Zbardhet programi i PD: Rritje pagash për mësuesit! Taksë e sheshtë 9% dhe ulje të kontributeve shoqërore

Jan 28, 2021 | 11:32
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Grupi i punës në Partinë Demokratike ka përfunduar programin ekonomik me të cilin kryedemokrati Lulzim Basha do t’u kërkojë qytetarëve që t’i japin votën për t’i qeverisur për 4 vitet e ardhshme.

basha-programi i pd

Në një kohë që edhe shifrat zyrtare flasin për përkeqësim të ekonomisë, fokusi i grupit të punës së PD-së ka qenë ekonomia. Idetë e tyre ata kanë mbi një vit që i konsultojnë me një grup ekspertësh gjermanë të CDU-së. Një nga filozofitë kryesore të programit të PDsë është ulja e barrës së taksave ndaj biznesit, por edhe rrogëtarëve.

Pika kryesore e planit ekonomik është ulja e tatimit mbi fitimin nga 15% që është aktualisht në 9%, duke aplikuar atë që njihet ndryshe si taksa e sheshtë. Por, ky nuk është lehtësimi i vetëm fiskal që PD-ja planifikon t’i krijojë qytetarëve dhe bizneseve, nëse i besohet qeverisja e vendit. Kryedemokrati Lulzim Basha i premton qytetarëve se qeveria e drejtuar prej tij do të ulë detyrimet për kontribute shoqërore.

Nga 24% që është aktualisht në 18%, nga ku 9% do të paguhet nga punëdhënësi dhe 9% nga punëmarrësi. Por nga ana tjetër, kreu i PD-së zotohet se do të rrisë pensionet. Ndonëse duket paradoksale, ku nga njëra anë ulen kontributet shoqërore, nga ana tjetër të rriten pensionet, demokratët janë të bindur se nëse ulen taksat, do të ulet informaliteti çka do të sjellë më shumë të ardhura në buxhet.

ENERGJETIKA

Në programin e përfunduar tashmë, kryedemokrati Basha i premton qytetarëve se do të ulë si çmimin e karburantit, ashtu edhe të energjisë elektrike. Prej kohësh Basha ka premtuar në takimet me qytetarët se do të heq taksën 24 lek për litër nga karburanti që merret si taksë qarkullimi.

Ai e ka pagëzuar këtë si taksa “Rama” dhe thotë se është arsyeja kryesore se përse Shqipëria renditet si vendi me çmimin më të lartë të karburantit në rajon. Ndërkohë demokratët janë të bindur se falë menaxhimit që do t’i bëjnë kompanive shtetërore të energjisë, do të mundësojnë uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin. Ndërkohë që lehtësira pritet të ketë edhe për bizneset e huaja që do të kenë interes për të investuar në Shqipëri.

SEKTORI I ARSIMIT

Mësimdhënia cilësore është një nga prioritetet që do ketë qeveria e drejtuar nga PD-ja, nëse siguron shumicën e vendeve në Parlament pas zgjedhjeve të 25 prillit. Gazeta “Panorama” ka mësuar se në programin ekonomik, Basha zotohet se do të rrisë nga 50-60 për qind pagat për arsimtarët.

Demokratët zotohen se do të zhbëjnë ligjin e arsimit të lartë, ligj të cilin e kanë kontestuar vazhdimisht gjatë kohës që kanë qenë në opozitë ndërkohë do të dyfishojnë buxhetin për sektorin e arsimit. Siç e kemi dëgjuar edhe në daljet e fundvitit gjatë takimeve me të rinjtë, në programin e PD-së parashikohet subvencionim 100% i tarifës së arsimimit për studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 64 mije lekë në muaj, ndërsa për 10 mijë studentët më të mirë, PD-ja premton 1 vit stazh me pagë minimale të paguar nga shteti.

Opozita akuzon maxhorancën aktuale se ka përqendruar ndihmën financiare në sektorin e bujqësisë vetëm te një grup i ngushtë personash. ndaj demokratët premtojnë 100 milionë euro subvencione çdo vit. Ndërkohë që mbështetje në vlerën e 50 milionë eurove pritet të ketë për të gjithë prodhuesit e produkteve “Made in Albania”.programi i pd

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura