Zbardhet debati me dyer të mbyllura, ja ç’ndodhi në mbledhjen 5 orëshe në PS. Rama: Duhet të…

Dec 25, 2018 | 17:40
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Protesta e studentëve dhe shuplaka që qeveria mori prej tyre ka qenë në qendër të mbledhjes së djeshme të Kryesisë së Partisë Socialiste.

rama-ps

Për më shumë se pesë orë, anëtarët e Kryesisë socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama kanë diskutuar rreth mënyrës se si kjo parti duhet të qaset ndaj studentëve dhe qytetarëve. Mësohet se kryesocialisti Rama është shprehur se, pavarësisht sondazheve të bëra me publikun, por dhe statistikave për rezultatin e reformave që ka ndërmarrë qeveria, perceptimi i publikut për punën e qeverisë nuk përputhet me shifrat.

Në një farë mënyre, kryesocialisti u tregua skeptik ndaj sondazheve që PS dhe qeveria zhvillon në mënyrë periodike me qytetarët për perceptimin e tyre ndaj qeverisë. Këtë, sipas tij, e treguan protestat e studentëve, të cilët, edhe pse reforma në arsimin e lartë është detajuar dhe me akte nënligjore dhe autonomi universitare, nuk mundi t’i bindë se efektet e saj janë afatgjate dhe jo momentale.

rama-majko-ruci-kryesia

Në këtë kontekst, kryesocialisti mësohet se ka adresuar kritika ndaj Forumit Rinor Eurosocialist dhe Forumit të Gruas Socialiste, të cilat duhet të kishin dijeni për problematikat që kishin studentët, të cilat kulmuan në artikulimin e tyre përmes protestave 17- ditore.

Kreu socialist ka ngritur pikëpyetje se si ka mundësi që një forum rinor, në zemër të jetës studentore universitare, nuk arriti të përcjellë në forumet drejtuese të PS-së, Kryesinë, Asamblenë, Sekretariatin, por dhe Grupin Parlamentar të shqetësimeve që kishin studentët për t’i bërë ato objekt të diskutimit të brendshëm, pa qenë nevoja që ato të merrnin formën e rrugës e për t’u bërë subjekt i përfitimeve politike nga partitë e opozitës.

Në diskutimet e zhvilluara dje në Kryesinë socialiste u hodh ideja e një strategjie të re të komunikimit me publikun, e cila duhet të përfshijë takime të hapura me grupe interesi, brenda komuniteteve në njësitë administrative, ku të sqarohen vazhdimisht hapat që ndërmerr qeveria dhe të merret opinioni i tyre, i cili do të ndikojë dhe në draftin që propozohet.

rama kryesia2

HAPJA

Anëtarët e Kryesisë, që kanë marrë fjalën, kanë folur për domosdoshmërinë e një qasjeje tjetër të partisë ndaj publikut. Sipas tyre, kjo duhet të fillojë nga organizata socialiste. Kritika, pa emra të përveçëm, janë hedhur ndaj organizatave, por dhe degëve socialiste në njësitë administrative, të cilat drejtohen nga po të njëjtët njerëz për 10 apo 15 vite, duke e mbyllur partinë ndaj afrimeve të reja në këtë parti.

Për përfitime pushteti, mësohet të jenë shprehur në kryesi anëtarë të saj, ata nuk lejojnë të afrohen të rinj, intelektualë, biznesmenë, përfaqësues të shoqërisë civile, duke vendosur një distancë me qytetarët dhe një fiktivitet në raportimet e tyre për perceptimet e publikut ndaj partisë. Kreu socialist ka kërkuar që partia të hapet dhe të kthehet në një organizëm diskutimi dhe debati të problematikave të qytetarëve.

rama kryesia deklarate

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë, ne do dimë se sa reformat që kemi ndërmarrë apo një vendimmarrje e rëndësishme ka ndikuar në jetët e tyre.

“Persona jo anëtarë të PSsë, por që janë simpatizantët tanë, që përqafojnë dhe mbështesin politikat tona, duhet të jenë pjesë e diskutimeve tona në parti. Dikur kemi pasur simpatizantin e PS-së, nuk na funksionoi. Koha e ka sjellë si domosdoshmëri këtë hallkë të organizimit tonë. Të merret mendimi i tyre dhe kjo të raportohet sipas hierarkisë partiake që kemi”, mësohet të jetë shprehur kryesocialisti. Sipas tij, nuk mjafton shtimi i partisë me 30 mijë anëtarë, nëse mungon kontakti me qytetarët dhe marrja e mendimit të tyre për reformat e qeverisë.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura