Zbardhet debati/ Si u vendos votimi i Kodit Zgjedhor më 1 tetor. Çfarë u tha në mbledhjen pa media në Konferencën e Kryetarëve

Sep 28, 2020 | 12:42
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si reflektim i ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut për të mundësuar hapjen e listave, pritet që brenda kësaj jave të kalojnë për votim në seancën plenare të Kuvendit. Në mbledhjen pa mediat të Konferencës së Kryetarëve në datën 23 shtator u diskutua pikërisht për ta avancuar sa më shpejt këtë proces dhe pas kërkesës së bërë fillimisht nga kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla.

ruci konferenca e kryetareveNë diskutimin e zbardhur të kësaj mbledhjeje kuptohet se nuk pati asnjë kundërshti nga ana e opozitës parlamentare, por ishte vetëm Rudina Hajdari që nuk pajtohej me draftin e paraqitur nga PS-ja, i cili sipas saj i mban listat të mbyllura. Hajdari e cilësoi propozimin që çoi PS-ja në Këshillin Politik si të papranueshëm, por në një moment asaj i tërhiqet vëmendja nga kryeparlamentari Ruçi për të mos dhënë opinione politike, por të shprehet për rendin e ditës së mbledhjes.

Pjesëmarrësit e tjerë në diskutim shprehën mendimet e tyre se Kodi Zgjedhor duhet të votohet sa më shpejt dhe se tashmë nuk është nevoja që të merret dakordësia e Këshillit Politik, pasi misioni i këtij të fundit sipas tyre ka përfunduar më 5 qershor, kur u firmos pakti nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve. Sakaq, në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve u diskutua edhe për 7 ligjet, të cilat do të ndryshojnë në kuadër të ndërhyrjeve në Kodin Zgjedhor, si pjesë të marrëveshjes së 5 qershorit.

DEBATI NË KUVEND

Taulant Balla: Sa i përket procesit të transpozimit në Kod Zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese, sikurse jeni vënë edhe ju në dijeni, në Kuvendin e Shqipërisë ka tashmë disa drafte të depozituara. Disa prej drafteve kanë kohë që kanë ardhur, ndërkohë ne si grup parlamentar kemi depozituar në vijim të atyre drafteve, në formën e një amendamenti, nëse do ta quanim, por janë amendamente që lidhen me Kodin Zgjedhor. Në Komisionin e Ligjeve ka një grup pune që i shqyrton këto, ka një afat për t’i shqyrtuar, po të kemi parasysh që koha në dispozicion për shqyrtimin e transpozimit të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor është shumë e limituar.

Nga ana jonë është shprehur gjithmonë gatishmëria që këto të diskutohen edhe në Këshillin Politik, por Kuvendi i Shqipërisë është institucioni i vetëm ku ato diskutohen zyrtarisht dhe marrin formë zyrtare institucionale. Në këtë aspekt, unë e nxis Komisionin e Ligjeve, i cili është Komisioni që ka autorësinë e diskutimit dhe miratimit të tyre. Do të ishte mirë që brenda kësaj jave grupi i punës të përmbyllte shqyrtimin, sepse nuk është ndonjë punë shumë voluminoze, janë disa drafte të propozuara nga opozita dhe drafte të propozuara nga maxhoranca parlamentare.

Nuk di të ketë ardhur ndonjë draft nga opozita joparlamentare, edhe pse ata e kanë pasur mundësinë për ta sjellë qoftë në Këshillin Politik, ose mundësi e tjera. Në votimin e 30 korrikut u kuptua qartë që edhe opozita jashtëparlamentare ka deputetët e saj, përmes të cilëve mund të marrë iniciativa për t’i depozituar. Në këtë këndvështrim, unë do të kërkoja këtu, në Konferencën e Kryetarëve, dakordësinë që ne të kemi një planifikim në kalendarin dhe programin tonë të punës, që seancën e datës 1 tetor ta kemi vendosur si një afat që të shqyrtojmë dhe të miratojmë Kodin Zgjedhor. Nuk do ta quaja Kodin e ri Zgjedhor. Kodi i ri Zgjedhor ishte Kodi që u miratua në datën 23 korrik. Këtu është vetëm një detyrim që ka Kuvendi: që çfarë ka bërë në Kushtetutë, ta kalojë edhe në Kodin Zgjedhor. Ta kemi si objektiv. Nëse e arrijmë, do të ishte një gjë shumë e mirë, sepse kuptohet qartë që, nëse kemi hyrë në tetor, kemi hyrë në gjashtëmujorin e fundit para zgjedhjeve dhe koha në dispozicion për t’ua shpjeguar zgjedhësve më pas mënyrën sesi zgjidhen deputetët duhet të jetë e mjaftueshme.

Rudina Hajdari: Unë e shikoj shumë të vështirë këtë proces, pasi edhe Reforma Zgjedhore që u përmend këtu është duke ecur, ka pasur ngërçet dhe Këshilli Politik vazhdon të ketë mosdakordësi për sa u përket ndryshimeve kushtetuese. Ajo çka është reflektuar në Këshillin Politik është se ne do të kemi një Reformë Zgjedhore, ndërkohë Reforma Zgjedhore dhe iniciatorët e ndryshimeve kushtetuese duhet të respektohen. Gjithashtu, të zbatohen ato parime që kemi thënë prej fillimit. Grupi ynë demokrat ka filluar betejën për listat e hapura, ku janë bërë disa propozime në Këshillin Politik dhe së shpejti unë do ta paraqes propozimin tim për listat e hapura 100%, ashtu siç kemi diskutuar së bashku me Partinë Socialiste, e cila u ka premtuar qytetarëve shqiptarë se do t’i hapë listat 100%, ndërkohë ka bërë një propozim që nuk e zbaton.

Ulsi Manja: Pa dashur të nënvlerësoj punën dhe veprimtarinë e Këshillit Politik, dua të sjell në vëmendjen e kolegëve që kjo axhendë tashmë është në Komisionin e Ligjeve. Janë depozituar në Komisionin e Ligjeve amendamentet e firmosura nga grupi i punës, zoti Gjiknuri dhe zonja Bushka, lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto amendamente, duke respektuar Rregulloren e Kuvendit, do të bashkohen edhe me një draft tjetër të disa ndryshimeve që janë në Kodin Zgjedhor dhe jemi në pritje edhe të sugjerimeve dhe të propozimeve të kolegëve të tjerë, qoftë të maxhorancës, qoftë të opozitës parlamentare. Këshillin Politik, ai le t’i vazhdojë diskutimet e veta, por vetë përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik e dhanë notën për atë Këshill, i cili e ka mbaruar veprimtarinë e vet që në momentin kur u votuan ndryshimet e dakordësuara në datën 5 qershor.

Rudina Hajdari: Kushtetuta u ndryshua për t’u hapur këtë derë të madhe shqiptarëve, që të futen në Kuvend me përfaqësi më dinjitoze, me një demokraci më funksionale, më përfaqësuese dhe jo më me servilë që vijnë këtu, të cilët, ashtu siç doni ju sot, të shqyrtojnë me kartonë propozime të Reformës Zgjedhore për hapjen e listave dhe me imponimin e kartonit, që keni në Parlament si maxhorancë, të na bëni gjëmën duke mos ndryshuar absolutisht asgjë dhe të mos bëni asnjë hap përpara, siç bëtë edhe me gjërat e tjera në Kodin Zgjedhor. Që kjo histori nuk do të ecë përpara…

Gramoz Ruçi: Të lutem, diskuto për kalendarin dhe mos jep opinione politike!

Rudina Hajdari:…opozita parlamentare do të bëjë çka është e mundur që ato lista të jenë ashtu siç ua kemi garantuar qytetarëve shqiptarë, pra që të jenë të hapura 100%. Ju doni t’i mbani listat e mbyllura 70%, bujrëm, mbajini të mbyllura, por mos lejoni të tjerët që t’i mbyllin listat dhe të fusin njerëz që nuk përfaqësojnë popullin shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura