Zbardhet përgjimet e financierit me Habilajt: A i nuhat qeni lekët? Këtu në Itali jo, në Angli po!

Nov 20, 2017 | 22:47
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA

Gjykata e Krimeve e Rënda zbardh vendimin që la në qeli Nezar Seitin, të dyshuarin si “financier” të grupit “Habilaj”. Në vendimin e arsyetuar, zbardhen një pjesë e përgjimeve ambientale të papublikuara më parë, të mbërritura nga Italia, pas kërkesës së përcjellë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda përmes Ministrisë së Drejtësisë.

moisi-habilaj

Përgjimet ambientale janë kryer në tri automjete të ndryshme ku bisedojnë në episode të veçuara, Nezar Seitaj, Florian Habilaj, Moisi Habilaj, Meridian Sulaj, Fatmir Minaj dhe një prej shtetasve italianë të arrestuar.

Gazeta “Panorama” publikon të plotë dosjen e Prokurorisë, në bazë të së cilës Gjykata la në burg Nezar Seitin.

Ndër bisedat e përgjuara, është edhe ajo për një objekt të dyshimtë të gjetur në makinë, për të cilën dyshohej se ishte përgjues, por edhe diskutimet se si do ta nxirrnin në breg, në Katania, ngarkesën e madhe me drogë që do të shkonte aty nga Shqipëria.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, më datë 8 korrik 2016, regjistroi procedim penal për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Regjistrimi i këtij procedimi u bë mbi bazën e të dhënave të grumbulluara nga Policia Gjyqësore e Prokurorisë, në bashkëpunim me organet ligjzbatuese në vend, që mundi të sigurojë informacione mbi aktivitetin kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Më datë 29 prill 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi tjetër procedim penal për veprën penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim. Regjistrimi i këtij procedimi u bë mbi bazën e informacioneve referuese të shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Seksionit kundër Narkotikëve në Policinë e Vlorës, sipas të cilave shtetasit Nezar Seiti, Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Matan Matani ushtronin aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Më datë 25 shtator 2017, prokurori i çështjes vendosi bashkimin e të dy procedimeve penale të nisura, atij të “kultivimit të lëndëve narkotike” dhe “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Më datë 17 tetor 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi një tjetër procedim penal për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë ose të të zgjedhurve vendorë”, duke urdhëruar njëkohësisht regjistrimin e emrit të shtetasit Saimir Tahiri si person nën hetim për llogari të këtij procedimi.

Regjistrimi i procedimit të mësipërm u bë në bazën e të dhënave të përfituara nga media, në lidhje me faktin e arrestimit nga autoritetet italiane të shtetasit Moisi Bahilaj, si pjesë e një grupi kriminal që ushtronte aktivitet në fushën e trafikimit të narkotikëve.

PERGJIMET

Përgjime ambientale në bordin e makinës “Ford Focus”, me targa CY 794 KA, në përdorim nga Moisi Habilaj, në orën 10:18 të datës 1 nëntor 2014.

U dëgjua hapja e dyerve të makinës. Makina nisi lëvizjen dhe në të gjendeshin Florian Habilaj, i thirrur Lolo, dhe Nezar Seiti (të njohur nga zëri).

Nezari pyeti Lolon nëse largësia deri në Katania ishte 118 km, ndërsa komunikuesi e pohoi. Në orën 12:55:51, Lolo doli nga makina duke përshëndetur Antonion, ndërsa ky i fundit iu prezantua Nezarit: “Përshëndetje, gëzohem, jam Antonio” (vazhdon një segment i pakuptueshëm në gjuhën italiane, dëgjohen zhurmat e disa qeseve dhe Antonio nga jashtë makinës, që thotë: “Nuk është mirë kështu…jo, jo!”

Më datë 2 shtator 2014, në orën 12:57, makina rezultoi e ndaluar dhe jashtë saj u dëgjua Antonio që foli me Florian Habilajn dhe Nezar Seitin

Antonio: Si ia bën? Çfarë do të bësh?

Lolo: Nezar, nuk i nxë.

Antonoi: Si do t’ia bësh… nuk e di (dëgjohen disa zhurma brenda makinës)

Antonio: Por… dua të them… nuk e dije? (personat u munduan të fusin diçka në makinë dhe pastaj mbyllën garazhin)

Abtonio: Por a mund të them diçka? Më dëgjo, mund ta vëmë këtu.

Lolo: E nxë?

Antonio: Këtu mund ta nxërë. (dëgjohen zhurmat e qeseve)

Në orën 13:01, Lolo dhe Nezari hipën në makinë dhe pasi u përshëndetën me Antonion, u larguan.

Në orën 13:01:44, Nezari, me të qeshur, i shfaqi Florianit shqetësimin se mos paratë e fshehura në makinë binin, ndërsa Floriani, në orën 13:01:49, vlerësoi Antonion si tepër të saktë.

Lolo: E din sa i saktë që është?

Nezari: (duke qeshur) Po shof mbrapa se mos na bie ndonjë kokërr misri.

Lolo: Jo…

Nezari: Do i heqim kur të shkojmë në shtëpi (fjala për lekët e fshehur në makinë)

Lolo: Për të hequr?

Nezari: Po Lolo: I heqim brenda, në mbrëmje, po shkuam tek avokati, do ikim me…

Nezari: Pyet nëse kanë likuiduar çdo gjë. Nezari ankohet për faktin se ka kontrolle të shumta dhe Lolo i shpjegon se në Palermo gjërat ishin vështirësuar. Lolo: Por jo vetëm në Palermo, por dhe këtu i kanë marrë Lefterit, Ermalit, Tanit, punën… 600-700 kile.

Floriani vazhdoi të shpjegojë se Lefteri kishte shkuar te një person, të cilit i kishte kërkuar nëse mund ta takonte të nesërmen për t’i dhënë “punë” dhe të punonte për llogarinë e tij, ndërsa i ishin përgjigjur: “Ik, po nuk deshe të të vrasim… si kështu, ti vjen në shtëpinë time për të shitur?!”

Lolo: Po qeni a i nuhat këto (lekët) apo jo?

Nezari: Këtu nuk kanë, italianët nuk kanë, anglezët po. Makina ndalon në Corso Vittorio Emanuele, në Modica.

Lolo: Si do vijë Dani (fjala për Meridian Sulajn)

Nezari: Do vijë Dani tani, menjëherë. (pas kësaj zbresin nga mjeti)

Nezari: Hajt se erdhi Dani Meridian Sulaj iu afrua makinës dhe të tre bënë sikur po kontrollonin motorin.

Lolo: Shiko Ramadan (iu drejtua Meridianit) shiko pak këtu

Meridiani: Hajt futi pak ujë, futi pak ujë

Nezari: Hajt se këtu

Lolo: Merre atë çantën aty

Nezari: Këtu vetëm të vdekurit… se të gjallët (nënkupton që nuk kishte njeri, ndërsa të tre nxorën nga vendi ku kishin fshehur paratë e dhëna nga Antonio)

Lolo: Ka ndonjë lart?

Meridiani: Pasdite do e çojmë te mekaniku (me shumë gjasa ndërrim bisede për shkak të kalimit të dikujt aty pranë) vëri mirë.

Lolo: Vëri menjëherë brenda Meridiani: Ik më mirë. Te mekaniku do e çojmë më vonë. Nuk ka njeri, po ik më mirë.

Lolo: Vëre aty dhe hajde. Makina rezulton sërish në lëvizje, me pikënisje rrugën “Siçilia 81”, në Modica dhe në të ndodheshin Lolo, Nezar Seiti dhe Fatmir Minaj, i thirrur Ciaku. Pasi biseduan më parë për siguracionin e makinës, biseda mes të treve zhvillohet rreth numrave telefonikë.

Fatmiri: Po unë atë numrin tënd të i-Phone, e kam apo jo?

Lolo: Me 20 dhe tre 7?

Fatmiri: Tezja (duke nënkuptuar bashkëshorten e tij) e telefonoi tek i-Phone tjetër, me të cilin e kishte marrë.

Nezari: Ka mundësi që të ketë qenë ky numër.

Lolo: Po ndoshta 910?

Lolo: Më dëgjo mua, mua më gjen vetëm tek i-Phone, do e provosh tre, katër herë gjatë ditës, një herë do më gjesh.

Fatmiri: Do të dërgoj sms. Lolo: Ti më dërgo vetëm një sms që gjeta garazhin dhe kaq. Flasin për mungesën e korrektësisë së personit. me të cilin do të takoheshin.

Lolo: Ky bastardi tha në orën 07:00. (bëhet fjalë për mbasdite)

Nezari: Ne jemi të përpiktë me orarin.

Takojnë avokatin italian për çështjen e arrestimit të Sabaudin Çelajt. Në orën 20:47, biseda vazhdoi për të arrestuarin, duke u shprehur për fatin që kishte pasur Moisiu që nuk ishte arrestuar.

Fatmiri: Është fat që nuk e kanë marrë edhe Moisiun.

Nezari: Moisiu ka shpëtuar për qime.

Fatmiri: Atëherë, ti më ke lënë para për siguracionin?

Lolo: Të kam lënë 1 mijë euro për siguracionin dhe për të blerë ndonjë gjë për fëmijët, për shkollën.

Fatmiri: Ok. Të parën dhe pastaj të dytën 2 mijë euro për…

Lolo: Dhe do të lë tani 2 mijë euro për atë (nënkuptuar avokatin)

Fatmiri: Tani do të pres nga ju për dokumentet. (bëhet fjalë për gjeneralitetet dhe adresat e vëllait të Sabaudin Çelajt dhe të motrës së Dritan Dervishajt)

Lolo: Do të t’i dërgoj me … Përgjimet ambientale në bordin e makinës “Fiat Bravo”, me targa EJ 630 MC, në përdorim të Moisi Habilajt dhe Meridian Sulajt. Në makinë janë Moisiu, Nezari dhe Meridiani.

Nezari: Kjo ka rënë këtu, ktheje këtu, ktheje këtu, një sekondë. (Moisiu shfryu dhe Nezari mallkoi)

Moisiu: Kjo lëviz me dorë? Hajde e ke venë dorën këtu?

Meridiani: Është kjo po të them.

Nezari: S’ka shans, cila kjo?

Nezari: Moisi, Meridian, a ikim në ndonjë vend me e heq këtë mendim?

Moisiu: Shshshshs.

Meridiani: Ndoshta nuk është ajo.

Moisiu: Merre, hiqe me dorë atë.

Nezari: Po kjo nuk lëviz.

Moisiu: Është tapiceria e makinës.

Nezari: Është alarmi, ooo provoje me çelës.

Meridiani: Po kjo pse është kështu?

Nezari: Provoje me çelës sepse… të kuq… Hiqe, hiqe telefonin, ja provoje me çelës.

Moisiu: Më jep çelësin.

Nezari: Makinën… këto janë kështu.. që janë mbuluar… që makina mos të ketë ndonjë gjë tjetër…

Në orën 17:06, të tre personat vazhdojnë të kërkojnë përgjuesin në makinë.

Nezari: Po këtu nuk ka shanse, vetëm të shkatërrojmë makinën, të heqim tapicerinë e lartme, ta heqim dhe t’ia çojmë.

Moisiu: Kape me dorë aty, kap pak.

Nezari: Po e kanë ngjitur me… çfarë ataku është?

Meridiani: Po ata janë doktorë.

Moisiu: Po si mund të futet ajo? Lëvize, lëvize pak me dorë.

Nezari: Po ti a mund ta heqësh?

Meridiani: Po është me atak.

Nezari: Po çfarë ataku, po e prishim kot, po ky “fish” e shikon këtë “fish” kështu? A është e munduar që dikush ta ketë futur?

Meridiani: A ikim diku për ta hequr fiksimin tim?

Moisiu: E ku do ikim?

Meridiani: Nuk e di vëlla, tek…

Moisiu: Lëre se e gjej unë, lëre fare. Makina “Fiat Bravo” është në lëvizje në Katania, më 21 janar 2017, dhe në të ndodhen Meridiani e Nezari.

Nezari vazhdoi të tregojë për Torin (kunatin e tij), i cili kishte kërkuar “punë” dhe të cilit i ishte përgjigjur: “Ej shoku, e di ti se cili është rreziku im? Unë nuk shkoj personalisht të prek ndonjë gjë me dorë. Fus lekë për të bërë këtë ‘punë’, rrezikojmë lekët, e imagjinon dot se ç’a ndodh?”.

Nezari: Doja t’i thoja se pa lekë nuk bëhet gjë, pasi ky donte punë këtu pa lekë. Po ti a e di se sa lekë hidhen atje lart për të arritur këtu puna?

Meridiani: Ai as që mund ta imagjinojë.

Meridiani: Ku ta çan… dreqi e mori, ky të ngjitet sikur t’i bëhej kjo, më thoshte tani, ajo gomonia që kanë kapur, ajo që ka bërë “punën tonë”, kam unë mundësinë për ta blerë?

Nezari: Po si e blen… Më pas Nezari tha se për atë (gomonen) duheshin tre motorë, secili me çmim 25 mijë euro, në total 75 mijë euro.

Përgjimi ambiental në makinën me targa “EC 043 NK”, në Porto Palo, Nezar Seiti bisedon me Meridian Sulajn.

Nezari: Po te shokët të mos vonohemi… kohën që përgatisin këtë thuaji pa zhurmë.

Meridiani: Po, po, pa zhurmë.

Nezari: Bëjeni benzinën vetëm… benzinën duhet ta marrim larg.

Meridiani: Po, por ne për këtë i kemi dhënë kohë për të mos e blerë në të njëjtën pikë… kupton?

Nezari: Kur të jeni gati, i marr unë ato.

Meridiani: Në shtëpi, por nuk kishim si ta gjenim atë.

Nezari: Po traktorin, do ta blejnë traktorin?

Meridiani: Atë e kanë.

Nezari: Me rimorkio?

Meridiani: Eee, me rimorkio. T’ia themi tani, sepse herën e shkuar nuk ia kemi thënë. Për ta bërë të hyjë në ujë, sepse për ta tërhequr ne e kemi planifikuar me litar. E tërheqim përsëri me traktor. Ne tani kemi bërë dhe një plan tjetër… hyjmë ne nëse nuk e do rimorkion.

Nezari: Mjetin hidhja traktorit. Nuk e merr traktori, duhet një rimorkio e madhe.

Meridiani: Ah…

Nezari: Është një sasi e madhe.

Meridiani: Po i themi një rimorkio të madhe.

Nezari: Pastaj ka të ngjarë të mos ketë det me shumë dallgë dhe hidhet në ujë, e çojmë sepse aty ka thellësi, deti është shumë i thellë dhe mjeti i madh ngec, pastaj tërhiqet me traktor.

Biseda e mësipërme njoftoi angazhimin e Nezarit dhe Meridianit në drejtim të gjetjes së karburantit dhe të mënyrës për të nxjerrë nga deti lëndën narkotike të trafikuar nga Shqipëria në Katania, Itali. Në portin e Katanias, lënda narkotike do të pritej pikërisht prej tyre.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura