1.2 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, mbi bazën e materialeve referuese të Policisë së Shtetit, si dhe deklarimeve publike në median e shkruar dhe audiovizive të deputetit Tom Doshi, po më datë 03.03.2015, ka filluar procedimin penal nr.63, për veprën penale “vrasja e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a-22 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i datëlindjes 29.10.1979, lindur dhe banues në Komunën Nikël, Fushë-Krujë. Ky shtetas është ndaluar me urdhër të prokurorit dhe vazhdon të jetë aktualisht nën hetim, me masë sigurimi “arrest ne burg”, të parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale.

Nga veprimet e deritanishme hetimore të kryera në interes të këtij procedimi penal ka rezultuar se:

2.1 Në muajin gusht të vitit 2014, shtetasi Tom Doshi është vënë në dijeni nga deputeti Mark Frroku, se ndaj tij po organizohej një vrasje. Për të realizuar vrasjen, një shtetasi ( i identifikuar më vonë me emrin Durim Bami) i ishte ofruar një shumë prej 500 000 euro. Sipas deklarimeve të shtetasit Tom Doshi, ka qenë deputeti Mark Frroku që e ka prezantuar me shtetasin Durim Bami, i cili nga ana e tij, pas njohjes me deputetin Tom Doshi, i kishte thënë se vrasjen po e organizonte kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta. Gjithashtu i është thënë se për të realizuar eliminimin fizik të tij, ky i fundit kishte angazhuar një shtetas me emrin Fajton Skënderi, (i cili ka dhe një lokal në bllok të quajtur “Viva”), si dhe shtetasin Rezart Skënderaj, i cili ishte personi që e kishte ndjekur disa herë deputetin Tom Doshi. Madje, sipas shtetasit Tom Doshi, shtetasi Durim Bami i kishte thënë se në muajin qershor të vitit 2014, në afërsi të makinës së tij të parkuar pranë Gjykatës Kushtetuese Tiranë, këta persona kishin vendosur një motoçikletë (nga ata që përdoren për shpërndarjen e picave), brenda të cilit gjendej një sasi eksplozivi dhe ishte paracaktuar të shpërthehej në kohën që shtetasi Tom Doshi do të hipte në makinën e tij. Sipas deklarimeve të shtetasit Tom Doshi, Durim Bami i kishte shpjeguar ndër të tjera se ai nuk kishte pranuar që të realizonte shpërthimin, pasi kishte pasur frikë se nga shpërthimi mund të dëmtoheshin edhe persona të tjerë.

2.2.1 Për të provuar sa më lart, shtetasi Tom Doshi ka dorëzuar para grupit hetimor në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, një USB, e cila përmban një regjistrim audio dhe video prej 37 minutash, ku shtetasi Durim Bami, pohon para shtetasit Tom Doshi, planin si më lart.

2.2.2 Gjithashtu, shtetasi Tom Doshi pohon se e ka parë fizikisht sasinë e eksplozivit të disponuar nga shtetasi Durim Bami. Ai pohon gjithashtu se kësaj sasie eksplozivi i bashkëlidhej dhe një telefon celular (C-4 dhe një telefon i lidhur me të). Në muajin tetor të vitit 2014, shtetasi Tom Doshi pretendon se në banesën e shtetasit Durim Bami, që ndodhet në zonën e plazhit Durrës, i ka bërë foto kësaj sasie eksplozivi bashkë me telefonin celular. Këtë foto ai e ka fotografuar në telefonin e tij, iPhone, dhe e ka dorëzuar para organit procedues.

2.2.3 Të dhënat e lartpërmendura të paraqitura nga shtetasi Tom Doshi, janë mohuar para organit procedues nga shtetasi Mark Frroku. Ky shtetas, në deklarimin e tij mohon se ka njohje me të dyshuarin Durim Bami. Po ashtu, ai mohon se ka prezantuar shtetasin Durim Bami me deputetin Tom Doshi. Para organit procedues, ky shtetas ka deklaruar se nuk ka dijeni përse ka deklaruar publikisht apo para organit procedues shtetasi Tom Doshi.

2.2.4 Edhe në ballafaqimin midis tyre, shtetasit Mark Frroku dhe Tom Doshi, kanë qëndruar deklarimeve të kundërta të dhëna para organit procedues.

2.2.5 Qëndrim të kundërt për deklarimet e shtetasit Tom Doshi ka mbajtur edhe shtetasi Durim Bami, i pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime. Ai ka deklaruar se shtetasin Tom Doshi e ka njohur nëpërmjet shtetasit Alfons Shpati, i cili është nipi i Tom Doshit dhe njohje e vjetër e tij. Ai sqaron se ka qenë shtetasi Tom Doshi që në një nga takimet me të, i ka ofruar që të sajojnë një regjistrim video, ku të pretendohet se ndaj tij ishin bërë përpjekje për ta vrarë. Po ashtu, në këtë regjistrim, sipas kërkesës së shtetasit Tom Doshi duhet të përfshiheshin edhe disa persona të tjerë, si, Fatjon Skënderi, të cilin Durim Bami e kishte njohur në burg dhe e dinte që kishte një lokal në bllok të quajtur “Viva”, ambient të cilin Durim Bami e frekuentonte shpesh. Gjithashtu, do të përfshihej edhe shtetasi Rezart Skënderi, kushëri i Fatjonit dhe i njohur personalisht edhe nga Durimi. Po ashtu, do të përfshiheshin edhe disa shtetas të tjerë që frekuentonin lokalin si: Eugen Beci, në atë kohë drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda; Agron Kuliçaj, ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit; Agim Ramaj, kunati i deputetit Sali Berisha, e persona të tjerë.

2.2.6 Në fillim të muajit tetor 2014, në zyrën e shtetasit Tom Doshi, brenda ambienteve të ish-Profarmës, Tiranë, është regjistruar audio dhe video biseda midis shtetasve Tom Doshi dhe Durim Bami, (filmim i bërë publik në mediat vizive), në të cilën shtetasi Durim Bami, nëpërmjet pyetjeve të bëra/servirura nga shtetasi Tom Doshi, ka shpjeguar për organizimin e eliminimit fizik të shtetasit Tom Doshi. Ky filmim është administruar si provë nga Prokuroria pasi është dorëzuar nga shtetasi Tom Doshi, në datën 05.03.2015.

2.2.7 Sipas deklarimeve të të dyshuarit Durim Bami, shtetasi Fatjon Skënderaj, kishte njohje me shtetasin Ilir Meta dhe përfshirja e personave të tjerë nga ana e tij dhe e Tom Doshit e bënte çështjen e vrasjes serioze dhe të besueshme. Sipas shtetasit Durim Bami, ai kishte rënë dakord me shtetasin Tom Doshin, se sajesën e tentativës së vrasjes së tij, ai do t’ia shpjegonte ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me të cilin nga hetimi rezultoi se ishin takuar tri herë. Këto takime ishin zhvilluar njëherë në shtëpinë e shtetasit Tom Doshi në Durrës, brenda rezidencës qeveritare dhe dy herë të tjera në ambientet e Ministrisë së Brendshme në praninë edhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, shtetasit Artan Didi.

2.2.8 Rezulton e provuar se i dyshuari Durim Bami, para ministrit Tahiri, të ketë pohuar të njëjtat rrethana që ka shpjeguar edhe në regjistrimin audio-video të vënë në dispozicion si provë nga shtetasi Tom Doshi. Por shtetasi Durim Bami edhe pse i është ofruar mbrojtje në rast se bashkëpunonte duke treguar organizatorët e vrasjes, nuk ka pranuar të bashkëpunojë dhe të bëjë deklarim para oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe në këtë mënyrë të iniciohej procedura hetimore nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas të dyshuarit Durim Bami, ai nuk ka pranuar të deklarojë pasi e dinte se kjo ishte një sajesë midis tij dhe Tom Doshit, e cila mund t’i sillte më pas pasoja ligjore.

3. Nga ana jonë, në kuadër të hetimit të filluar për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, janë kryer një sërë veprimesh hetimore si dhe më konkretisht: U pyetën në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit shtetasit: Tom Doshi, Mark Frroku, Durim Bami (ndaj të cilit zhvillohen hetimet), Ilir Meta, Edi Rama, Sali Berisha, Saimir Tahiri, Alban Peza, Eugen Beci, Agron Kuliçaj, Ylli Xhaxhollari, Petrit Çinari, Mhill Fufi, Fatjon Skënderi, Rezart Skënderi, Klodian Merna, Agim Ramaj, Adriatik Haxhia, Besnik Toma, Agim Prebibaj, Flori Hoda, Dallëndyshe Mulaj, Dorian Xheraj, Dritan Prifti, Ymer Lala, Rexhep Meta, Ylli Arapi, Alfons Shpati, Angjelin Ograja, Edi Paloka, Bujar Hasaj, Rasim Shira, Paulin Fufi, Petrit Vasili, Spartak Braho, Monika Kryemadhi, etj. Janë realizuar ballafaqimet mes personave që kanë kundërthënie mes tyre e më konkretisht mes Tom Doshit dhe Durim Bamit, Tom Doshit dhe Mark Frrokut, Tom Doshit dhe Ymer Lalës. Gjithashtu, gjatë hetimit të kësaj çështjeje janë përdorur dhe metodat speciale të hetimit.

3.1 Nga veprimet hetimore të mësipërme, pavarësisht qëndrimit mohues që mban shtetasi Mark Frroku në lidhje me faktin, ka rezultuar e provuar se shtetasi Mark Frroku është ai që ka informuar i pari shtetasin Tom Doshi se është vënë në dispozicion një shumë e konsiderueshme parash për persona të caktuar, të cilët po organizojnë eliminimin fizik të tij. Gjithashtu, shtetasi Mark Frroku ka bërë njohjen e shtetasit Tom Doshi me shtetasin Durim Bami, i prezantuar si personi i caktuar për të bërë ekzekutimin.

3.2 Gjatë fazës së hetimit, shtetasi Tom Doshi ka vënë në dispozicion të organeve të hetimit pamjet filmike të lokal “Viva” Tiranë, me praninë e personave Fatjon Skënderaj, Ylli Xhaxhollari dhe Eugen Beci, të servirur këta si organizatorë të vrasjes së Tomës. Këto pamje filmike, Tom Doshit ia ka kopjuar së bashku me disa të dhëna të aktivitetit të biznesit të shtetasit Mark Frroku, me anën e së cilës provon faktin se pikërisht ky është personi që ka iniciuar historinë e vrasjes së tij.

3.3 Shtetasi Mark Frroku mohuar të ketë dijeni për eliminimin fizik të shtetasit Tom Doshi dhe gjithashtu mohon edhe njohjen me shtetasin Durim Bami.

3.4 Analiza e komunikimeve telefonike për periudhën kohore gusht 2014 deri në mars 2015, hedh dritë për komunikime të shpeshta telefonike midis shtetasve Mark Frroku dhe Tom Doshi. Gjithashtu, për periudhën tetor 2014 deri shkurt 2015, rezultojnë komunikime të shpeshta telefonike midis shtetasit Durim Bami dhe shtetasit Besnik Toma, i cili është shofer i shtetasit Mark Frroku. Analiza e komunikimeve telefonike hedh dritë edhe për shumë lidhje të përbashkëta midis shtetasit Durim Bami dhe shtetasit Mark Froku, çka hedh poshtë pretendimin e shtetasit Mark Frroku për mos njohjen e shtetasit Durim Bami.

3.5 Nga deklarimet si persona që tregojnë rrethana të hetimit, shtetasit Dorian Xheraj, Agim Perbibaj dhe Flori Hodaj, punonjës të restorant “Antika” në zonën e “Shallvareve”, Tiranë, rezulton se ata e kanë parë shtetasin e dyshuar Durim Bami të qëndronte së bashku me shtetasit Mark Frroku dhe Tom Doshi në restorantin ku ata punojnë. Në dijeninë e tyre, shtetasit Mark Frroku dhe Durim Bami janë takuar së bashku dhe gjithmonë në prezencën e shtetasit Tom Doshi.

3.6 Nga aktet e administruara rezulton se më datë 11.09.2014, shtetasi Durim Bami është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, me automjetin tip “Audi” me targa “AA600 JP” (i blinduar), i cili figuron në pronësi të shtetasit Mark Frroku.

3.7 Gjithashtu, dy nipërit e shtetasit Tom Doshi, Alfons Shpati dhe Angjelin Ograja, kanë pohuar para organit të Prokurorisë se ata e kanë parë shtetasin Mark Frroku në shoqërinë e të dyshuarit Durim Bami disa herë, në prani edhe të deputetit Tom Doshi. Po ashtu, shtetasi Angjelin Ograja ka shpjeguar se herën e fundit që e ka parë Durim Bamin në prani të Mark Frrokut dhe Tom Doshit, ka qenë nga fundi i muajit Shkurt 2015, në ambientet e Hotel “Sheraton”, disa ditë para se kjo ngjarje të bëhej publike. Ai shpjegon se pasi i dyshuari Durim Bami ka hyrë në hollin e këtij hoteli ka takuar dy deputetët, Mark Frroku dhe Tom Doshi.

3.8 Fakti që shtetasi Mark Frroku ka njohje me shtetasin Durim Bami mbështetet edhe në ballafaqimin e bërë midis shtetasit Tom Doshi dhe të dyshuarit Durim Bami. Ky i fundit, që prej fillimit të procedimit ka këmbëngulur se nuk e njihte shtetasin Mark Frroku dhe se nuk e ka takuar asnjëherë atë, por e ka parë vetëm në televizor. Gjatë ballafaqimit pasi iu vu në dispozicion një foto e printuar nga sistemi TIMS e shtetasit Mark Frroku, në këtë moment ai e pranoi se e ka takuar disa herë personin e paraqitur në foto në prani të shtetasit Tom Doshi.

3.8.1 Gjithashtu, referuar këqyrjes së tabulateve të numrit celular në përdorim nga shtetasi Tom Doshi, rezulton se ka pasur telefonata hyrëse nga deputeti Mark Frroku në datën 11.08.2014 dhe më pas ka disa thirrje hyrëse dhe dalëse që vijojnë midis njëri-tjetrit.

3.8.2 Megjithatë, edhe shtetasi Mark Frroku pohon që ka komunikuar me shtetasin Tom Doshi në datën 11.08.2014, por mohon përmbajtjen e bisedës së zhvilluar, duke mos dhënë shpjegime të detajuara për arsyen e komunikimit për kohën e komunikimit kjo e bën të dyshimtë deklarimin e tij në shumë aspekte. Ai mohon njohjen me shtetasin Durim Bami, ndërkohë që rezulton e kundërta. Po ashtu, shtetasi Mark Frroku mohon t’i ketë thënë shtetasit Tom Doshi se ndaj tij po organizohej një vrasje, mohon që t’i ketë prezantuar Tom Doshit shtetasin Durim Bami, mohon që të ketë diskutuar me shtetasin Tom Doshi në lidhje me këtë ngjarje.

3.8.3 Nga përgjimet e komunikimeve të bisedave rezultoi se, shtetasi Durim Bami i qëndron faktit se ngjarja është sajuar nga ai dhe Toma, madje përmend dhe një person të tretë pa emër (cituar: këtë gjë e dimë unë, ti dhe ai)…. Ndërsa nga ana e tij, shtetasi Tom Doshi këmbëngul që Durim Bami të thotë vetëm të vërtetën, duke i sugjeruar të tregojë rrethanat dhe personat, ashtu siç ky shtetas i ka deklaruar në videoregjistrimin e dorëzuar përpara organit procedues nga Tom Doshi.

4. Nga veprimet hetimore të deritanishme të krijohet bindja se kjo ngjarje është e sajuar. Kjo, së pari mbështetur në faktin që shtetasi Durim Bami ka shpjeguar në deklarim se tentativa për vrasjen e shtetasit Tom Doshi është inskenim. Po ashtu, ka mospërputhje midis asaj që ka deklaruar para organit procedues, me atë që ka deklaruar në videon e regjistruar nga Tom Doshi, si edhe në qëndrimin që ka mbajtur para ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në përforcim të bindjes se ngjarja është e inskenuar, organi procedues mbështetet edhe në faktin se shtetasi Durim Bami nuk ka pranuar që të bëjë kallëzim që në fillim edhe pse është ndodhur para ministrit të Brendshëm, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, ku ai ka patur mundësi të bëjë ligjërisht kallëzim ose deklarim. Të gjitha këto rrethana të krijojnë bindjen se me të vërtetë kjo ngjarje është e sajuar.

5. Nga të dhënat e hetimit të deritanishëm, provat që ka në dispozicion organi procedues, ka dyshime të arsyeshme që shtetasi Mark Frroku ka iniciuar krijimin e rrethanave të rreme për ekzistencën e veprës penale dhe ka bashkëpunuar me shtetasit Tom Doshi dhe Durim Bami, për të bërë të besueshëm një fakt të tillë.

6. Në analizë të provave të mësipërme, edhe pse fillimisht organi procedues i përqendroi hetimet në drejtim të sqarimit të elementëve të veprës penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” të deputetit Tom Doshi, rezultoi se një fakt i tillë nuk ka ekzistuar. Dyshimi i shtetasit Tom Doshi është mbështetur fillimisht në informacionin e marrë nga shtetasi Mark Frroku dhe rrethanat e pa vërteta që i ka servirur ai, që më pas janë mbështetur në videon që ai ka regjistruar me shtetasin Durim Bami, ku i ka kërkuar të shprehë një pohim, sipas të cilit Durim Bami ka qenë i paguar për të realizuar vrasjen e tij. Ndërkohë që në deklarimet e tij para organit procedues, ballafaqimet e realizuara mes tij dhe deputetit Doshi, përgjimet e komunikimeve etj, shtetasi Durim Bami ka deklaruar se ato çfarë janë pohuar në video nuk janë të vërteta.

Nga të dhënat e hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme se deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në pozicionin e tyre publik dhe kapitalit financiar që disponojnë, dyshohet se kanë kanosur shtetasin Durim Bami për të bërë deklarim të rremë. Këtë deklarim, shtetasi Bami e ka dhënë në një regjistrim video, në një ambient privat. Fakti që deklarimi i bërë në regjistrimin video është i rremë pranohet nga shtetasi Durim Bami.

Ky deklarim provohet edhe me rrethanat e tjera, të përfituara gjatë hetimit. Ndërsa personi nën hetim Durim Bami, nuk mban përgjegjësi për deklarimet e dhëna për shkak të pozitës së tij procedurale, si i dyshuar, deputeti Mark Frroku duhet të hetohet për sa ka rezultuar nga ky hetim.

Nga hetimi i kryer deri më tani, krijohet dyshimi se deputeti Mark Frroku, në bashkëpunim me shtetasin Durim Bami, si dhe me deputetin Tom Doshi kanë krijuar prova të rreme me qëllim që të bëhet ndjekje penale. Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës “kallëzim i rremë” i parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, në formën e krijimit të provave të rreme, me qëllim që të bëhen ndjekje penale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura