Zbardhet debati me dyer të mbyllura në PD-së, Basha ironizoi Bregun

Oct 4, 2015 | 9:59
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi dje Kryesinë e PD-së dhe për më shumë se dy orë është analizuar rezultati i zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

grupi-parlamentar-PD
“Mbi zgjedhjet vendore 2015”, sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, ka prezantuar përpara anëtarëve të Kryesisë rezultatet dhe problematikat me të cilat u përball Partia Demokratike në procesin zgjedhor që lamë pas. Krahasimi i rezultatit është përqendruar në votat që PD ka marrë gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 dhe atyre të 21 qershorit 2015.

Burimet nga mbledhja e kryesisë janë shprehur se anëtarët kanë mbështetur raportin, ku rezulton se në total PD ka marrë një rezultat më të mirë se ai i zgjedhjeve të vitit 2013, megjithatë janë evidentuar edhe qarqe në të cilat ka pasur një rezultat më të dobët.

Anëtari i ri i Kryesisë së PD-së, Arben Imami, ka shfaqur pakënaqësi lidhur me raportin e hartuar nga Sekretariati i PD-së, pasi sipas tij në pjesën më të madhe të raportit flitet për kundërshtarët politikë të PD-së, ndërkohë që vetëm në 1/3 e tij fliten për vetë problematikat që ka PD.

Për të dalë në rezultate më konkrete, Kryesia e PD-së ka vendosur të miratojë ngritjen e një grupi ad hoc me detyrë përgatitjen e propozimeve për çdo degë, për çështjet e riorganizimit dhe funksionimin e PD-së në territor.

Basha u ka dhënë një afat trejavor grupeve që do të merren me procesin e “Analizë-Riorganizimit” për të sjellë propozime konkrete për degët e PD-së në të cilat duhet ndë- rhyrë. Pjesë e grupit që do të merret me këtë proces do të jenë anëtarët e sekretariateve, kryesisë por edhe deputetë të PD-së.

Rezerva për raportin ka shprehur edhe deputetja e PD-së, Majlinda Bregu. Kryetarja e Komisionit të Integrimit ka replikuar edhe me kreun e PD-së, Basha, lidhur me faktin se përse raporti nuk ishte shpërndarë paraprakisht nga Ristani, duke u ndalur edhe në rezultatin që ajo vetë mori në Njësinë 7 në Tiranë në të cilën ishte e ngarkuar në zgjedhjet vendore.

Ndërkohë që deputeti Ridvan Bode i ka kërkuar kryetarit Basha që të jetë i kujdesshëm me përgjegjësitë që do të ndajë në degët e PD-së, pasi krijimi i pakënaqësive në radhët e strukturave do të ndikonte në rezultatin për zgjedhjet e ardhshme. Njëkohësisht me riorganizimin, PD do të përgatisë programin politik për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Basha do të nisë nga kjo javë takimet me qytetarët, të cilëve shumë shpejt, siç premtoi kreu i PD-së, do t’u paraqesë paketën e shpëtimit.

“Fjalën e kanë qytetarët dhe për të dëgjuar fjalën e tyre nuk ka nisje dhe përfundim të turit, por ka një kontakt të vazhdueshëm me ta nga të gjithë drejtuesit e PD-së, e në veçanti nga unë.

Duke filluar nga java e ardhshme, do të jem në terren me qytetarët për të dëgjuar fjalën e tyre dhe për të thënë edhe ne fjalën tonë”, tha Basha në përfundim të mbledhjes. Riorganizimi, ashtu siç ishte paralajmëruar, do të përfshijë edhe Forumin Rinor të Partisë Demokratike, i cili siç theksohet në raport, pavarësisht përfshirjes aktive të të rinjve në procesin e fundit zgjedhor, sërish strukturat rezultuan inekzistente.

DEBATET

Arben Ristani:
Në raportin që kemi hartuar, jemi përpjekur të sqarojmë të gjithë faktorët që ndikuan në rezultatin që PD mori në zgjedhjet e 2015-s. Duke mos anashkaluar përgjegjësinë e drejtpërdrejtë dhe mosfunksionimin siç duhet të një sërë degësh, ka pasur shumë faktorë që ndikuan në rezultat. Një nga faktorët më të rëndësishëm është ndarja e re territoriale, përfaqësues të maxhorancës gjithashtu janë investuar për blerjen masive të votës, faktorë këta të cilët janë përmendur edhe në raportin e OSBE/ ODIHR-it.

Arben Imami: Unë gjykoj se raporti duhet të ishte më i detajuar lidhur me të dhënat që kanë të bëjnë me vetë PD, gjë të cilën nuk e shoh të reflektuar në punën që ju keni bërë. Ky që prezantohet është një raport që në 3/4 e tij flet për kundërshtarët tanë politikë dhe vetëm në 1/3 për ne.

Lulzim Basha: Rezultatet konkrete dhe ndërhyrjet e duhura do t’i bëjmë pasi grupi që do të merret me analizën e çdo dege do të sjellë sugjerimet e duhura. Do të riorganizojmë çdo strukturë të PD-së në të cilën ka probleme, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjen në nivelet drejtuese, nëse qëndrojnë aty problemet.

Ridvan Bode: Këshilloj që të jemi të kujdesshëm me ndërhyrjet që do të bëjmë në degët e PD-së. Duhet të bëjmë ndërhyrje, por jo të krijojmë pakënaqësi apo klane brenda strukturave në rrethe, pasi do të dëmtonim sërish PD-në.

Majlinda Bregu: Raporti i përgatitur mund të na ishte vënë prej kohësh në dispozicion që edhe ne të krahasonim rezultatet në zonat ku kemi qenë të ngarkuar me punë.

Lulzim Basha: Rezultatet kanë qenë publike.

Majlinda Bregu: Unë do të doja të isha njohur më parë me rezultatet e Njësisë Administrative 7, në të cilën kam qenë e ngarkuar. Lulzim Basha: Po t’i kishe kërkuar, mund t’i merrje në faqen e KQZ-së, aty janë të afishuara rezultatet për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura