Zbardhet programi i qeverisë “Rama II”, ulen taksat mbi pagat, ndihmë familjeve të reja

Sep 11, 2017 | 13:59
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama do të prezantojë sot para deputetëve të Kuvendit të ri programin e qeverisë së tij për katërvjeçarin e ardhshëm 2017- 2021.

Rama gjate mbledhjes informale me ministrat ne Llogara
Rama gjate mbledhjes informale me ministrat ne Llogara

Nëse katër vjet më parë, Kryeministri Rama e vinte theksin te rimëkëmbja e ekonomisë dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura të lëna nga qeveria “Berisha”, në programin e mandatit të dytë qeverisës, Rama synon rritjen ekonomike në 5.5-6 për qind, shkruan “Panorama”.

E vëmendshme Qeveria tregohet dhe në uljen e borxhit publik dhe rritjen e investimeve publike. “Qeveria shqiptare angazhohet për uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit; Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% e PBB-së”, thuhet në kapitullin që flet për ekonominë. Risia e programit qeverisës, siç ishte premtuar, është paketa 1 miliard dollarë investime që do të hyjnë në ekonominë shqiptare.

“Me paketën ‘1 Miliard’ do të injektojmë më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese , duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë”, thuhet në program.

KORRIGJIMI

Qeveria e re do të bëjë dhe një korrigjim të paketës aktuale fiskale. Programi qeverisës parashikon uljen e tatimit në 18 për qind mbi të ardhurat personale për pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj, nga 23% që është sot, dhe 6% tatimin e dividentit për bizneset, nga 15% që është aktualisht, duke lehtësuar nga detyrimet tatimore kategorinë me të ardhura më të larta.

Programi nuk parashikon rritje të pensioneve, por rritjen e të ardhurave nga kontributet me rreth 30 për qind dhe numrin e atyre që paguajnë sigurimet shoqërore në rreth 1 milion në vitin 2021, duke përmirësuar ndjeshëm raportin përfitueskontribues, si dhe duke ulur edhe më tej deficitin e skemës së pensioneve.

Gjithashtu, qeveria parashikon që brenda këtij mandati të përmbyllë dhënien e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë dhe familjeve të tyre. Zbutjen e varfërisë, qeveria synon që ta arrijë përmes punësimit dhe jo ndihmës sociale.

“Deri në vitin 2021, një në dy familje përfituese të mbështetjes për riintegrim do të përfshihen në programin ‘Shqipëria punon’, duke mundësuar që deri në vitin 2025 në këtë program të përfshihen tre në katër familje”, thuhet në programin e Qeverisë.

EKONOMIA

Përmes zbatimit të plotë të këtij programi, ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 për qind për të arritur në rreth 5.5-6 për qind të PBB-së në fund të mandatit.

• Programi 2017-2021 rikonfirmon konsolidimin fiskal si një objektiv prioritar të tij. Qeveria shqiptare angazhohet për uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit.

• Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% e PBB-së.

• Me paketën “1 Miliard” do të injektojmë më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese, duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë.

• Pas rritjes së të ardhurave buxhetore me rreth 3.7% të PBB-së gjatë mandatit 2013-2017, angazhimi i Qeverisë për mandatin 2017-2021 është sigurimi i të ardhurave në nivelin 28% të PBB-së.

TAKSAT

Progresiviteti do të vazhdojë të jetë në qendër të filozofisë sonë fiskale. Gjatë mandatit të dytë synohet që:

• Tatimi mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të të ardhurave nga paga të ulet në 18%.

• Tatimi mbi dividendin të reduktohet në 6%.

• T’u jepet ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për këtë qëllim.

ENERGJIA

Në këtë sektor pritet të realizohet një total investimesh prej rreth 70 miliardë lekësh (rreth 50 miliardë lekë investime nga buxheti publik në rrjetin e shpërndarjes dhe 5.3 miliardë lekë të Bankës Botërore, 6.6 miliardë lekë me financim të KfW për sistemin Skada dhe rreth 6.6 miliardë lekë investim për leximin e matësve smart) për periudhën 2017-2021.

BUJQËSIA

Në katër vitet e ardhshme do të financohen në zonat rurale rreth 25.5 miliardë lekë në mbështetjen e sektorit bujqësor, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale, mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e aksesit në tregje.

INFRASTRUKTURA

Qëllimi i Qeverisë shqiptare është integrimi i sistemit rrugor në rrjetet ballkanike dhe në sistemin Paneuropian të Transportit. Objektivi afatshkurtër do të jetë sigurimi i zbatimit të marrëveshjes ndërkufitare me Malin e Zi, si pjesë e projektit të autostradës Adriatiko-Joniane, ndërsa ai afatmesëm lidhet me rritjen e efikasitetit të marrëveshjeve të tjera ndërkufitare.

Ndër projektet më prioritare të Qeverisë Shqiptare do të jenë: rrjeti qendror TEN-T Core, korridori Adriatiko–Jonian, akset Fushë-Krujë–Shkodër (zgjerim), Thumanë-Kashar/ Vorë, dhe by-pass-et Tepelenë, Lezhë dhe Tiranë, ROUTE 7, ndërtimi dhe dublimi i aksit Milot–Rrëshen, rrjeti kombëtar, përfundimi i bypass-it të Fierit dhe atij të Vlorës, ndërtimi i Rrugës së Arbrit.

TURIZMI

Do të konsolidohen 4 destinacione turistike kombëtare: Alpet Shqiptare, Jugu i Ri, Portet e Marinat, Tirana

• Alpet Shqiptare – Një destinacion i bazuar në ecjen në mal (trekking), kjo e lidhur me natyrën, aktivitetin dhe turizmin sportiv.

• Plazhet e Jugut dhe kombinimi me malet. Aeroporti i ri në jug do të sjellë një përmirësim të rëndësishëm.

• Marinat dhe portet kanë një potencial të lartë për thithjen e turistëve të huaj dhe megjithëse në Shqipëri është rritur hyrja nga deti, janë mundësitë të zhvillohen edhe 6 pika të reja portuale me shkallë të lartë shfrytëzimi.

• Tirana do të vazhdojë të përmirësohet në infrastrukturë për ta kthyer atë në një qendër atraktive për evente të biznesit rajonal dhe vizitorët e fundjavës, por edhe qendër kulturore e turistike.

SHTETI LIGJOR DHE DREJTËSIA E RE

Në fushën e drejtësisë, Qeveria në 4 vitet e ardhshme do të fokusohet në këto shtylla kryesore:

• Jetësimi i reformës në drejtësi, nëpërmjet ofrimit të gjithë mbështetjes së nevojshme të realizimit të procesit të “vetting-ut” me sukses.

• Reformë në sistemin e hartimit të legjislacionit dhe në tërësi sistemin e kodifikimit.

• Reforma tërësore e shërbimeve publike që lidhen me drejtësinë për titujt e pronësisë duke përfshirë regjistrimin e tyre dhe kthimin dhe kompensimin e pronave.

• Reforma e shërbimeve publike të ofruara nga profesionet e lira (noteria, avokatia, ndërmjetësimi) do të synojë shërbime ligjore, sa më cilësore dhe profesionale për qytetarët.

• Reformim të thellë do të pësojë edhe sistemi i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nëpërmjet shërbimit përmbarimor.

KUJDESI SOCIAL

Në këtë mandat, në fushën e pensioneve do të synojmë të rrisim të ardhurat nga kontributet me rreth 30 për qind dhe numrin e kontribuuesve në rreth 1 milion në vitin 2021, duke përmirësuar ndjeshëm raportin përfitues-kontribuues, si dhe duke ulur edhe më tej deficitin e skemës së pensioneve.

Gjatë mandatit tonë të parë, ne trefishuam ndihmën ekonomike nga 1.5 mijë në 4.5 mijë dhe nga 3 mijë në 8 mijë lekë. Deri në vitin 2021, një në dy familje përfituese të mbështetjes për riintegrim do të përfshihen në programin “Shqipëria punon”, duke mundësuar që deri në vitin 2025, në këtë program të përfshihen tre në katër familje.

Do të vijojë të jetë maksimale vëmendja ndaj të përndjekurve politikë dhe familjeve të tyre. Gjatë mandatit tonë të dytë do të përfundojmë dëmshpërblimin e kësaj kategorie dhe do të mbështesim integrimin dhe pjesëmarrjen e tyre shoqërore, ekonomike e politike.

POLITIKA E JASHTME

Vizioni ynë për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, si dhe mbi një pozicionim realist dhe dinamik brenda katërkëndëshit strategjik rajonal (Itali-Austri-Greqi-Turqi), ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë, si një vend i kyçur në Ballkan dhe i hapur në Mesdhe.

NATO

Në periudhën kohore 2017-2021 Shqipëria do të synojë një rritje graduale dhe domethënëse të buxhetit të mbrojtjes, në përmbushje të angazhimit tonë përkundrejt NATO-s në Uells dhe në Varshavë për t’i dedikuar 2% të PBB-së shpenzimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024.

BASHKIMI EUROPIAN

Programi ynë për integrimin europian synon fillimin sa më parë të procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë në këtë proces të pakthyeshëm për realizimin e aspiratës europian e të vendit. Shërbimi diplomatik do të jetë në pararojë të këtij procesi në funksion të një bashkëpunimi më të strukturuar me vendet anëtare BE-së. Nga ana tjetër, shpejtësia e procesit të integrimit lidhet gjithashtu me dinamikën e përfaqësimit tonë diplomatik në vende dhe në momente kyçe, ndaj dhe Qeveria jonë do të synojë fuqizimin e shërbimit diplomatik në vende kyçe për mbarëvajtjen e procesit të anëtarësimit.

ARISTIR LUMEZI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura