Zbardhet axhenda/ Sot mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE, asgjë e re nga takimi Merkel-Makron

Oct 15, 2019 | 9:10
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Sot do të mblidhen ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në Këshillin europian për të diskutuar çështjen e hapjes ose jo të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE.

Bashkimi-Evropian1

Këshilli Europian ka zbardhur axhendën e takimit që do të zhvillohet në Luksemburg dhe që në krye ka diskutimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në këtë takim do të caktohen prioritet kyçe, që më pas do t’i kalohen mbledhjes së krerëve të shteteve anëtare në datat 17 dhe 18, ku dhe do të merret vendimi final.

“Në konkluzionet e 26 qershorit 2018, Këshilli ra dakord t’i përgjigjet pozitivisht përparimit të bërë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria dhe përcaktoi rrugën për hapjen e negociatave me të dyja vendet në qershor 2019. Sa i përket Shqipërisë, Këshilli nënvizoi nevojën kritike që vendi të konsolidojë më tej përparimin e bërë në Reformën Gjyqësore, në veçanti përmes vetingut, dhe të japë rezultate të mëtejshme të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanërisht në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Kjo përfshinte, ndër të tjera, avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke përfunduar krijimin e SPAK”, thuhet në axhendën e KE për takimin e sotëm. Edhe në këtë takim pritet një qëndrim kritik i ministrave të Jashtëm të Holandës dhe Francës, vende që janë shprehur skeptike për të dhënë “POnë” për hapjen e negociatave.

TAKIMI MERKEL-MACRON

Ndërkohë, nga takimi i mbrëmjes së të dielës mes Presidentit francez Makron dhe Kancelares gjermane, Merkel, asgjë e re nuk ka dalë në dritë në lidhje me procesin e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me BE-në. Para këtij takimi u aludua për një përpjekje të Angela Merkel për ta bindur Makron që të japë një “PO”, që këto dy vende të hapin negociatat me BE, por në deklaratën zyrtare pas këtij takimi, në asnjë rresht nuk flitet për Shqipërinë.

AMBASADORJA FRANCEZE

Edhe pse në dokumentin e këtij takimi mes dy liderëve europianë nuk thuhet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të kenë qenë temë diskutimi, ambasadorja franceze në vendin tonë, Cristine Vasac, nga një takim në Korçë, u shpreh se dosja e së negociatave për të dyja vendet është me një rëndësi të veçantë për Francën. Por ajo theksoi se për momentin Europa ka të tjera çështje më të rëndësishme. “Ka çështje, që janë po aq të rëndësishme siç është çështja e Brexit. Ky është një problem i madh jo vetëm për Francën, por për gjithë vendet e Europës dhe na intereson të gjithëve. Por dijeni, që dosja e hapjes së negociatave për Shqipërinë është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi miqësi të vjetër me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Vasac.

VENDET E VISHEGRADIT

Nga ana tjetër, katër vendet e Vishegradit (Sllovakia, Polonia, Çekia dhe Hungaria) kanë dalë hapur në mbështetje të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në një letër të përbashkët, ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve i kanë bërë thirrje Këshillit Europian që të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke dërguar një mesazh të fortë vetëm tri ditë para takimit të krerëve të BE-së, ku do të merret vendimi përfundimtar.

DYSHIMET VAZHDOJNË EDHE PAS TAKIMIT TË 28 AMBASADORËVE TË VENDEVE NË BE

Nga takimi i ambasadorëve të 28 vendeve të Bashkimit Europian nuk ka dalë asnjë vendim konkret në mbështetje apo kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Sipas televizionit “Klan”, takimi që i paraprin atij të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare, konfirmoi dallimet mes qëndrimit gjerman dhe atij francez në këtë proces. Gjermania është për t’i dhënë një përgjigje pozitive Shqipërisë me kushtin që të ngrihet Gjykata Kushtetuese si dhe të bëhet progres në Reformën Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura