Zbardhet krimi në Larisa, Danieli u torturua para djegies me benzinë

Aug 2, 2015 | 7:47
SHPËRNDAJE

Policia greke zbardh krimin makabër që i mori jetën 21-vjeçarit Daniel Xhafa, një javë më parë. Autori, sipas hetimeve, është burri i të dashurës së viktimës, një 31-vjeçar nga Korça.

Emri i autorit nuk bëhet i ditur, pasi është në kërkim. Sipas mediave fqinje, të cilat citojnë burimet policore, 31-vjeçari jetonte në një fshat në komunën Kileler dhe ka punuar në Larisa si murator, derisa ai u largua drejt Shqipërisë 24 orë pas vrasjes së bashkatdhetarit të tij.

Danieli dhe vendi ku u gjet trupi i tij
Danieli dhe vendi ku u gjet trupi i tij
Urdhër-arresti nga gjykatësi i Larisës është lëshuar pas një hetimi në lidhje me vrasjen që ndodhi në orët e para të së premtes së kaluar ku trupi i të riut u gjet i djegur.

Edhe për këtë duket se ka detaje të reja, pasi “Topnews. gr” shkruan se nga raporti mjekoligjor, i riu ishte rrahur për vdekje, çka i solli shumë thyerje kockash, në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit të tij. Brutaliteti i agresorit, shkruajnë mediat, vazhdoi edhe pas vdekjes së 21-vjeçarit, i cili u zvarrit i vdekur pranë një lumi, ku trupi i tij u lye me lëndë djegëse dhe iu vu flaka.

Trupi i viktimës u gjet gjysmë i djegur, pasi u zbulua nga një bari i zonës, edhe ai shqiptar. Qëllimi i autorit ishte fshehja e çdo gjurme, jo vetëm të tij, por edhe viktima të mos arrihej të identifikohej dot pas krimit. Shkak i ngjarjes dyshohet xhelozia për një lidhje dashurie mes viktimës dhe bashkëshortes së autorit të krimit.

Kjo lidhje kishte gati 2 vjet, sipas familjarëve të Daniel Xhafës. Ndonëse ky i fundit donte që të shkëputej, ishte 25-vjeçarja nga Korça, e cila nuk e linte. Ajo është nënë e 3 fëmijëve dhe megjithëse jetonte në Greqi me burrin dhe fëmijët, kishte pranuar që të lidhej me 21- vjeçarin nga Fieri.

Në një intervistë të dhënë pas ngjarjes nga kushëriri i parë i viktimës, Danieli kishte tentuar disa herë që të mos e takonte më të dashurën e martuar, por ajo nuk e linte. Madje, disa herë kishte sajuar arsye të ndryshme që të mund ta takonte. Vetëm 4 ditë para se të zhdukej, viktima kishte marrë një telefonatë nga numri i të dashurës, por që në fakt ishte i shoqi.

Ai i kishte kërkuar llogari se kush ishte, por 21-vjeçari e kishte shmangur, duke i thënë se nuk kishte njohje dhe kishte gabuar numër. Në fakt, kjo ishte vetëm parathënia e krimit që ngjau më vonë. Mendohet se një mesazh i shkruar nga numri i të dashurës të ishte kurthi për të nxjerrë në mesnatë në pritë Daniel Xhafën.

Në orën 02:00 pas mesnate, i ati ka bërë telefonatën e fundit me të birin, pa e menduar se pak minuta më vonë djali do të nxirrte frymën e fundit. Miqtë e tij të shqetësuar i kanë telefonuar, por asnjë shenjë nuk kishte, derisa mësuan lajmin e rëndë të gjetjes së trupit.

Lajmi i publikuar nga mediat greke
Lajmi i publikuar nga mediat greke

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura