Zbardhet marrëveshja, hetim falsifikimit të pronave

Aug 30, 2015 | 9:07
SHPËRNDAJE

Zbardhet marrëveshja e firmosur dje nga katër titullarët e institucioneve ligjzbatuese që do të verifikojnë rastet e falsifikimit të dokumentacioneve, me anë të së cilave janë tjetërsuar pronat shtetërore apo të individëve.

Rama në Vlorë
Rama në Vlorë
Marrëveshja është firmosur dje në Vlorë nga kryeprokurori Adriatik Llala, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato dhe Alma Hicka, drejtuese e Avokaturës së Shtetit.

MARRËVESHJA

Qëllimi i marrëveshjes, mbrojtja e të drejtës së pronës nga veprimtaritë kriminale, që janë kryer duke falsifikuar apo nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Me anë të kësaj marrëveshjeje, Prokuroria angazhohet që të nisë procedim penal për çdo vepër që lidhet me falsifikimin e dokumenteve, që i kanë cenuar pronën shtetit apo një individi tjetër.

Prokurorisë për këto raste i lind e drejta që të nisë hetime të thelluara me qëllim mbledhjen e provave, kryerjen e ekspertimit të dokumenteve, marrja e tyre dhe çdo fakti tjetër që përbën provë për vepër penale.

Për rastet kur verifikohet se janë falsifikuar dokumentacionet për prona shtetërore, organi akuzës do të njoftojë Avokaturën e Shtetit për nisjen e procedimit penal. Ndërsa në rastet kur janë cenuar të drejtat pronë- sore të individëve, Prokuroria do të bashkëpunojë me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për nisjen e kallëzimit penal.

“Në rastin e pushimit të çështjes, të disponojë mbi provat materiale sipas ligjit, si dhe të njoftojë palët dhe shtetasit e interesuar jo vetëm për të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në gjykatë, por edhe për të drejtat civile që lindin nga kjo vendimmarrje;

Në rastin e gjykimit të çështjes, të ndjekë me përparësi ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë, për detyrimet që lindin në lidhje me pasojat e deklarimit të falsitetit të dokumentit”, thuhet në tekstin e marrëveshjes së firmosur dje.

POLICIA

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nga marrëveshja e nënshkruar dje, i lind e drejta që të kryejë veprimtari hetimore, të cilat mund t’i delegohen ose t’i urdhërohen nga prokurori.

Policia e Shtetit do ta përqendrojë aktivitetin saj në ekspertimin nga Policia Shkencore e gjithë dokumentacionit që dyshohet se është falsifikuar me qëllim tjetërsimin e pronave. “Policia e Shtetit angazhohet:

b) Të kryejë me përgjegjësi veprimet hetimore të urdhëruara ose deleguara nga prokurori dhe në mënyrë të veçantë të kryejë me profesionalizëm ekspertimet nga Policia Shkencore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale;

c) Të shfrytëzojë maksimalisht burimet njerëzore dhe materiale në interes të parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprimtarisë penale objekt i kësaj Marrëveshjeje”, thuhet në shkresën zyrtare.

Marrëveshja e Bashkëpunimit

NENI 1

Objekti
1. Objekti i kësaj Marrëveshjeje është forcimi i bashkëpunimit për të garantuar mbrojtjen e të drejtës së pronës nga veprimtaria kriminale e kryer nëpërmjet falsifikimit ose përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

NENI 2

Detyrime të Prokurorisë së Përgjithshme
1. Prokuroria angazhohet: a) Të iniciojë procedimin penal për çdo njoftim për vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, të cilat prekin të drejtën e pronës ose nga të cilat lindin të drejta pronësie, duke drejtuar dhe kryer hetimet e nevojshme për mbledhjen e provave, ku përfshihen domosdoshmërisht kryerja e ekspertimeve, marrja e dokumenteve dhe çdo gjë tjetër që i shërben procesit penal;

b) Të njoftojë Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit për regjistrimin e procedimit penal kur preken interesat shtetërore sipas objektit të kësaj Marrëveshjeje dhe vendimmarrjen në përfundim të hetimeve paraprake;

c) Të njoftojë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për fillimin e procedimit penal të kallëzuar prej saj dhe vendimmarrjen në përfundim të hetimeve paraprake;

ç) Në rastin e pushimit të çështjes, të disponojë mbi provat materiale sipas ligjit, si dhe të njoftojë Palët dhe shtetasit e interesuar jo vetëm për të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në gjykatë, por edhe për të drejtat civile që lindin nga kjo vendimmarrje;

d) Në rastin e gjykimit të çështjes, të ndjekë me përparësi ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë, për detyrimet që lindin në lidhje me pasojat e deklarimit të falsitetit të dokumentit.

NENI 3

Detyrime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit angazhohet: a) Të bashkëpunojë me institucionet e tjera shtetërore dhe shtetasit për të marrë dijeni për veprimtarinë kriminale objekt i kësaj Marrëveshjeje;

b) Të kryejë me përgjegjësi veprimet hetimore të urdhëruara ose deleguara nga prokurori dhe në mënyrë të veçantë të kryejë me profesionalizëm ekspertimet nga Policia Shkencore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale;

c) Të shfrytëzojë maksimalisht burimet njerëzore dhe materiale në interes të parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprimtarisë penale objekt i kësaj Marrëveshjeje;

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura