ZBARDHET DEBATI/ Gjyqi në KAS zbulon hilenë e votës me gisht, si e mbrojti qeverinë nga hetimi i zgjedhjeve! Punonjësi i KQZ-së tregon shkeljet nga verifikimet e pajisjeve

May 13, 2021 | 11:59
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje duket se nuk e ka zhdukur fenomenin e votimit familjar apo të shumëfishtë.

kas-pajisja-elektronike

Në seancën e djeshme të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ doli në pah mundësia që në zgjedhjet e dy javëve më parë të jetë votuar më shumë se një herë nga një person. Në seancën e djeshme po shqyrtoheshin ankimimet e subjekteve zgjedhore për qarkun e Gjirokastrës.

Një nga pretendimet e Partisë Demokratike ishte se në qarkun e Gjirokastrës ka pasur votim familjar ose raste ku një person ka votuar më shumë se një herë. “Një nga rastet që u evidentua si më flagrante që u evidentua si shkelje ishte edhe votimi më shumë se një herë e konkretisht edhe në qarkun e Gjirokastrës.

Një nga risitë e zgjedhjeve të 25 prillit ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve që nënkupton identifikimin e zgjedhësve përmes identifikimit të të dhënave personale nga leximi me pajisje dhe regjistrimi në pajisje në shenja daktiloskopike.

Identifikimi elektronik synonte të eliminonte votimin më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi apo në qendra të tjera. Megjithatë, siç u konstatua nga ODIHR-i për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion pati problem me vënien në punë të këtyre pajisjeve.

Ajo që mbetet problematike është fakti se fenomeni i votimit të dyfishtë vazhdoi të ishte problem. Ndaj kërkuam prova të tjera”, tha përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu në KQZ. Për këtë pretendim ata kërkuan nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve të administronte kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet elektronike në atë qark.

Drejtuesi i mbledhjes së djeshme Ledio Braho kërkoi nga sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i informonte se në çfarë faze ishte procesi i kryqëzimit të të dhënave. Por, sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj, tha se nuk kishte informacion për këtë proces. Në këtë situatë Braho kërkoi që të vinte në mbledhje një person që kishte informacion me procesin.

Pa kaluar 10 minuta, në seancë erdhi një prej ekspertëve të KQZ-së që po bënte kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet paraprake. Ai u identifikua nga sekretari i KQZ-së me emrin Eugen dhe tha se ishte kompetent për çështjen. Ndërkohë, ky i fundit në fjalën e tij tha se nga verifikimet paraprake ka raste ku një operator ka vendosur gishtin e tij për firmosjen e identifikimit për disa persona.

“Vendosja e gishtit ka nënkuptuar nënshkrimin. Pra, ai zgjedhës është identifikuar dhe ka vendosur gishtin për të nënshkruar se ka votuar. Ka pasur raste të caktuar që operatorët për të mbaruar procesin sa më shpejt ka vendosur gishtin e vetë për të mbyllur procesin sa më shpejtë. Por, supozojmë që ka pasur raste edhe të vendosjes së gishtit për votim familjar”, tha eksperti i KQZ-së që po bën kryqëzimin e informacionit në pajisjet elektronike. Pas këtij momenti, nisi debati mes drejtuesit të mbledhjes Ledio Braho, anëtarit të KAS-it Ilir Rusmajli dhe përfaqësuesit të PS-së në KQZ, Eridjan Salianji.

PROCESI I VOTIMIT

Teknologjia ishte risia e zgjedhjeve të 25 qershorit. Në reformën zgjedhore të 5 qershorit të vitit të kaluar, partitë politike ranë dakord për implementimin e identifikimit elektronik për të shmangur votimin e shumëfishtë, apo për të zhdukur fenomenin familjar. Për të arritur këtë objektiv u caktua që në çdo qendër votimi të jetë një pajisje elektronike për të bërë identifikimin elektronik të zgjedhësve, ndërkohë u miratua edhe rregullorja sipas parashikimeve në Kodin zgjedhor për të votuar.

Çdo qytetar që shkonte në qendrën e votimit duhet të kishte me vete mjetin e identifikimit biometrik. Karta e identitetit ose pasaporta kalonte në pajisjen elektronike dhe në një ekran të komisionerëve shfaqej foto e zgjedhësit. Nëse foto korrespondonte me personin që zotëronte mjetin e identifikimit, atëherë qytetari vendoste gishtin në pajisje për të firmosur, për të lënë shenjë që ka votuar një herë. Pajisja printonte një kupon që e administronte KQZ-ja. Pajisja nuk lejonte që një kartë identiteti të kalonte dy herë në pajisje por nuk sinjalizonte nëse një gisht vendosej më shumë se një herë. Kjo e dhënë administrohet pas daljes së rezultatit përfundimtarë.

Nisur nga dëshmia e ekspertit të KQZ se ka pasur raste që operatori ka vendosur gishtin për zgjedhës të tjerë atëherë lind pyetja: nëse mund të ketë pasur raste që një person të ketë mbledhur kartat e ID-së dhe t’i kalojë ato dhe të votoj në emër të tyre, duke përdorur gishtin e një operatori.

DEBATI

Elvis Çefa (Anëtar i KAS): Kemi ne një kryqëzim të të dhënave nga pajisja BEI për qarkun e Gjirokastrës dhe për të gjithë Shqipërinë?

Ylli Merkaj (Sekretar i Përgjithshëm i KQZ): Për momentin nuk mund të jap një përgjigje.

Elvis Çefa: Kur mund ta kemi një përgjigje sa më të shpejtë?

Ylli Merkaj: Nuk e di, ne jemi duke punuar, ne jemi duke bërë kryqëzimet, por procesi është ende në proces. Kështu që nuk të jap dot një përgjigje për momentin. Ndoshta pak më vonë.

Ledio Braho (Anëtar i KAS): Z. Sekretar i Përgjithshëm, kush mund të na japë një përgjigje më të saktë për këtë?

Ylli Merkaj: Jemi në proces të kryqëzimit të të dhënave dhe ende s’ka përfunduar ky proces.

Ledio Braho: Këtë e kuptuam që jeni në proces, por na thoni se në çfarë faze jeni të procesit, ku ka filluar, cili qark ka përfunduar, sa kohë merr procesi për një qark si Gjirokastra për shembull. Nëse nuk jepni ju dot një përgjigje, atëherë thërrisni një person që është kompetent për këtë? Pas disa minutash vjen eksperti i pajisjes elektronike në KQZ

Ledio Braho: Po shoh që ka ardhur personi i posaçëm për t’u përgjigjur pyetjeve për pajisjen elektronike.

Ylli Merkaj: Eugeni është personi që po merret me kryqëzimin e informacioneve nga pajisjet elektronike.

Ledio Braho: Sot, kemi në shqyrtim Gjirokastrën. Është fakt i ditur se tani po bëhen kryqëzimet e të dhënave. Meqenëse edhe sekretari i Përgjithshëm nuk kishte informacion se në çfarë faze është ky proces, ne duam të dimë meqë është edhe një provë që kërkohet nga subjekti politik se në ç’fazë është ky kryqëzim për qarkun e Gjirokastrës?

Eugen (Ekspert në KQZ që bën kryqëzimin e të dhënave të BEI): Për qarkun e Gjirokastrës mund të kemi një raport brenda 3 ose 4 ditësh.

Ledio Braho: Çfarë të dhënash mund të marrim ne nga raporti brenda 3-4 ditëve?

Eugen: Mund të marrim të dhëna nëse një gisht është vendosur më shumë se një herë

Elvis Çefa (Anëtar i KAS): Shprehja e një gishti disa herë, e kam dëgjuar edhe nga komisioneri dhe kam krijuar konfuzion. Vendosja e gishtit dy herë nënkupton që është votuar dy herë apo ka pasur tentativa për të votuar më shumë se një herë?

Eugeni: Vendosja e gishtit ka nënkuptuar nënshkrimin. Pra, ai zgjedhës është identifikuar dhe ka vendosur gishtin për të nënshkruar se ka votuar. Ka pasur raste të caktuar që operatorët për të mbaruar procesin sa më shpejt ka vendosur gishtin e vetë për të mbyllur procesin sa më shpejtë. Por, supozojmë që ka pasur raste edhe të vendosjes së gishtit për votim familjar.

Ledio Braho: Ka raste që është vendosur gishti operatorit dhe jo gishti votuesit pas identifikimit të votuesit?

Eugen: Nga verifikimet paraprake po. Është vendosur gishti operatorit!

Koli Bele (Anëtar i KAS): Veç gishtit a vendoset edhe karta se po duket sikur vendoset vetëm gishti?!

Eugen: Procesi është i tillë: vendoset karta e identifikimit dhe pasi bëhet identifikimi, vendoset gishti për të nënshkruar.

Koli Bele: Pra, për ta sqaruar. Shtetasi ka shkuar për të votuar, pasi është identifikuar ka vendosur gishtin për të firmosur dhe pajisja nuk e ka njohur dhe operatori për të mos u vonuar ka vendosur gishtin e tij?

Eugeni: Në fund në raport do të kemi sa shenja gishtash janë unike dhe sa shenja gishtash janë përdorur disa herë. Por, ne nuk e dimë se i kujt është ajo shenjë gishti.

Ledio Braho: Ajo pastaj identifikohet nga kamerat

Eridjan Salianji(Përfaqësues i PS në KQZ): Një sekondë, një sekondë. Se nga hipoteza dhe konkluzione na dalin pyetje që as nuk ishin menduar. Ti po ngre hipoteza që edhe vetë nuk je i qartë. Elementi kontroll është identifikimi i kartës që është thelbi i identifikimit elektronik. Ky është sistemi. Ajo identifikon se nuk mund të shkosh te gishti pa kaluar kartën. Ju këtë duhet të identifikoni.

Ledio Braho: Z. Salianji, se mesa duket edhe ju qenkeni i paqartë. Mund të ndodh që nga 300 karta, 50 prej tyre të kalohen në pajisje nga i njëjti person dhe 50 herë është vendosur gishti nga operatori. Sepse shenjat e gishtave nuk janë të vendosura paraprakisht në pajisje. Mund të ndodh që votuesi Ledio Braho të shkojë me 20 karta identiteti që i ka mbledhur dhe i kalon duke vendosur gishtin e operatorit.

Eridian Salianji: Jo jo, nuk mund të ndodh kjo, sepse aty janë 7 anëtarë komisioni. Nuk mund të hedhim një tymnajë te gishti.

Ilir Rusmajli: A ka mundësi një sekondë?

Eridian Salianji: Ju lutem, z. Rusmajli mos më ndërhyni

Ilir Rusmajli: Mbyllja mikrofonin, mbyllja mikrofonin menjëherë. Ky është një proces shumë serioz. Ky proces nuk duhet të devijojë nga objekti i vetë. Ne po shqyrtojmë ankesat e tri subjekteve zgjedhore. ky proces nuk mund të futet në pyll sikundër edhe po ndodh. Kuptojmë që përgjigjet tuaja janë edhe hipotetike. Tani për administratën, e dini ju pse hapja e kutive dhe këto të dhënat nga BEI merren në analizë, pasi të ketë dalë rezultati përfundimtar? Këto bëhen për nevojat e procesit dhe jo për nevojat e procesit ankimor. Procesi ankimor bëhet me provat që sjell subjekti ankimor. Ne jemi të interesuar të shohim rastet e votimit të shumëfishtë, por ne duhet të verifikojmë provat që sjellin subjektet ankimuese. Ne nuk jemi këtu për të marrë kazmat dhe lopatat për të punuar në qilizmë, por të bëjmë hetim administrativ.

Ledio Braho: Ligjin e njohim të gjithë, por unë e citova që tashmë është fakt i njohur nga të gjithë se ka komunikime publike se po bëhen kryqëzime të të dhënave. Dhe pajisjet BEI janë materiale zgjedhore. Është e drejtë e gjithsecilit nga ne që të kërkojë materiale të tilla. Kjo s’ka lidhje me improvizime dhe pretendime bombastike. Nuk ka një mënyrë tjetër për ta provuar votimin e shumëfishtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura