Zbardhet ditari sekret i Enver Hoxhës: Beqiri bredh rrugëve të Romës e Parisit dhe nuk i bëhet vonë, se nënën e tij, këtu ja varrosën…/ Akuzat e diktatorit ndaj ministrit të Mbrojtjes, në tetorin e ’72-it

Nov 1, 2021 | 20:27
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

enPublikohen disa dokumenta të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror i PPSH-së dhe fondi personal i Enver Hoxhës), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës që ai ka mbajtur në periudhën tetor-dhjetor 1972, kur një delegacion i madh ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes me në krye ministrin Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat kryesorë të të gjitha llojeve të armëve).

Në ditar thuhet se ata u nisën për në Republikën Popullore të Kinës, ku sipas porosive të dhëna nga vetë Enveri para nisjes, ata do t’i kërkonin udhëheqjes së lartë kineze, që të ndihmonte ushtrinë shqiptare, duke e pajisur atë me teknikën luftarake, pasi ushtria shqiptare kishte ende në përdorim, armatime të Luftës së Dytë Botërore, që ua kishe dhenë Bashkimi Sovjetik që në vitin 1955.

Ditari i plotë i Enver Hoxhës lidhur me delegacionin ushtarak të kryesuar nga ministri Balluku, duke filluar nga bisedimet e tyre me kryeministrin Çu En Lai dhe udhëheqës të tjerë të lartë partiakë dhe shtetërorë të Republikës Popullore të Kinës, ku ai pasi shpreh rezervat dhe pakënaqësitë e tij për udhëheqësit më të lartë të Kinës, duke filluar nga Mao Ce Duni, Çu En Lai etj., duke i akuzuar ata deri për paaftësi në drejtimin e partisë dhe gjithë vendit, hedh hije dyshimi edhe për eliminimin fizik të ministrit të Mbrojtjes Popullore të Kinës, Lin Biao, duke i konsideruar të pavërteta akuzat e Çu En Lait, që i thoshte delegacionit shqiptar, se Lin Biao, i kishte sjellë dëme të mëdha Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze.

Pakënaqësitë e Enver Hoxhës edhe me ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, i cili nuk do të kthehej menjëherë në Shqipëri, por e kishte shtyrë edhe dy javë të tjera datën e kthimit në Tiranë, pasi kishte vendosur që të qëndronte në Romë dhe Paris, me të gjithë delegacionin që e shoqëronte!

Ditari politik i Enver Hoxhës për vizitën e delegacionit të lartë ushtarak me në krye Beqir Ballukun, në republikën Popullore të Kinës, në tetorin e vitit 1972

E MËRKURE 25 TETOR  1972

BISEDE ME SHOKËT E DELEGACIONIT USHTARAK QE DO TE SHKOJNË NE RP TE KINËS

Bisedova me shokët e delegacionit tonë ushtarak që do të shkojnë në Kinë, për kërkesat që do t’i paraqitin Shtatmadhorisë kineze. U rekomandova që kur të flasin për gjendjen politiko-ushtarake të fqinjëve tanë, në mënyrë të veçantë, theksin ta vënë mbi gjendjen që mund të krijohet në Jugosllavi pas vdekjes së Titos. U zhvillova disa variante të asaj që mund të ngjasë atje, në një rast të tillë, si dhe për detyrat që na dalin neve që çdo gjë të na gjejë plotësisht të përgatitur, veçanërisht nga ana ushtarake.

E DIEL

29 TETOR  1972

UDHËZIME PËR DELEGACIONIN TONE TREGTAR QEVERITAR QE NDODHET NE PEKIN

Bisedova sot me shokët e Kryesisë së Këshillit të Ministrave që t’u shkruajnë shokëve të delegacionit tonë tregtar qeveritar që ndodhen në Kinë të këmbëngulin në kërkesat tona dhe t’i rrëzojnë argumentimet e kundërta të Li Hsien Nienit. Të ngulin këmbë që Çu En Lai, t’i presë para vajtjes në Pekin të delegacionit tonë ushtarak, i cili do të niset pas pak ditësh dhe, në rast se nuk i pret, atëherë të presin, por çështjet e tregtisë, të mos lidhen me problemet e kërkesat që do të ngrejë delegacioni ushtarak. Çuja këtë e ka taktikë që të mos na i plotësojë nevojat tona. Qëndrimi i shokëve kinezë nuk është i drejtë, pse kërkesat tona në ekonominë e madhe të Kinës, nuk ngrenë peshë.

E ENJTE 2 NËNTOR 1972

TE TREGOHEMI SHUMË MIQËSORE E DASHAMIRE NE BISEDIMET ME SHOKËT KINEZE

Shokëve të delegacionit ushtarak, të cilët do të nisen pasnesër për në RP të Kinës, u fola përsëri dhe i porosita që bisedimet që do të zhvillojnë me shokët kinezë, të jenë shumë miqësore, me dashamirësinë që karakterizon marrëdhëniet tona marksiste-leniniste. Kërkesat t’i paraqitin, t’i arsyetojnë mirë me qëllim që nevojat tona, ata t’i kuptojnë në situatat e tyre. Prandaj, të bëhen kurdoherë diskutime të hapëta shoqërore, jo me nervozizëm, në rast se nuk plotësohen, por me suplesë.

E HËNE 6 NËNTOR 1972

DELEGACIONI YNË ARRITI NE PEKIN

Delegacioni ynë ushtarak arriti në Pekin dhe u prit ngrohtësisht nga Jeh Çen Ji dhe nga një numër i madh oficerësh të lartë. Kishte dalë dhe Li Hsien Nieni.

E PREMTE 10 NËNTOR 1972

ÇU EN LAI PRITI DY DELEGACIONET TONA QE NDODHEN NE PEKIN

Shoku Çu En Lai priti shokët e delegacionit tonë ushtarak dhe të delegacionit tregtar qeveritar dhe pati me ta një bisedë prej 4 orësh. Me shokët e delegacionit ushtarak ai do të bisedojë përsëri para se ky të kthehet. Shokëve të delegacionit tregtar, u akordoi sasinë e grurit që i kërkuan, por “me të qeshur”, Çuja u tha se «më dërguat një ultimatum që të takohesha me ju dhe më quajtët burokrat». Shokëve tanë u mungon takti në kërkesa dhe kujtojnë se duhet t’u dalë e tyrja, si të duan dhe kur të duan ata! Këto janë qëndrime jo të hijshme për ne, që na vënë në pozita të vështira me miqtë dhe për disa gjëra që ne nuk kemi të drejtë të ngulim këmbë me një qëndrim prej mushke. Duhet të kemi parasysh, se Çu En Lai nuk ka vetëm çështjet tona për të zgjidhur. Nganjëherë harrohet kjo gjë.

E HËNE 13 NËNTOR 1972

SHËNIM

Shokët e delegacionit tonë ushtarak që ndodhen në Pekin na njoftuan për mendimin zyrtar të shokëve kinezë mbi tratativat që po zhvillohen nga Vietnami i Jugut me amerikanët. Këto mendime puqen me tonat. Mendimet e mia për këtë çështje, që ia shfaqa delegates së rinisë kineze, bënë që edhe ata të na i thonë neve mendimet e tyre.

E MËRKURE 15 NËNTOR 1972

SHËNIM

Dje u kthye nga Kina delegacioni ynë tregtar. Më raportuan për rezultatet e bisedimeve.

VLORE, E DIEL 10 DHJETOR 1972

MUNGESE SENSI POLITIK

Beqir Balluku, që ka ardhur nga Pekini në Paris, siç më thonë shokët, nuk do të kthehet me avionin e së martës nga Roma, por ka kërkuar që avioni ynë të ndodhet në Bari të shtunën më 16 dhjetor. Siç duket, ai do që të qëndrojë në Paris e në Romë, tok me të gjithë shokët që e shoqërojnë. Nga ana politike kjo që po bën Beqiri, nuk është aspak e drejtë. Deri të shtunën i thonë 10 ditë që ai ka lënë Kinën, kështu që pas 10 ditëve, do të lajmërojmë se u kthye në atdhe, gjë që nuk shkon fare. Ministri i Mbrojtjes na bredh rrugëve vetëm për të shëtitur, dhe në vende jo miq. Përveç kësaj, shokët i varrosën nënën kur ai s’ndodhej këtu, por edhe për këtë çështje këtij nuk i bëhet vonë që të kthehet sa më parë në Shqipëri. Fëmijët, gjithashtu, e presin. Nuk ka si të kuptohet një gjë e tillë, veçse mendjelehtësi dhe mungesë e sensit politik nga ana e tij. Ia kemi bërë këtë kritikë edhe një herë tjetër, kur donte të bënte po këtë gjë.

VLORE, E DIEL 17 DHJETOR 1972

DUKE LEXUAR PROCES-VERBALIN F. NJË BISEDE TE ÇU EN LAIT

Duke lexuar proces-verbalin e mbajtur nga shokët tanë të delegacionit ushtarak, në bisedën e tyre me Çu En Lain në Pekin, mund të nxjerrim disa konkluzione: Më gjatë dhe kryesisht në këtë bisedë, Çu En Lai trajtoi problemet e politikës së jashtme të Kinës, disa aspekte kryesore të saj, probleme të brendshme dhe, në radhë të parë, ose në realizimet, ata i’a vënë në kurriz sabotimit të bërë nga Lin Biaoja. Kjo është tema, si të thuash, kryesore e bisedës që bëri Çu En Lai dhe për të cilën, në thelb, do të flas më poshtë. Tabloja që bëri Çu En Lai për problemet e politikës së jashtme, nuk ishte ndonjë diçka «e shkëlqyeshme», sido që e tjerrë mjaft gjatë. Në fillim, kur lexova proces-verbalin, pata përshtypjen se ai fliste për shokët tanë, por në fakt ai fliste edhe për galerinë, për shokët kinezë që kishte ftuar në atë takim.

Problemet që ngriti ai ishin të njohura për ne, por brendia nuk kishte as ndonjë origjinalitet dhe as dukej perspektiva e ardhshme e politikës ndërkombëtare të Kinës, në të gjithë gjerësinë e saj. Ishin qëndrimet e zakonshme e të njohura nga ne në OKB për një varg problemesh, që ngrenë të tjerët, dhe për të cilat Kina, duhet të mbajë qëndrim. Objektivi i këtij qëndrimi është: “Të kundërshtojë dhe të demaskojë” qëndrimet sovjetike që “mashtrojnë dhe gënjejnë të tjerët”. Kjo mirë, por ama asnjë veprim politik aktiv nuk bëhet nga ana e Kinës që të tërheqë vëmendjen në OKB, të tërheqë realisht “neutralët” nga ndikimi sovjetik dhe t’i bëjë këta “neutral” ta ndiejnë veten të ngrohtë, duke ndier te Kina një përkrahëse të fortë dhe të vërtetë. Jo vetëm kaq, por në fjalën e Çu En Lait, nuk shihet që të jetë menduar një plan pune e problemesh, që t’ua turbullojë armiqve statukuonë e rehatshme të krijuar në OKB dhe jo të detyrohesh të pranosh ligjin e tyre.

Mendoj se nuk mjafton vetëm të thuash, si Çu En Lai, që: “ne do të luftojmë edhe sikur vetëm të mbetemi në OKB, sepse luftojmë për drejtësinë”. Kjo është drejt, por derisa luftojmë për drejtësinë, duhet të na mbështetin edhe shumë të tjerë, dhe këta shumë të tjerë nuk do të na mbështetin, në qoftë se edhe ne nuk i përkrahim, e jo vetëm “duke u dhënë kredi”, sepse kështu bëjnë edhe imperialistët dhe social imperialistët, por duke i demaskuar pa mëshirë këto dy superfuqi, gjë që aktualisht Kina nuk po e bën si duhet dhe sa duhet. Popujt e vegjël duan që superfuqitë të demaskohen dhe të pengohen në veprimtarinë e tyre. Po u bëre lëshime superfuqive, po tregove nuanca dhe preferime në marrëdhëniet me to, gjoja për të balancuar ose për të kundër balancuar, atëherë humbi interesi dhe besimi i popujve ndaj teje, se ata shohin që të tilla akrobacira bëjnë çdo ditë qeveritë e vendeve të tyre për t’u shpëtuar thonjve të të mëdhenjve.

Ata vërejnë me kujdes sidomos qëndrimet e Kinës, sepse e konsiderojnë shtet socialist të fuqishëm. Kina tregon publikisht se ka nuanca në politikën e saj të jashtme, të paktën në propagandën kundër Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Çu En Lai tha se «ne u mëshojmë më shumë sovjetikëve, sepse ata mashtrojnë më shumë, se hiqen si socialistë, kurse imperialistët amerikanë janë demaskuar si të tillë». Një gjë e tillë edhe është, edhe nuk është e vërtetë, por ta shpallësh këtë dhe të bësh dallime në praktikë, nuk është e drejtë, sepse në këtë mënyrë që të dyja superfuqitë do të luftojnë me armën që u jep vetë. Revizionistët sovjetikë, me këtë rast, thonë se “Kina është kundër socializmit”, bashkohet me politikën amerikane». Dhe në fakt, vetë diferencimi që ajo bën sot botërisht, duke thënë se armiku numër një është Bashkimi Sovjetik e pastaj vijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e çon në anën e këtyre të dytëve. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura