Zbardhet ekspertiza e masakrës në bulevard. Italiani vrau Goxhajn, Besnik Sulku qëlloi Lufin

Jul 3, 2015 | 19:28
SHPËRNDAJE

Përfundon ekspertiza shkencore në lidhje me masakrën me armë zjarri të ndodhur në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë më 27 maj 2015, ku mbetën të vrarë tre persona.

Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj

Sipas ekspertizës, është zbardhur mekanizmi i plotë i mënyrës se si janë vrarë dy shtetasit Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj. Ekspertiza e armëve, gëzhojave dhe predhave ka zbuluar edhe autorin e secilës vrasje. “Nga përfundimi i ekzaminimeve shkencore në lidhje me provat e gjetura në vendngjarje është provuar se shtetasi italian, Salvatore Letizia, ka vrarë shtetasin Gerti Goxhaj, që ndodhej në timonin e makinës BMW. Ndërsa Besnik Sulku rezulton se ka qëlluar dhe ka vrarë shtetasin Mentor Lufi që ndodhej në sedijen e pasagjerit të makinës tip BMW”, thanë burimet e grupit të hetimit.

Foto nga vendi i ngjarjes

Sipas tyre, ekspertiza ka provuar faktin se në vrasjen e dy personave në makinë kanë marrë pjesë dy shtetasit, pra Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Letizia, i dyshuar si “vrasës me pagesë”. Pas të shtënave ndaj automjetit tip “BMW” ku ndodheshin dy viktimat e para Gerti Goxhaj dhe Mentor Lufi, kanë qenë nipat e këtij të fundit, shtetasit Markeljan e Klejvi Doçi që kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes. Ata kanë arritur të vrasin shtetasin Besnik Sulku, ndërsa kanë goditur me makinë dhe kanë shtrirë përtokë shtetasin italian Salvatore Letizia.

TË AKUZUARIT
Për masakrën e ndodhur në bulevardin e Tiranës në datën 27 maj 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon tre persona. Shtetasi italian Salvatore Letizia akuzohet për vrasjen e Gerti Goxhajt, ndërsa vrasësi i Mentor Lufit, shtetasi Besnik Sulku, mbeti edhe vetë viktimë në atentat. Për vrasjen e tij akuzohen vëllezërit Klejvi Doçi e Markeljan Doçi, të arrestuar për masakrën bashkë me shtetasin italian Salvatore Letizia.

Ndaj tyre është ngritur akuza e veprave penale të “vrasjes për gjakmarrje”, në bashkëpunim. Sulmi me armë në datën 27 maj 2015 në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë mendohet se ishte një hakmarrje e shtetasit Besnik Sulku, për vrasjen e vëllait të tij në Holandë, më 6 prill 2015. Ilirjan Sulku, i njohur në Holandë me disa identitete, u vra mbrëmjen e 6 prillit në një ngjarje ku mendohet se kanë marrë pjesë shtetasit Markelian Doçi dhe Klejvi Doçi.

Sipas Prokurorisë, këta shtetas kanë kryer në Holandë vrasjen e Ilirjan Sulkut, vëllait të Besnik Sulkut, i quajtur Durim Sulku, në shenjë hakmarrjeje për atentatin e kryer ndaj xhaxhait të tyre, viktimës Mentor Lufi(Doçi) në Tiranë, më datë 19 dhjetor 2014.

PËRPLASJA PËR DROGËN
Dy prokurorë holandezë kanë mbërritur së fundi në Tiranë për të shkëmbyer informacion në lidhje me autorët e vrasjes së trefishtë në bulevardin “Zogu i Parë” dhe krimit të ndodhur më 6 prill në Roterdam të Holandës, ku mbeti i vrarë me disa plumba në kokë Ilirjan Sulku. Sipas të dhënave të deritanishme, rezulton se gjithçka ka nisur nga përplasja e Ilirjan Sulkut me Mentor Lufin në çështje të trafikut të drogës.

“Është përjashtuar përplasja për prostitucion, pasi Ilirjan Sulku kishte një jetë të rregullt me një shtetase ukrainase, e cila ishte me arsim të lartë juriste dhe me profesion avokate”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, shtetasja në fjalë kishte jetë të rregullt, ndërsa dyshohet se Ilirjan Sulku kontrollonte linja të lëvizjes së drogës nga porti i Roterdamit, pasi është përgjuar të ketë qëndruar e të ketë folur me persona të skeduar për çështje trafiqesh.

Po kështu, sipas Policisë holandeze, Ilirjan Sulku që rezultonte i papunë, del të ketë bërë shpenzime të mëdha e jetë luksi me makina luksoze e para të lëna vazhdimisht në lojëra fati.
TRAZHGIM SOKOLAJ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura