Zbardhet përgjimi i “tezes” së kokainës me Gëzim Çelën: Të martën është ditë tersi, drogën e sjellim të mërkurën

Jun 3, 2015 | 7:43
SHPËRNDAJE

Fillon gjyqi për Valentina Tufinën, gruan e njohur ndryshe edhe si “tezja” e kokainës. Gjykata e Krimeve të Rënda ka hapur procesin ndaj gruas së arrestuar në Kosovë, ku kishte shkuar për të kontrolluar cilësinë e drogës që do vinte në Shqipëri, në qershor 2014. Ndërsa gruaja nga Shqipëria është ende në Kosovë, ku edhe ra në pranga, në Tiranë është hapur gjyqi ndaj saj.

Gezim Cela dhe banesa ku u gjet droga

Seanca e djeshme është shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit. Valentina Tufina u akuzua si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës, që drejtohej nga Gëzim Çelaj, i shpallur në kërkim, vëllai i tij Kujtim Çelaj dhe korrieri Realt Hysolli.

Këta persona po procedohen me gjykim të shkurtuar në Gjykatë, në lidhje me çështjen ku u sekuestruan 7 kg kokaine, mbi 22 kg heroine¸ dhe 207 kg marijuane. Ne të njëjtën linjë, ne Kosove u sekuestruan rreth 50 kg droga te forta, si dhe nje laborator per përpunimin e prodhimin e lendes narkotike.

“TEZJA E KOKAINËS”
Valentina Tufina, më datë 09.06.2014, ka shkuar në Kosovë. Pasi mbërrin atje, shoqërohet nga bashkëpunëtorët e saj për në drejtim të vendit ku gjendej baza me lëndë narkotike, e konkretisht në fshatin Rosujë të Rajonit Pejë, në shtëpinë e shtetasit kosovarë V.B. Lëvizjet e saj dhe kontaktet në territorin e Kosovës janë mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet kosovare, pas nisjes së hetimeve.

Nga bashkëbisedimi telefonik me të pandehurin Gëzim Çela, e pandehura Valentina, i komunikon këtij të fundit se data 10.06.2014, si ditë e martë, ishte “ditë ters” për të dhe i kërkon që korrierin për të marrë lëndën narkotike (kjo me gjuhë të koduar), ta sjellë nga Shqipëria mbrëmjen e datës 11.06.2014. Pas kësaj bisede, Gëzim Çela, kontakton korrierin, e konkretisht të pandehurin Realt Hysolli, të cilit i kërkon të kryejë udhëtimin për në Kosovë.

Më datë 11.06.2014, i pandehuri Realt Hysolli, pasdite vonë niset për në drejtim të Kosovës, vetëm i pashoqëruar me njeri me autoveturën e tij dhe shkon në vendin ku e kishte lënë takimin me të pandehurën Valentina Tufina, me të cilën mbante kontakte telefonike, të përgjuara.

Pas takimit me të dhe bashkëpunëtorë të tjerë të saj aty, ai ngarkon në makinën e tij, duke e fshehur një sasi prej 7 kg lëndë narkotike të llojit “kokainë’, të ndara në 14 pako.

ARRESTIMI
Të nesërmen, më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, i pandehuri Realt Hysolli me autoveturën e tij, niset për në drejtim të Shqipërisë për t‘i sjellë lëndën narkotike të pandehurit Gëzim Çelaj, sipas planit paraprak midis tyre.

Sapo i pandehuri Realt Hysolli ka kaluar pikën e kalimit kufitar Kosovë- Shqipëri në Morinë të rrethit Kukës, nga forcat e Policisë së Shtetit të ngarkuara me vëzhgimin e tij, është ushtruar kontroll në makinën që drejtonte dhe është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i lëndës narkotike të cituar më lart dhe arrestimi në flagrancë i tij.

Në të njëjtën kohë, nga autoritet kosovare të drejtësisë është bërë e mundur gjetja e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit “kokainë”, armë zjarri, si dhe një laborator për përpunimin e kësaj lënde narkotike. Në këtë banesë është arrestuar në flagrancë edhe Valentina Tufina e shtetasit kosovarë V.B., etj. 

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura