Zbardhet paketa e re/ Bonusi, Ahmetaj: Shtesë 5 për qind për pensionet. Përfitimi sipas kategorive

Sep 5, 2018 | 13:46
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Çdo pensionist në fund të vitit do të marrë një shpërblim prej 5 mijë lekësh të rinj. Përmes një Akti Normativ, qeveria ka përcaktuar në buxhet shumën prej 3.3 miliardë lekësh në funksion të paketës së solidaritetit, nga e cila do të përfitojnë jo vetëm pensionistët, por edhe familjet në nevojë.

ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, theksoi se qeveria e ka sjellë të konsoliduar në buxhet me shifër konkrete shpërblimin e fundivitit për të garantuar pensionistët dhe familjet në nevojë që në planet e veta qeveria ka vëmendje totale ndaj qytetarëve. Sipas kreut të Financave, qëllimi kryesor i qeverisë është që në përfundim të mandatit të saj të dytë të përmbushë premtimin që kishte në programin qeverisës për të arritur në shifrën prej 7 deri në 10 lekë në vit për pensionistët.

“Rialokim brenda buxhetit të shtetit, kryesisht për miratimin e një fondi në masën 3 miliardë lekë për shpërblimin e pensionistëve. Rreth 5 mijë lekë në fund të vitit për pensionistët. Miratimin gjithashtu të një fondi prej 300 milionë lekësh të një fondi për kategoritë në nevojë, që shkon kështu e gjithë paketa e solidaritetit në 3.3 miliardë lekë. Paketa e solidaritetit është kthyer në një standard dhe kjo është arsyeja se përse qeveria e ka sjellë të konsoliduar në buxhet me shifër konkrete për të garantuar pensionistët dhe familjet në nevojë që në planet e veta qeveria ka vëmendje totale ndaj qytetarëve. Në program kemi premtuar një shpërblim 7-10 mijë lekë në vit për çdo individ, ndoshta do ta çojmë edhe më shumë deri në fund të mandatit”, tha Ahmetaj.

RRITJA

Ahmetaj deklaroi se duke marrë parasysh shpërblimin e fundvitit, por edhe indeksimin që iu bë pensioneve në maj, rritja e pensioneve kap shifrën e 5%. “Këto janë në funksion të bonusit për të kapur atë shifrën prej 50 mijë lekësh në fund të vitit. Për të mos e quajtur atë, siç e quajnë “kokoshi një thelë”. Po buxheti është vëmendje ndaj atyre pensionistëve. Janë 50 mijë lekë. T’ju bëj një llogari të shkurtër, 3.3 miliardë është 33 milionë dollarë shto këtu 16 milionë dollarë që ishte indeksimi në maj. U bë në llogarinë e pensionistëve plus 50 milionë dollarë në vit. Se nuk duhet ta harrojmë këtë që nëse i referohemi totalit të pensioneve që shkon 1.2 minus statuset, i bie që çdo vit pensionistëve u rriten pensionet me një 5%. Nuk është shumë sigurisht, por e mund inflacionin. Ku inflacioni në fund të vitit do jetë rreth 2%”, sqaroi Ahmetaj.

SHPËRBLIMI

Ministri i Financave kujtoi se qeveria “Rama” ka pasur gjithmonë në konsideratë shpërblimin e pensionistëve dhe shtresave në nevojë, ndërkohë që demokratët këto shpërblime i kanë dhënë vetëm gjatë viteve elektorale. Sipas kreut të Financave, PD në 8 vitet e qeverisjes së saj dha në total një shpërblim prej 10.5 miliardë lekësh, ndërkohë që PS vetëm në 4 vitet e para të qeverisjes ka dhënë 11.3 miliardë lekë. “Kemi bërë debat se sa i kemi mbështetur pensionistët dhe familjet në nevojë me atë që ne i referohemi si paketa e solidaritetit. Kam bërë një krahasim mes qeverisjes 8-vjeçare të PD-së dhe 4 vjeçare të PS-së. Totali në 8 vite i qeverisjes së PD ka qenë 10.5 miliardë lekë. Po ta shikoni profilin e dhënies së bonusit, gjatë qeverisë së tyre është njëherë në dy vite gjatë viteve elektorale. Ndërsa në 4 vite PS ka dhënë 11.3 miliardë lekë. Ne kemi dhënë 10% më shumë në 4 vite se sa ata kanë dhënë në 8 vite. Mënyra se si ne e ofrojmë paketën e solidaritetit nuk ka lidhje fare me vitet elektorale. Kjo mbyll atë debatin se kush ka dhënë më shumë para”, sqaroi Ahmetaj.

KATEGORITË QË PËRFITOJNË SHPËRBLIMIN

Pensionistët, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar, qyteti.
Pensionistët që marrin pension, sipas “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave
bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”

Personat që marrin trajtim të veçantë financiar që kanë punuar në miniera, në nëntokë dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake

Personat, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas “Për sigurimin
shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të
Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikes, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”

Personat që marrin pension pleqërie sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si
veteranë të LANC, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për Merita të veçanta, si dhe ata që marrin pension social.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura