Zbardhet çfarë ndodhi në Senat, flet Dhori Kule: Mynyr Koni nuk ishte aty për…

Jan 24, 2019 | 20:38
SHPËRNDAJE

Dekani i fakulteti Ekonomik, anëtar i Senatit Akademik, profesor Dhori Kule ka zbardhur atë çfarë ka ndodhur sot në mbledhjen e Senatit.

Në këtë mbledhje që u zhvillua ditën e sotme, një grup studentësh kishin hyrë në sallë për të kërkuar që të zhvillohej mësimi, dhe se kishte qenë dekani i Juridikut Artan Hoxha ai që i kishte kërkuar që ata futeshin në mbledhje dhe të shprehnin kërkesën e tyre.

Ndërkaq, Kule në një prononcim për “Balkanweb” ka mohuar zërat se senati ka kërkuar dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dhe ka theksuar se me unanimitet është miratuar raporti i grupit të punës për aktet e qeverisë në paktin për Universitetin.

“E kërkuan studentët që erdhën. Senati Akademik nuk u mor fare me dorëheqjen e Konit sepse ka një procedurë ligjore. Nuk ka qenë qëndrim i senatit problemi i Mynyr Konit. U mblodh për një problem të madh të universitetit dhe miratoi qëndrimin e grupit të punës”, u shpreh Kuledhori-kule-2-768x461

“Senati nuk u mblodh as për të hequr Mynyr Konin as për të diskutuar për të. Sot senati u mblodh për të analizuar detyrën që i kishte dhënë në mbledhjen e datës 14, grupit të punës për të verifikuar aktet që kanë dalë në lidhje me paktin për universitetin dhe grupi i punës kishte përgatitur një material, i cili u miratua nga senati. Pra, për shumë nga ato akte grupi i punës thoshte se janë të paligjshme, antikushtetuese. Gjithë relacionin që bëri grupi i punës, senati e miratoi. Por senati tha të shohim edhe elementë të tjerë të akteve që kanë dalë dhe pas një jave grupi i punës të shprehet dhe për ato akte që nuk janë parë. Ne i kërkuam të shohin dhe njëherë nëse kanë probleme. Për shumicën e akteve grupi  i punës tha se duhen anuluar, janë të paligjshme”, deklaroi Kule .

Ai nënvizoi se i gjithë raporti i grupit të punës u miratua pa asnjë kundërshtim  nga Senati duke sqaruar se senati ka kërkuar një rishqyrtim të disa akteve të tjera të paktit për Universitetin për të cilat do të sjellë një raport përfundimtar në një mbledhje që pritet të zhvillohet pas një jave. “Por u tha të plotësohet për aktet që nuk ishin shprehur. Senati kërkoi që pas një jave të mblidhet sërish për një raport përfundimtar. Ata ishin shprehur për 5-6 VKM dhe thoshin se janë të paligjshme, antikushtetuese. Fryma e senatit ishte që VKM-të e paktit që janë të pakonsultuara dhe të paanalizuara nga grupi i punës të rishikohen. Senati miratoi me unanimitet raportin e grupit të punës”, tha dekani Kule.

Ndërkohë në një deklaratë në profilin zyrtar të Facebook, Mynyr Koni lidhur me lajmin që qarkulloi se Senati kishte kërkuar dorëheqjen e tij, ka reaguar duke thënë se nuk është e vërtetë.

“Sot në datën 24 janar 2019, në mbledhjen e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, ashtu sikurse ishte vendosur në rendin e ditës, u shqyrtua materiali i përgatitur nga grupi i punës në lidhje me aktet nënligjore të miratuara në datën 26 dhjetor 2018 nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Z. Artan Hoxha paraqiti situatën mbi atë se çfarë po ndodh në këtë fakultet dhe pas diskutimeve, Senati vendosi të dëgjojë një përfaqësi të studentëve të FD rreth shqetësimeve të tyre për vijueshmërinë e procesit mësimor.
Studentët kërkuan që t’u garantohet e drejta për procesin e mësimdhënies. Në këto kushte, Rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi menjëherë se ditën e premte datë 25 janar 2019, ora 10:00, do të shkojë në Fakultetin e Drejtësisë për të takuar studentët që ndodhen brenda këtij fakulteti.
Më pas Senati vazhdoi mbledhjen e tij sipas axhendës.
Çdo artikulim tjetër nga disa portale lajmesh është i pavertetë dhe një spekulim i stisur”, ka shkruar ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura