Zbardhet debati i plotë në PD, Topalli: Kryetarët e degëve po më sulmojnë. Fufi i kujton Lefterinë

Jul 2, 2015 | 14:04
SHPËRNDAJE

Mbledhja e parë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pavarësisht përgjegjësive që kryetari Basha mori në fillim të mbledhjes, nuk mundi t’i shmangë dot debatet.

Ish-kryetarja e Parlamentit dhe deputetja e vetme e PD-së që ka pranuar publikisht humbjen, Jozefina Topalli, nuk i kurseu kritikat ndaj kreut të partisë, Lulzim Basha, për organizimin e zgjedhjeve dhe sjelljen e disa prej kryetarëve të PD në rrethe pas publikimit të rezultateve. 

Mhill Fufi, Lefterie Luzi dhe Jozefina Topalli

Topalli ishte ndër deputetet e para që mbërriti në sallën e mbledhjeve të grupit dhe duke pranuar urimet e kolegëve për fitoren e arritur si e deleguar në Shkodër, priti me qetësi daljen e kamerave nga salla pas fjalës së mbajtur nga Basha, për të replikuar drejtpërdrejtë me kryetarin e PD. Duke i ngarkuar drejtuesit e degëve lokalë të PD në rrethe me përgjegjësinë kryesore të humbjes, Topalli kërkoi nga Basha që të marrë masa ndaj tyre, madje edhe të shkarkojë ndonjë që ka thyer rregullat.

“Kryetar kam një vërejtje. Dua që t’u kërkoni kryetarëve të degëve që të mos mbajnë qëndrime të tilla. Ata janë persona që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në rezultatet që Partia Demokratike ka arritur në këto zgjedhje, pasi janë ata që duhet të organizojnë strukturat. Kërkoj që secili prej tyre të mbajë përgjegjësi për ato që thotë dhe shkruan”, i është drejtuar Topalli Bashës.

Mbledhja e djeshme e grupit te PD

Ndërkohë që kreu i PD-së, duke iu referuar një shprehjeje të ish-Presidentit amerikan, Donald Regan, i ka kujtuar Topallit se betejën politike demokratët e kanë me njëritjetrin, por me maxhorancën në pushtet. “Betejën e kemi me kundërshtarët dhe jo me veten, ndaj në këto muaj në vazhdim dua që të gjithë bashkë të bëjmë analizën e humbjes dhe jo të drejtojmë gishtin drejt njëri-tjetrit”, i ka thënë kreu i PD-së, Lulzim Basha, deputetes së Shkodrës, Topalli.

REPLIKA
Ndërhyrja e djeshme ndoshta është ndër të vetmet që deputeti i qarkut të Lezhës, Mhill Fufi, ka bërë që nga koha që u zgjodh deputet në mbledhjet e grupit. I revoltuar nga reagimi dhe kërkesa për marrje përgjegjësie që deputetja Topalli kërkoi për kryetarët e degëve, deputeti Mhill Fufi kërkoi që edhe vetë deputetja e Shkodrës të ndiejë përgjegjësi për të zgjedhurën e saj në KQZ, Lefterije Luzi.

“Një pyetje kam për ju zonja Topalli. Po ju mbani përgjegjësi që çuat në KQZ, Lefterinë? Ajo tani është bërë me maxhorancën dhe mban krahun e tyre, kush mund të përgjigjet për këtë situatë?”, deklaroi Fufi, vëllai i të cilit me votat e KQZ-së, nuk u lejua të kandidonte në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Kurbinit. Ndërhyrja e kryetarit Basha ka qenë sërish pika e kthesës në një mbledhje, në të cilën deputetët në vend të retorikave u mjaftuan me detyrat që kreu i PD la për të analizuar humbjen.

Seanca e sotme plenare është beteja e parë në të cilën deputetët e opozitës do të përballen me ata të maxhorancës. Udhëzimet e dhëna nga kryedemokrati Basha në mbledhjen e grupit do të dëshmojnë sot edhe sjelljen e re të opozitës në Parlament, e cila nuk ka si synim të saj bojkotin, por denoncimin e çdo fakti dhe prove që dëshmon për manipulimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë që në pritje të publikimit të raportit përfundimtar nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR mbi cilësinë e zgjedhjeve, opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, do të vijojnë të denoncojnë procesin zgjedhor të zhvilluar më 21 qershor. 

DEBATI NE GRUPIN E PD

Jozefina Topalli: Zoti kryetar kam një vërejtje. Dua që t’u kërkoni kryetarëve të degëve që të mos mbajnë
qëndrime të tilla. Ata janë persona që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në rezultatet që Partia Demokratike ka arritur në këto zgjedhje, pasi janë ata që duhet të organizojnë strukturat. Kërkoj që secili prej tyre të mbajë përgjegjësi për ato që thotë dhe shkruan.

Lulzim Basha: Zonja Topalli, jemi mbledhur për të bërë analizën e zgjedhjeve dhe për të përcaktuar
axhendën për seancën që do të kemi nesër në Parlament. Në këtë situatë dua t’ju kujtoj një shprehje të Presidentit amerikan Regan, që thoshte “Betejën e kemi me kundërshtarët dhe jo me veten”, ndaj në këto muaj në vazhdim dua që të gjithë bashkë të bëjmë analizën e humbjes dhe jo t’i drejtojmë gishtin njëri-tjetrit.

Jozefina Topalli:
Unë kërkoj që qëndrimi që do të mbajmë, të jetë institucional. T’i je kryetari i Partisë,
mund të mbash një qëndrim zyrtar dhe institucional njësoj siç mbajte sot për situatën e zgjedhjeve. Nuk
ka nevojë për zëra periferikë të kryetarëve të degëve që vijnë dhe hedhin akuza. Jeni ju ai që do të ndani përgjegjësitë për zgjedhjet. Gjithsecili pastaj duhet të mbajë përgjegjësi personale për atë që ndodhi dhe kur e them këtë e nis nga vetja në fillim. Unë e kam paralajmëruar prej kohësh situatën me të cilën po
hynim në zgjedhje, ajo nuk ishte e panjohur, prandaj them që duhet të mbajmë përgjegjësi.

Mhill Fufi
: Një pyetje kam për ju zonja Topalli. Po ju mbani përgjegjësi që çuat në KQZ, Lefterinë? Ajo tani
është bërë me maxhorancën dhe mban krahun e tyre kush mund të përgjigjet për këtë situatë?

Lulzim Basha
: Nuk është ky objekti i diskutimit për të cilin jemi mbledhur sot. Jua thashë edhe një herë që ka nevojë për një analizë, nga e cila të nxjerrim përgjegjësitë e gjithsecilit. Të gjithë deputetët e deleguar në të gjithë vendin së bashku me kryetarët e degëve do të mbledhin faktet për gjithë parregullsitë që shoqëruan procesin zgjedhor. Këto fakte do të diskutohen këtu në seli mes nesh dhe më pas do të dalim në bazë për të ndarë me strukturat përgjegjësitë dhe gabimet e gjithsecilit. Dua që gjatë këtyre kohëve të bëhet analiza e çdo kutie dhe të çdo vote.

JUXHIN MUSTAFARAJ

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura