Zbardhet drafti final i ndryshimeve Kushtetuese, si PS dhe Opozita parlamentare votuan për heqjen e koalicioneve dhe hapjen e pjesshme të listave

Jul 14, 2020 | 15:54
SHPËRNDAJE

Ndryshimet Kushtetuese murri hajdariZbardhet drafti final i ndryshimeve Kushtetuese të propozuara nga opozita e re dhe që u miratuan sot edhe me votat e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve.

Nga drafti i propozuar nga pakicës së re, e kryesuar nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari bie në sy prekja e nenit 68 të Kushtetutës, ku theksohet se kandidatët paraqiten edhe nga koalicionet zgjedhore të partive politike. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit”.

Pikërisht ky togfjalësh, “Koalicionet zgjedhore” është hequr nga Kushtetuta. Në këtë mënyrë partitë politike edhe pas ndryshimit në sistemin elektoral do të mund të garojnë në votimet e ardhshme pa koalicione, nëse nisma miratohet në Kuvend.

Në argumentin e ekspertëve theksohet se: “Fjalia e dytë e nenit 2 në ndryshimet kushtetuese të propozuara si nismë deputetësh parashikon se: “Ndalohen koalicionet parazgjedhore”. Ndërkohë që në fjalinë e parë të po këtij neni, e cila propozon ndryshimin e fjalisë së parë të pikës 1 të nenit 68 parashikohet heqja e togfjalëshit “koalicionet zgjedhore të partive politike” nga përmbajtja e këtij paragrafi.

Heqja nga përmbajtja e pikës së parë të nenit 68 të fjalëve “koalicioneve zgjedhore” do të thotë që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij projektligji koalicionet zgjedhore nuk mund të jenë me subjekte zgjedhore. Në këto rrethana është e panevojshme vendosja e një dispozite ndaluese, për sa kohë që qëllimi i qartë i fjalisë së parë dublohet me formulimin e fjalisë së dytë të të njëjtit nen.

Diskutimi i çështjes së koalicioneve u trajtua gjerësisht në mbledhjet e përbashkëta të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit për Ҫështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të zhvilluara për shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese të propozuara. Qëllimi i nismëtarëve u shpreh qartë. Nismëtarët kërkojnë përfshirjen në mekanizmin tonë ligjor të listave të hapura dhe ky proces e bën të domosdoshëm heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Ky qëllim realizohet plotësisht nga përmbajtja e fjalisë së parë të nenit 2 dhe nuk është e nevojshme të përsëritet edhe në fjalinë e dytë.

Gjithsesi për të shprehur më qartë qëllimin e nismëtarëve, propozojmë që amendamenti të riformulohet duke hequr nga fjalia e parë e paragrafit 1, të nenit 68 togfjalëshin “koalicionet zgjedhore të partive politike”.

Me këtë riformulim nuk ndryshon qëllimi i dispozitës, por ajo vetëm riformulohet më thjeshtë në aspektin teknik dhe në funksion të parimit të qartësisë së normës”, thuhet në mendimin e ekspertëve që asistuan partitë politike në ndryshimin e Kushtetutës.

Pragu Kombëtar

Opozita e re, e kryesuar nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari janë tërhequr nga propozimi i tyre fillestar për rritjen e pragut elektoral në zgjedhje.  Në ndryshimet Kushtetuese të miratuara sot, opozita e re dhe maxhoranca kanë rënë dakord që pragu të mos jetë më 5% siç propozuan në fillim 29 firme taret e Kuvendit, por kjo të vendoset pragu kombëtar.

Në ndryshimet Kushtetuese theksohet se vetëm 2/3 listave të kandidatëve do t’i nënshtrohet listave të hapura, duke garantuar në këtë mënyrë respektimin e kuotave gjinore.
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dhe prag kombëtar.

2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.

3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”, thuhet në amendamentin e ri Kushtetutës.

Sipas ekspertëve që asistuan ndryshimet kushtetuese bëhet me dije se: Riformulimi bëhet në bazë të amendamenteve të dakortësuara të relatorëve që synojnë ruajtjen e sistemit proporcional rajonal me lista shumemërore, të cilat tashmë janë të hapura me futjen e nocionit të votës parapëlqyese për kandidatët në listë.

Njëkohësisht, ky riformulim adreson kërkesën për vendosjen e një pragu elektoral kombëtar që nuk duhet të jetë pengues për partitë e vogla, nuk duhet të frenojë dhe dekurajojë konkurrencën politike, sikurse nuk duhet të nxisë fragmentimin e Parlamentit apo të dëmtojë stabilitetin e qeverisjes.

Detajimi i kritereve dhe rregullave për zbatimin e sistemit proporcional rajonal, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes, referohen për t’u parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Parashikimi në Kushtetutë i votës parapëlqyese  në 2/3 e listës, vendos një dysheme e cila bën të mundur rritjen e standardit të konkurueshmërisë dhe garanton, përveç të tjerave, përfaqësimin gjinor” thuhet në mendimin e ekspertëve./ Panorama.al

 

Drafti final i ndryshimeve Kushtetuese

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura