Zbardhet amendamenti i ligjit për sigurimet, edhe gjeneralët pjesë e pensioneve suplementare

Mar 31, 2015 | 19:30
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve

Në momentet e fundit të votimit, deputetët kanë miratuar edhe amendamentin e Piro Lutajt për përfshirjen e ushtarakëve dhe të policëve në skemën e pensioneve suplementare. Shtesa në ligj nuk është diskutuar në komisionet parlamentare, por ka marrë miratimin direkt në seancën e fundit të së enjtes që shkoi. Por çfarë parashikon amendamenti? Kuvendi ka parashikuar që listës së përfituesve të pensioneve suplementare t’i shtohen edhe dy funksione të tjera. Kështu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura do të trajtohet njësoj si funksionarët më të lartë të vendit, në kohën kur mbush moshën për të dalë në pension sipas këtij ligji. Ndërsa pika e dytë e amendamentit barazon në trajtim “Gjeneralët e Forcave të Armatosura dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të rolit madhor”, me deputetët apo Avokatin e Popullit dhe funksionarë të tjerë të lartë.
ÇFARË PËRFITOJNË
Këto dy kategori ushtarakësh përfitojnë jo pak nga trajtimi i ri. Sipas ligjit për pensionet suplementare, për grupin e parë, ku u përfshi sipas amendamentit edhe shefi i Shtabit, masa e pensionit është sa “25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këto 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi”. Ndërsa për “Gjeneralët e Forcave të Armatosura dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të rolit madhor”, që u përshinë në ligj nga amendamenti, masa e pensionit sipas ligjit të ri është “20 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në masën 0.8 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi”. Pra, të dy këto kategori, duke filluar nga e enjtja e kaluar mund të marrin pension si funksionarët më të lartë të shtetit. 
SA ËSHTË PËRFITIMI

Por në ligjin e ri, deputetët kanë vendosur të kufizojnë disi përfitimet. Duke qenë se shumë funksionarë mund të kenë vite në pozicione të larta drejtuese dhe mund të merrnin pension sa paga, ose më shumë, në ligj është vendosur një limit. Sipas këtij limiti, masa e pensionit nuk duhet të jetë më e madhe se: 60 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “a”, dhe 50 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “b”. Ligji vendos edhe një kufizim të dytë. “Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë’, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese mesatare të funksionarëve”. Kjo do të thotë që shumica e deputetëve që kanë ose do të kenë të paktën 16 vite në Kuvend do të marrin një pension sa 75 për qind e pagës së tyre. 

PAGESAT PËR TË MARRË PENSION
Por Kuvendi e ka “vështirësuar” përfitimin e pensionit suplementar. Për këto dy grupe drejtuesish të lartë, përfshi edhe ushtarakët e shtuar nga propozimi i Lutajt, kontributet që duhen paguar për të marrë pension suplementar janë sa 5 për qind e pagës. Në ligjin e vjetër kanë qenë sa 4 për qind e pagës. Pra krahas kontributeve për pension, paguhen edhe kontribute për pension suplementar. Nga ana tjetër, mosha e përfitimit është rritur me 5 vite. Ka qenë deri në moshën 55 vjeç dhe është bërë deri në moshën 60 vjeç.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura