Zbardhet propozimi i biznesit për kuponin tatimor: Qeveria të rimbursojë TVSH

Jan 16, 2018 | 12:11
SHPËRNDAJE

Kuponi tatimor mund të kthehet në një mjet përfitimi për shumë qytetarë, të cilët e kërkojnë dhe e marrin atë për blerjet që kryejnë. Biznesi i ka propozuar qeverisë që të nisë zbatimin e rimbursimit të TVSH-së së kuponëve tatimorë në masën 5 për qind, 6 për qind apo deri në 10 për qind.

Binaj

Propozimi i biznesit është i lidhur me formalizimin e ekonomisë, duke qenë se qeveria po ndërmerr aksionin kundër informalitetit. Nga ana tjetër, rimbursimi i kuponit tatimor jo vetëm që do të nxiste qytetarët që të tërhiqnin faturën për çdo blerje që kryejnë, por ky do të ishte edhe një sinjal për administratën tatimore për të gjurmuar kuponët tatimorë, që nuk dalin nga kasat fiskale.

Rekomandimet për formalizimin e ekonomisë, biznesi i ka dhënë në anketën e vrojtimit “Mbi disa aspekte të klimës së investimeve”. Rezultatet e vrojtimit të biznesit u prezantuan në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, të zhvilluar në muajin dhjetor. “Për ndërgjegjësimin e publikut të merren incentiva që për çdo kupon tatimor do të rimbursohet 5 – 6 – 10 për qind”, thuhet për kuponin tatimor në rekomandimet e biznesit që iu paraqitën Këshillit të Investimeve.

SI BËHET RIMBURSIMI

Eksperti kontabël, Agim Binaj, tha për gazetën se rimbursimi i kuponëve tatimorë u kthen qytetarëve 6 për qind, apo deri në 7 për qind e të gjithë TVSH-së që kanë paguar për blerjet. Binaj thotë se TVSH-ja për kuponët tatimorë në Maqedoni rimbursohet në masën 5 qind. Rimbursimi kryhet nëpërmjet një agjencie të ngritur nga qeveria, e cila grumbullon kuponët që i çojnë qytetarët dhe verifikon nëse faturat janë lëshuar nga kasat fiskale.

“Rimbursimi mbulon tërheqjen e kuponit për konsumatorët. Në rast se blen disa produkte në një market, grumbullon faturat me TVSH, paraqiten në Agjencinë e Rimbursimit e cila të jep 5 për qind të gjithë shumës së TVSH-së, 6 për qind apo 7 për qind. Kjo ndodh në Maqedoni ku të gjithë turistëve që flenë në hotele, apo në restorante dhe bare, TVSH-ja u kthehet në masën 5 për qind. Në Maqedoni, rimbursimi i kuponëve tatimorë për TVSH-në kryhet nëpërmjet Agjencisë së Rimbursimit, e cila kryen verifikimet për kuponët, nëse janë lëshuar nga kasat fiskale apo janë fallco dhe më pas kryhet rimbursimi.

Kjo gjë zbatohet edhe në Greqi”, u shpreh Binaj. Eksperti kontabël thotë se kjo incetivë është e lidhur me formalizimin e ekonomisë, por që të zbatohet kërkohen rregulla të forta. “Qëllimi i rimbursimit të TVSH-së bëhet që qytetarët të tërheqin kuponin tatimor dhe të luftohet informaliteti. Që të zbatohet rimbursimi i TVSH-së, kërkon një organizim të veçantë, nuk është aq e lehtë, pasi kjo mund të sjellë që qytetarët të falsifikojnë edhe kuponët tatimore”, u shpreh Binaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura