Zbardhet dëshmia e noteres: Biznesmeni ia dha ‘Vollgën’ Shullazit për ‘mirënjohje’

Jul 20, 2017 | 9:23
SHPËRNDAJE

Noterja, e cila ka ligjëruar dhurimin e një pjese të pronësisë të ish-hotel “Vollga” tek Emiliano Shullazi, tha dje te Krimet e Rënda se ky kalim ishte bërë me vullnet të plotë të palëve, shkruan “Panorama”.

Emiljano Shullazi
Emiljano Shullazi

Para pesëshes gjykuese të çështjes, noterja Aida Spahiu tha se palës përfituese, në këtë rast Emiliano Shullazi, i ishte dhuruar prona në shenjë mirënjohjeje nga ana e biznesmenit Ylvi Beqja.

Dëshmitarja rrëfeu se ka firmosur dy kontrata mes Beqjes dhe Shullazit. Sipas saj, kontrata e parë mes të dyve është bërë në nëntor të vitit 2014. “Ylvi Beqja dhe Emiliano Shullazi erdhën me vullnetin e tyre në zyrën time. Me kërkesë të tyre kam përpiluar një kontratë dhurimi me kusht”, tha dëshmitarja.

E pyetur nga Gjykata se cili ishte ky kusht, noterja Spahiu sqaroi: “Kushti ishte që Ylvi Beqja do t’i dhuronte Emiliano Shullazit një sipërfaqe të madhe toke tek ishhotel ‘Vollga’, por kushti do të konsiderohej i përmbushur në momentin që prona do të ishte regjistruar”. Sipas saj, një muaj pas nënshkrimit të kësaj kontrate, i kanë shkuar në zyrë sërish Beqja dhe Shullazi.

“Më 9 dhjetor 2014, palët paraqitën për të finalizuar këtë kontratë, ku Emiliano Shullazit i dhurohej sipërfaqja e tokës. Ligjërisht palët erdhën dhe kërkuan finalizimin e kontratës. Bazuar edhe në kërkesat e ligjit ‘për noterinë’ mbi të cilat ne ushtrojmë detyrën, i pyeta palët se përse bëhej dhurimi. Beqja më tha se dhurimi ishte në shenjë mirënjohjeje dhe respekti”, tha dëshmitarja.

Noterja Spahiu mohoi që të ketë marrë ndonjë kërcënim, apo të ketë vënë re ndonjë shqetësim te Beqja, apo ndonjë veprim kërcënues nga ana e Shullazit ndaj tij.

Më herët, në dëshminë e dhënë para Gjykatës në seancën e 20 qershorit 2017, Ylvi Beqja pretendoi se është kërcënuar nga Shullazi, teksa ishte në zyrën e Aida Spahiut.

“Aida, – më tha, – ‘s’kanë kaluar akoma lekët në llogarinë tënde’.

– Shullazi tha ‘për ç’lekë bëhet fjalë?’. Ajo i tha që ‘për 670 mijë euro’. Ky (Shullazi) më vuri dorën në qafë dhe tha ‘hajde këtu’. I ra qepenit dhe, kur u hap qepeni, më çoi te një ngushticë e pallatit. Aty më vuri pistoletën në bark”, pretendoi Beqja gjatë dëshmisë së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura