Zbardhet propozimi për ngritjen e SPAK, në 25 nëntor emërohen prokurorët

Nov 13, 2019 | 15:16
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Teksa për javë më radhë numri 10 që parashikon Kushtetuta për ngritjen e SPAK, u pa si problem nga KLP, kjo pengesë është kaluar me argumentin se ata nuk bëjnë interpretime për numrin, me të cilin fillon punën, por bëjnë emërimet që kanë mundësi.

1570458919_KLP

“Nuk marrim përsipër të diskutojmë me sa fillon punën SPAK, atë e ka zgjidhur Kushtetuta, ne vetëm emërojmë sa të mundemi të emërojmë”, është shprehur kreu i KLP. Nga ana tjetër, Komisioni i Posaçëm, i ka propozuar Këshillit disa pika që do të ndiqen deri në emërimin e 8 anëtarëve në Prokurorinë e Posaçme. Ndërkohë, gjatë mbledhjes së zhvilluar në 25 tetor, KLP konsideron të nevojshme ngritjen e këtij institucioni edhe për shkak të “pritshmërive të opinionit publik dhe ndërkombëtarëve”. Për 30 ditë, KLP vendosi që do të bëjë ngritjen e SPAK, çka do të thotë se brenda 25 nëntorit duhet të zhvillohet mbledhja për emërimin e 8 kandidatëve që kanë kaluar vetingun në dy shkallët.

PROPOZIMI

Komisioni i Posaçëm, në propozimin e tij, parashikonte një kohë prej 30 ditësh për të përfunduar procesin e ngritjes në detyrë dhe emërimit të 8 prokurorëve. Gjatë kësaj periudhe, pra, që prej 25 tetorit, komisionet që përbëjnë KLP-në, do të përgatisin aktet për emërimin e prokurorëve. Komisioni propozoi edhe caktimin e përkohshëm të një drejtuesi për SPAK, por ky propozim nuk u mbështet nga Këshilli, që vendosi të shpall garën pas ngritjes në detyrë të 8 kandidatëve.

Më tej, Komisioni i Posaçëm i propozoi KLP-së që të koordinojë punën me Këshillin e Lartë Gjyqësor, në mënyrë që në momentin që ngrihet Prokuroria e Posaçme, të ngrihet edhe Gjykata Kundër Korrupsionit. “KLP duhet të organizojë punën me KLGJ, në mënyrë që të merren vendime të njëkohshme për ngritjen e GJKKO”, shkruhet në propozim. Gjithashtu, KLP, me anë të kancelarit të Prokurorisë për Krime të Rënda, do pyesë punonjësit aktualë të administratës nëse do pranojnë të jenë pjesë e SPAK, si dhe më pas të procedohet me plotësimin e kushteve të sigurisë nga ana e këtyre punonjësve. Burime nga Prokuroria për Krime të Rënda bëjnë me dije për gazetën “Panorama”, se tashmë punonjësit e administratës janë pyetur.

MBLEDHJA

Në mbledhjen e zhvilluar në datën 25 tetor, kur edhe u miratua propozimi për ngritjen në detyrë të 8 prokurorëve, KLP diskutoi në lidhje me numrin që duhet të ngrihet SPAK dhe nëse duhet që të caktohet një drejtues i përkohshëm dhe garën për zgjedhjen e tij. Propozimi për një drejtues të përkohshëm nuk u miratua, ndërsa sipas Komisionit të Posaçëm, kjo mundësi ishte menduar në mënyrë që SPAK të fillojë punë që në momentet e para, pasi zgjedhja e drejtuesit do të merrte kohën e vet. Nga ana tjetër, Bujar Sheshi, një prej anëtarëve të KLP-së, pjesë e Komisionit të Posaçëm, tha se në lidhje me numrin 10, kjo gjë ishte e zgjidhur. “Ne si Këshill e kemi plotësuar kushtin që duhet të jenë 10 anëtarë me vendimmarrjen tonë, kur kualifikuam 15 kandidatë. Pjesa tjetër është që ne të marrim përsipër të emërojmë ata që plotësojnë kushtet”, tha Sheshi.

SPAK

Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK, do të jetë e specializuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj, edhe një nga kriteret e parashikuara në ligj për anëtarin e Prokurorisë së Posaçme, është edhe eksperienca në hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, ngritja e SPAK do të shkrijë Gjykatën për Krime të Rënda dhe një pjesë të kompetencave të kësaj të fundit do t’i kalojnë gjykatave në rrethe. Aktualisht, gjyqtarët e Krimeve të Rënda, në pjesën më të madhe të tyre, kanë dhënë pëlqimin për të qenë pjesë e SPAK, ndërsa kjo e fundit do të ketë edhe 15 prokurorë. Struktura e Posaçme do të ketë në varësinë e saj edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, që është njësi speciale, e ngjashme me FBI-në amerikane. Ngritja e BKH do të bëhet pasi të jetë konstituuar SPAK.

KANDIDATËT E SPAK

8 prokurorë kandidatë kanë kaluar vetingun në dy shkallët
2 prokurorë nuk janë më pjesë e garës, Besnik Muçi është anëtar i Kushtetueses, Ndini Tavani është shkarkuar
Prokurorja Manjola Kajana kaloi Shkallën e Parë dhe është ankimuar nga Komisioneri
Prokurorja Anita Jella aktualisht është në proces rivlerësimi
3 prokurorët, Anton Martini, Elisabeta Imeraj dhe Doloreza Musabelliu, janë në një fazë të hershme të rivlerësimit

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura