Zbardhet Formulari A1, afatet e aplikimeve për maturantët e 2020-ës. Ju penalizojnë nëse merrni me vete në provim…

Nov 21, 2019 | 9:50
SHPËRNDAJE

maturantet-provim_1

BESARTA BASHA/ Zyrtarisht, gara për në universitete ka nisur. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka zbardhur formularët e parë të aplikimeve, A1 dhe A1Z, e bashkë me to ka bërë publik edhe kalendarin e datave të plotësimit të tyre.

Si asnjëherë më parë, procesi i Maturës Shtetërore nis që në nëntor, vetëm dy muaj pasi nxënësit nisën vitin e fundit të shkollës së mesme.

APLIKIMI PER PROVIME 

provimet

Shumë pak maturantë janë në dijeni që aplikimet për provimet e maturës kanë pak ditë që kanë nisur. Të paktën kështu thonë afatet e përcaktuara në urdhrin 58 të QSHA-së, që mban datën 11 nëntor, por që është publikuar vetëm një ditë më parë. Procedura e aplikimeve është e njëjtë, nga portali qeveritar në atë të maturës. Afatet e aplikimeve janë ato që afrohen gjithnjë e më shumë, vit pas viti.

“Maturanti/kandidati bën aplikimin online, fillimisht në portalin qeveritar ealbania, në periudhën 15 nëntor-13 dhjetor 2019, dhe më pas në portalin ‘Matura Shtetërore’ 2020, në periudhën 18 nëntor13 dhjetor 2019”. Si gjithnjë, besohet që në fund të këtij afati të ketë edhe pak ditë në dispozicion për maturantë, të cilët për arsye të ndryshme nuk aplikojnë brenda kohës së përcaktuar.

Ndaj, rregullorja lë shteg të hapur edhe për ta. “Aplikimi në portalin ‘Matura Shtetërore 2020’ bëhet edhe sipas afateve të vendosura nga QSHA”.

Çdo gjë do të jetë transparente. Pas plotësimit të formularëve, maturantët do të kenë mundësi të verifikojnë bazën e të dhënave që kanë plotësuar dhe të saktësojnë në rast gabimi. Një kopje e zgjedhjes fillestare që kanë bërë do të afishohet në shkollë dhe deri në datën 10 janar mund të bëhen korrigjime të mundshme. Ashtu si aplikimet, e gjithë procedura formale, që nga lista e qendrave për provime e deri te të dhënat e maturantëve, do të mundësohet në kohë rekord, me qëllimin për t’i paraprirë procesit të garës në universitete. Ndërkohë që maturantët testohen, të dhënat e tyre, bashkë me ato të vitit të fundit, do të kalkulohen nga shkollat për t’ia nisur QSHA-së dhe më pas IAL-ve, të cilat do të përzgjedhin më të mirët bazuar mbi to.

FORMULARET 

formulari

Formulari A1 për maturantët aktualë dhe A1Z për ata të viteve të kaluara do të plotësohen në rrugë elektronike dhe vetëm brenda shkollës, me ndihmën e një mbikëqyrësi. Brenda shkrimit është një kopje e dokumentit, në të cilin paraqiten, përveç gjeneraliteteve, të dhënat shkollore dhe të dhënat lëndore, që duhet të plotësohen saktë. Nga këto, një pjesë plotësohen nga maturanti dhe një pjesë nga mbikëqyrësi, që s’është tjetër veçse një person i ngarkuar nga shkolla për të mbajtur përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.

Maturantët do të duhet të përcaktojnë që në krye të herës armën e tyre të fortë, që do t’i ndihmojë ose jo në garën e mëtejme për në universitet. Kimi, Fizikë, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari e Psikologji, Filozofi e Sociologji apo Ekonomi janë tetë alternativat. Por nuk do të jetë vetëm lënda me zgjedhje ajo që përcaktohet në formularin e parë të aplikimeve për në universitet. Përveç saj kërkohet edhe gjuha e huaj, ku maturanti dëshiron të testohet.

Një opsion, nëse synon shkollimin jashtë vendit apo jo, kërkon numrin e saktë të maturantëve, për të cilët QSHAja është e detyruar të prodhojë kartonin e diplomës në kohë, brenda datës 1 korrik, me qëllim që ata të mos humbin shansin e aplikimit. Maturantët duhet të kenë kujdes tani që formulari i aplikimit të printohet dhe të ruajnë një kopje të tij deri në përfundimin e maturës. E-maili dhe numri i telefonit të shënuara në formular doemos duhen të jenë të saktë, pasi janë kanalet e komunikimit për ecurinë e nxënësit deri në fund të Maturës Shtetërore.

Rregullorja e re, telefoni me vete penalizon maturantët në provim

Ministria e Arsimit është më e vendosur se kurrë që këtë vit të mos lejojë që teza të dalë jashtë ambienteve të provimit. Pas disa viteve mosfunksionim të zhurmuesve dhe penaliteteve të shumta, rregullat janë ashpërsuar edhe më shumë. Telefoni, që çdo vit ka fotografuar tezën që në minutat e para të nisjes së provimit, do të jetë penalitet për maturantët. Këtë vit, thjesht marrja e tij me vete i përjashton nga provimi dhe rezultati nuk iu njihet. Kështu, nëse deri vjet e merrnin me vete për ta mbyllur në mjedise të përcaktuara, tashmë as nuk do të lejohet. Përveç kësaj, maturantëve u duhet të mësojnë më tepër për të siguruar më shumë pikë që të marrin një notë kaluese. Për një notë 5 nuk do të mjaftojë vetëm 20% e pikëve totale, por do të nevojiten 25%. Krahas shtrëngimeve për vlerësimin e dijeve në test, nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka lëshuar dorën me rregullat e mosnjohjes së provimit. Prishja e qetësisë në ambientin e provimit nuk do të jetë më kriter për të përjashtuar një maturant nga provimi. E njëjta gjë ndodh dhe me bar-kodin e sekretimit të testit, që nuk do të jetë më arsye për të mos i njohur rezultatin një maturanti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura