Zbardhet dëshmia e të penduarit që i ‘zbërtheu’ SPAK-ut vrasjen e vëllezërve Haxhia. Klevis Alla: Si më kërcënoi Talo Çela, minutat para ekzekutimit dhe përçarja e grupit ‘për lekun e madh’

Jun 17, 2021 | 13:50
SHPËRNDAJE
ne foto majtas Klevis Alla dhe djathtas lart vellezerit Haxhia
Ne foto majtas Klevis Alla dhe djathtas lart vellezerit Haxhia

Do të ishte dëshmia e të penduarit Klevis Alla, e cila do të bënte që SPAK-u të finalizonte hetimet mbi vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia. Pak orë më pas, RENEA në një operacion mëngjesin e 17 qershorit, do të arrestonte dy të dyshuarit e tjerë për këtë ekzekutim, Besian Xhixha, 30-vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin.

LEXO KETU: “Siguruan mjetet për vrasjen”/ Policia sqaron arrestimin e dy të dyshuarve për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia

Më 16 qershor, u zbardh në media dëshmia e të penduarit mbi bazën e të cilës Prokuroria e Posaçme ngriti akuza për të shumëkërkuarin Talo Çela, si dhe Nuredin Dumanin e Altin Ndocin.

Këta të fundit janë marrë të pandehur për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në prill të 2020-ës, si dhe të Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë në mars të së njëjtit vit.

“Besmir Haxhinë e nxora unë në pritë. I telefonova dhe i thashë hajde të të jap lekët e borxhit. E lamë të shiheshim te tregu i makinave. Kur pashë makinën e tij e parakalova. Atë moment Talo Çela dhe Nuredin Dumani, qëlluan me breshëri. Sulmi zgjati 3 minuta.

Ne nuk e dinim që në makinë me të ishte edhe vëllai tjetër Viktori. Për vrasjen e Dorian Shkozës, dua të them se Talon e informoja unë për lëvizjet e tij.

Vrasjen e Dorianit mendoj e ka bërë Besmir Haxhia dhe Talo, nisur nga karakteristikat trupore. Shofer s’e di kush ka qenë”, mësohet të këtë thënë i penduari i drejtësisë, Klevis Alla.

RREFIMI I TE PENDUARIT

E gjithë akuza bazohet kryesisht në rrëfimin e të penduarit, i cili shpjegon se ishte Nuredin Dumani, ai që i dërgoi foton e Besmir Haxhisë dhe i tha se do ta vriste. Ai thotë se automjetin që përdorën në vrasje e bleu dhe Nuredini në zonën e Astirit, ndërsa i kishin premtuar 10 mijë euro që të kishte rolin e shoferit në vrasje, por kur ai refuzoi e morën nën kërcënim.

Para hetuesve ai tregon edhe takimin me ekzekutorët te tuneli në Shënavlash, pak minuta para se të qëllonin për vdekje dy vëllezërit.

“Kur mbërrita te tuneli në Shënavlash, aty ishte Talo Çela, Altin Ndoci e Nuredini. Talo kishte maskë me fytyrë njeriu. Nuredini kapuç si RENEA, xhup pa krahë me mbishkrimin ‘OFL’. Ata zbritën nga makina e tyre dhe morën 3 armë në bagazh. Unë shkova deri aty t’ju dërgoja makinën. Por, Talo me kërcënoi: Ma ke thënë, ti do vish me se s’bën dhe me ka kërcënuar. Hipa në ‘Toyota’-n me targa ‘AA 375 XN’. Të tre u futën në automjet. Unë telefonova Besmir Haxhinë dhe lashë takimin”.

Pas krimit ai thotë se u përpoq të fshihte provat.

“Armët i hodha në kanalin përballë xhamisë me dy minaret. Makinën e lashë te varrezat në Arapaj. Të nesërmen kam shkuar me biçikletë te makina dhe kam mbledhur gëzhojat dhe i futa në një qese, të cilën e hodha në një rezervuar”.

I penduari rrëfen edhe momentin kur oficeri i zonës i kërkoi të paraqitej në Polici dhe arsyet përse vendosi të fliste…

“Më telefonoi polici, Arbeni më kërkoi të shkoja në Polici. U tremba, por vendosa të shkoj. Tregova ngjarjen. Dërgova Policinë te vendi ku hodha armët. Palombarët i gjetën. I tregova dhe vendin ku hodha qesen me gëzhojat dhe vendin ku lashë makinën e çelësin e saj”.

Klevis Alla tregon edhe motivin e vrasjes së dy vëllezërve si dhe miqve të tyre….

“Pas ngjarjes në Rinas, filloi përçarja e grupit të Talo Çelës, Dorian Shkozës, Altin Ndocit e Besmir Haxhisë. Përçarja filloi pasi hyri në lojë lek i madh nga vjedhja e Rinasit”.

Fillimisht, Alla është përpjekur të mos e implikojë Nuredin Dumanin në krimet e rënda duke rënduar pozitën e Altin Ndocit, për të cilin fillimisht tha se kishte qëlluar ai dhe Talo Çela mbi dy vëllezërit, por më pas shpjegoi se ai kishte qenë në makinë, porse nuk kishte përdorur armë.

Katër vrasje në dy muaj,
për grabitjen në Rinas

Në korrik të vitit 2020, Prokuroria e Durrësit zbuloi organizatorin e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje e ndodhur më datë 27 prill të atij viti. Sipas Prokurorisë, autorë të kësaj ngjarjeje janë Talo Çela nga Elbasani (i vetmi që nuk është arrestuar nga grabitja e Rinasit), Nuredin Dumani nga Kavaja, Altin Ndoci dhe Klevis Alla.

Ky i fundit është edhe personi që ka zbardhur jo vetëm identitetet e autorëve, por edhe dinamikën e krimit. Katër vrasjet e ndodhura në mars dhe prill të vitit 2020 në Durrës dyshohet se kanë për motiv humbjen e një sasie të konsiderueshme parash, të cilat u vodhën në grabitjen e Rinasit nga Talo Çela dhe Admir Murataj e bashkëpunëtorët e tyre.

Mësohet se Talo Çela ka lënë një sasi të madhe parash nga ato të vjedhurat në ruajtje te vëllezërit Haxhia. Sipas dëshmisë së Klevis Allës, që mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Çela ka pasur një konflikt me viktimat, të cilëve u kishte lënë në ruajtje shumën e parave që nuk ia kishin kthyer.

Burime pranë Prokurorisë së Durrësit bënë të ditur vitin e kaluar se vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhjeje që kishte ndodhur në janar të këtij viti. Por me sa duket, një alibi të tillë nuk e ka besuar Talo Çela, i cili, edhe pse në arrati, ka filluar të bashkëpunojë me Nuredin Dumanin, Klevis Allën dhe Altin Ndocin, duke kryer vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.

Ndërkohë, disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata të katërt kanë vrarë edhe dy persona në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn, ku ende nuk dihet me saktësi se cili ka qenë motivi i këtij krimi.

Por, dyshohet se këta të fundit kishin dijeni për vjedhjen e servisit të dy vëllezërve Haxhia, madje Talo Çela dyshonte se vëllezërit Haxhia kishin futur Shkozën dhe Avdiajn të vidhnin paratë që të justifikonin mungesën e tyre te Çela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura