Zbardhet debati në Komision/ Braçe mbron ligjin për rajonet: Meta po sillet si në 1996. Presidenca: Rrit pushtetin e…

Sep 11, 2020 | 14:15
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Ligji për rajonet dhe kohezionin që u kthye nga Presidenti Meta në Kuvend gjatë muajit gusht është rrëzuar në Komisionin e Ekonomisë, por para se votohej, ka pasur një përplasje mes numrit 2 të qeverisë, Erion Braçe, dhe përfaqësuesit të Presidencës, Bledar Dervishaj.

Meta-kater-rajonet-brace

Braçe e ka cilësuar si një dokument të mbushur me gënjeshtra dekretin e Presidentit dhe kërkoi që përfaqësuesi i Metës në Komision të kërkonte falje për ofendimin që u bëri deputetëve, pasi ky i fundit në fjalën e tij u shpreh se mosreagimi i Kuvendit për këtë ligj të qeverisë flet për cilësinë e parlamentit aktual.

DEBATI NË KOMISION

Bledar Dervishi: Përmes këtij ligji kompetencat e qarkut i kalojnë Komitetit Rajonal Për Zhvillim dhe Kohezion, komitet ky që ngrihet nga Këshilli i Ministrave. Pra ky komitet me varësi të drejtpërdrejtë politike do të duhet të dublojë përmbushjen e detyrave të një organi kushtetues si qarku dhe Këshilli i Qarkut. Bëhet e dukshme se qëllimi real i ligjit duhet të jetë përqendrimi i pushtetit në Këshillin e Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor, sipas Kushtetutës, duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij. E drejta për të vendosur kufijtë administrativë territorialë i takon vetëm Kuvendit, i cili mund ta bëjë vetëm mbi bazën e asaj që lejon Kushtetuta. Ndaj dhe miratimi i këtij ligji është shkalla më e rëndë e antikushtetutshmërisë së veprimtarisë së Kuvendit në procesin legjislativ. Kjo kompetencë antikushtetuese që merr Këshilli i Ministrave shoqërohet tashmë edhe me krijimin e organizmave paralelë, që nuk bën gjë tjetër veçse shmang detyrimet e pushtetit lokal. Pranimi i këtij qëllimi të qeverisë, përmes miratimit të këtij ligji, tregon qartë se Kuvendi e ka humbur autoritetin kontrollues kundrejt Këshillit të Ministrave. Tashmë duket se kontrolli politik nga qeveria i pushtetit legjislativ edhe i pushtetit vendor vlerësohet si një normalitet dhe kjo ndjesi reagimi është e qartë se buron nga realiteti i shtrembëruar i këtyre organeve, Parlament dhe pushteti vendor, të cilat aktualisht janë nën kontrollin e së njëjtës forcë politike. Miratimi i ligjit për rajonet dhe kohezion krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë.

Milva Ikonomi: Dua t’ju kujtoj edhe një herë që ky projektligj ka si për qëllim zhvillimin e integruar.

Senida Mesi: Dua të tërheq vëmendjen për atë që dëgjova nga z. Dervishi, që ligji për rajonet dhe kohezionin, nuk ka aspak lidhje me ndryshimet kushtetuese që u bënë në 30 korrik.

Erion Braçe: Do doja të thosha disa të vërteta që lidhen me politikat e zhvillimit rajonal, jo për tani, por që nga viti 2010, kur në qeveri kanë qenë dy parti, partia e Sali Berishës dhe partia e Presidentit. Nga ligjërimi që dëgjova këtu më parë, por përkufizimi i Kushtetutës ku thuhet se Presidenti është kryetari i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, nuk përfaqësohet dhe hidhet përdhe, pikërisht duke iu referuar disa mendimeve që burojnë nga Kushtetuta. Ajo që më vjen keq dhe që është një element kyç, ku përfaqësimi i unitetit të popullit griset copa-copa janë fyerjet dhe gënjeshtrat. Dua t’i them Presidentit dhe çdo përfaqësuesi të tij që nuk kanë tagër ligjor që të fyejnë cilindo deputet të Kuvendit, nuk kanë tagër të bëjnë asnjë përcaktim për deputetët si janë zgjedhur dhe si ushtrojnë detyrën. Është e turpshme që Presidenti merret me deputetët. Është e turpshme që Presidenti i njeh deputetët dhe ua dekreton ligjet dhe herë vjen këtu dhe i fyen. Hera e fundit që Shqipëria ka pasur një model presidenti të tillë është viti 1996, ka vijuar në ’97 dhe kujtoni se çfarë i ka ndodhur Shqipërisë. Atë model nuk e kanë pasur asnjë ditë presidentët Mejdani, Moisiu, Topi edhe Nishani. Në dekret janë rreshtuar gënjeshtra që nuk i duhen kurrkujt.

Milva Ikonomi: I jap fjalën z. Dervishi që e ka kërkuar për t’i dhënë përgjigje…

Erion Braçe: Zonja kryetare, nëse zotëria do të marrë fjalën, duhet të kërkojë ndjesë ndaj deputetëve që i fyeu.

Bledar Dervishaj: Për t’u kthyer përgjigje 2 pyetjeve të zv.Kryeministrit, në kundërargumentet që u dhanë, u vu në diskutim kompetencat e Presidentit…

Erion Braçe: Unë nuk kam bërë pyetje dhe nuk kam nevojë për përgjigje. Nuk ka askush të drejtë që të më referohet kur nuk e kam përmendur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura