Zbardhet debati/ Ruçi kthen deputetët nga udhëtimet jashtë shtetit, Mediu: Po na krijon kosto

Mar 17, 2018 | 9:13
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Pjesëmarrja e deputetëve të maxhorancës dhe opozitës në delegacionet e përhershme, ka qenë objekt debati në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.

Konferenca e Kryetareve
Konferenca e Kryetareve

“Panorama” ka zbardhur procesverbalin e mbledhjes pa media, ku mësohet se përplasja mes maxhorancës dhe opozitës ka nisur për shkak se kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka penguar deputetët të lëviznin në delegacione ditët e enjte, kur ka seancë parlamentare. Kjo, për faktin se maxhoranca aktuale ka 74 mandate në Parlament dhe me largimin jashtë vendit të vetëm 5 deputetëve, kjo i pamundëson kuorumin në Kuvend. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka ngritur shqetësimin se Gramoz Ruçi ka urdhëruar kthimin nga Asambleja e NATO-s edhe të deputetëve të opozitës.

“Do t’ju lutesha që ta shikoni këtë çështje pasi na ka qëlluar dy apo tri herë dhe janë bërë sforcime të lëvizjeve dhe që ka krijuar më pas kosto shumë herë më të mëdha për të ndryshuar axhendën. Çdo grup parlamentar apo deputeti vetë duhet ta vendosë nëse vjen apo nuk vjen në seancë plenare”, ka thënë Mediu. Por Gramoz Ruçi ka theksuar se ka zbatuar vendimin që ka kërkuar grupi i maxhorancës.

“Unë, në asnjë rast, nuk kam ndaluar delegacione për të shkuar, minimumi që kam bërë është kjo, që të vijnë një ditë përpara seancës ose të vijnë ditën e seancës deri në orën 12:00”, ka thënë Ruçi. Por në diskutim e sipër, ai ka pranuar se zgjidhja mund të gjendet dhe se grupet e tjera parlamentare të vendosin që deputetët e opozitës të vazhdojnë axhendën.

DEBATI ME DYER TË MBYLLURA

Fatmir Mediu: Zoti Ruçi, unë kam një shqetësim për sa u përket delegacioneve të përhershme të Kuvendit. Bëhet fjalë kryesisht për në OSBE, NATO apo delegacionet e Komunitetit Europian. Ju keni përcaktuar që në ditët e seancave plenare delegacionet të ndërpresin aktivitetin, në fakt kjo na krijon një problem sepse në momentet kur ka debat plenar apo kur ka vendimmarrje, ne nuk jemi prezentë. Kjo është një situatë e vështirë, domethënë, besoj se ka ndonjë gjë që nuk funksionon, sepse kjo varet nga çdo grup parlamentar për të përcaktuar pjesëmarrjen ose jo në seancën plenare të deputetit përkatës. Prandaj, do t’ju lutesha që ta shikoni këtë çështje pasi na ka qëlluar dy apo tri herë dhe janë bërë sforcime të lëvizjeve, që kanë krijuar më pas kosto shumë herë më të mëdha për të ndryshuar axhendën. Çdo grup parlamentar apo deputeti vetë duhet ta vendosë nëse vjen apo nuk vjen në seancë plenare.

Gramoz Ruçi: Shiko, siç e ngrini ju këtë problem, këtu janë 4 grupe parlamentare. Grupi i maxhorancës ka ngritur problemin që deputetët e saj, për arsye që dihen, edhe kur keni qenë ju në pushtet, duhet të jenë në seancë. Unë, në asnjë rast, nuk kam ndaluar delegacione për të shkuar, minimumi që kam bërë është kjo, që të vijnë një ditë përpara seancës ose të vijnë ditën e seancës deri në orën 12:00. Kur kjo është e pamundur, atëherë e kam ndaluar këtë maxhorancë, sipas kërkesës së maxhorancës.

Fatmir Mediu: Këtë shqetësim e ngre se në datë 23, 24 shkurt është Asambleja Parlamentare e OSCE-së në Vjenë dhe e keni kërkuar për të gjithë ose është keqinterpretim. Duhet të ketë qenë nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë.

Gramoz Ruçi: Çfarë kam thënë unë?

Fatmir Mediu: Që do të jeni vetëm për kohën jashtë seancës plenare. Pra, nga tri ditë që është aktiviteti, duhet të jemi një ditë e gjysmë sepse pjesa tjetër…

Gramoz Ruçi: Shënim të tillë kam vënë, megjithatë juve, s’e kam kërkesën nga asnjë grup parlamentar i opozitës, nëse është ashtu, të bëhet diferencimi që pjesëtarët e maxhorancës do kthehen dhe pjesëtarët e opozitës të vazhdojnë qëndrimin.

Fatmir Mediu: Disiplinën e deputetit e përcakton grupi. Kryetari i grupit do të thotë që do kthehesh dhe kaq. Është disiplinë brenda grupit, këtë po them.

Gramoz Ruçi: Është ndjekur ajo disiplinë që ka qenë. Me pak fjalë, sipas kërkesës së grupit të maxhorancës, deputetët e maxhorancës do kthehen për punën në seancë, juve s’e keni këtë kërkesë, do vazhdoni aq ditë sa e keni planin. Dy çështje që unë i kam me merak janë: E para, lidhur me planin që keni bërë për raportimin e institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj. Në takimin me Avokatin e Popullit, më rezulton që Plani i Veprimit nuk ju është bërë i njohur. Përse është zvarritur? Plani i Veprimit, i miratuar nga Konferenca e Kryetarëve dhe më pas në seancë, nuk ju është bërë i njohur institucioneve të pavarura! Lidhur me këtë, duhet t’i kujtoj kryetarët e komisioneve që ai plan që keni miratuar, të programohet në mbledhjet e komisioneve dhe për seancat kur e keni parashikuar në program dhe kalendar.

Mimoza Pano: Kryetar, ne kemi miratuar kalendarin e raportimeve vjetore për veprimtarinë e çdo institucioni kushtetues dhe institucioni të pavarur të krijuar në ligj. Mbi bazë të këtij kalendari që ka miratuar Konferenca e Kryetarëve, Sekretari i Përgjithshëm ka dërguar shkresë çdo institucioni për të respektuar afatin ligjor, për të depozituar në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit. Ky proces është kryer nga ana e Kuvendit dhe administratës. Tani priten afatet që të vijnë raportet vjetore.

Gramoz Ruçi: Sot, Avokati i Popullit tha se nuk kam dijeni! Lidhuni me të dhe verifikojeni dhe një herë dhe të parashikohen edhe për zbatimin e afateve të tyre për raportet, por dhe më pas se kush e ka në komision dhe më pas të ndiqet në seancë. E dyta, përsëri për çështjen e Avokatit të Popullit, Komisioni i Ligjeve ju lutem, kur përfundon telenovela e komisionerëve?

Ulsi Manja: Lidhur me kandidaturat për komisionet e Avokatit të Popullit, kemi vetëm një seancë të mbledhjes së komisionit për të përcaktuar kandidatët që do t’i përcillen seancës plenare për votim.

Gramoz Ruçi: Kur do ta bëni?

Ulsi Manja: Javën tjetër. Javën që vjen e mbyllim.

Gramoz Ruçi: Do të kërkoja mirëkuptimin e zotit Balla, zotit Spaho, zotit VasIli, zotit Mediu, që mund të rakordoni që të përputhen mendimet për kandidaturat që duhet të mbështesë Kuvendi, fjala vjen, mund të jenë 4 kandidatë ku mund të ketë një dakordësi midis palëve, që mundësisht komisionerët të miratohen me dakordësinë e të gjitha palëve. Ju lutem, rakordoni me njëri-tjetrin dhe kthejini përgjigje Avokatit të Popullit që ajo të përcjellë shqetësimet e saj te ju kryetarët e grupeve, të takohet me ju.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura