Zbardhen SMS-të e gjobës me foto nudo në “Facebook”

Aug 28, 2015 | 7:50
SHPËRNDAJE

Zbardhen bisedat shantazhuese të një gjimnazisti nga Bajram Curri ndaj një bashkëmoshatari të tij, të cilin e kërcënonte me publikimin e disa fotove nudo në internet.

Krimet e Renda
Krimet e Renda

Këto foto ai ia kishte marrë duke komunikuar me të në “Facebook” përmes një profili të rremë me emrin e një femre. Historia e gjobëvënies ka ndodhur në periudhën 2014- 2015, por në 28 korrik Gjykata për Krimet e Rënda deklaroi fajtor “protagonistin” e saj, të pandehurin Dasmir Gjomakaj, 19 vjeç.

Sipas vendimit të një pesësheje të kryesuar nga gjyqtari Klodian Kurushi, Gjomakaj u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Ai u gjykua në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Sipas gjykatës, përmes skemës së tij të gjobëvënies, i pandehuri kishte “gjobitur” në pesë raste M.M., duke përfituar prej tij 10 mijë lekë, dy aparate telefonike dhe i ka kërkuar 30 mijë lekë, si dhe 200 euro ose një gjysmë kilogrami kanabis sativa.

“PESHKIMI”
Referuar vendimit të gjykatës, i pandehuri Dasmir Gjomakaj e ka njohur të dëmtuarin M.M. nëpërmjet komunikimeve elektronike nga “Facebook”- u, me një profil me emrin “Ina A…” dhe më pas “Ina Bori A…”. Ai ka arritur t’i marrë M.M. disa foto nudo të dërguara nga ky i fundit në adresën e hapur nga i pandehuri.

Më pas, nëpërmjet komunikimeve kërcënuese se fotot e siguruara ai do t`ia bënte publike shoqërisë së të dëmtuarit, i pandehuri i ka kërkuar në pesë raste viktimës së tij që të paguante në shkëmbim të mospublikimit të fotove. Sipas gjykatës, në të gjitha rastet i pandehuri ka përdorur të njëjtën mënyrë shantazhi.

Të gjitha sendet e kërkuara i dëmtuari i ka dorëzuar në vende të ndryshme të qytetit të Bajram Currit sipas porosive të dhëna nga i pandehuri, pa e njohur personin që i përfitoi sendet në mënyrë të paligjshme.

GJOBAT
Nëpërmjet kërcënimeve me anë të komunikimeve elektronike dhe pa u identifikuar nga i dëmtuari, i pandehuri ka arritur t’i marrë të dëmtuarit 10.000 lekë, një aparat celulari të markës “Samsung Galaxy S3” dhe një aparat celulari të markës “Iphone 4S”. Me të njëjtën mënyrë ai i ka kërkuar të dëmtuarit shumën e 30.000 lekëve, të cilën nuk ka arritur ta marrë prej tij, si dhe në fund ai i ka marrë të dëmtuarit shumën e 200 eurove.

Kjo shumë i është sekuestruar të pandehurit nga policia gjyqësore në momentin e arrestimit. Në tre rastet e para që lidhen me dorëzimin e shumës së parave dhe të dy aparateve të celularit, i dëmtuari është treguar i bindur ndaj kërkesave të të pandehurit nga frika e publikimit të fotove. Në rastin e katërt, që ka ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2014, për shumën 30.000 lekë të kërkuar nga i pandehuri, i dëmtuari ka refuzuar ta paguajë.

Më pas i pandehuri, për shkak se i dëmtuari u kishte bërë bllok komunikimeve që vinin nga profili “Ina B.A…”, ua ka dërguar njoftimet nëpërmjet të njëjtit profil shokëve të të dëmtuarit, që janë shtetasit B.Ç. dhe E.D. Këtyre personave i pandehuri u ka njoftuar se ata duhej të lajmëronin shokun e tyre, të dëmtuarin M.M., që të komunikonte me të pandehurin. Në rast të kundërt, ai do t’i bënte publike fotot e tij. Pasi u lajmërua prej shokëve të tij, i dëmtuari komunikoi me të pandehurin për rastin e fundit.

KERKESA PER HASHASHIN
Në rastin e pestë që lidhet me komunikimet elektronike të datave 22.01.2015 e në vijim, i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit që ky i fundit t’i sigurojë një sasi prej 500 gramë hashash.

Meqenëse i dëmtuari nuk pranoi ta kryente këtë veprim, pasi ai nuk kishte lidhje me lëndët narkotike, i pandehuri i kërkoi të dëmtuarit shumën 200 euro, me të cilën i pandehuri do të siguronte vetë lëndën narkotike.

Në datën 13.02.2015, i pandehuri Dasmir Gjomakaj është kapur në flagrancë nga policia gjyqësore në qytetin e Bajram Currit menjëherë sapo ai kishte marrë shumën prej 200 eurosh të vendosura në një zarf, të cilin më parë e kishte vendosur në një kontejner i dëmtuari M.M. i porositur prej të pandehurit.

Biseda e datës 6.12.2014
Ina A.: Ku je tii më shkruj se kam ca llafe me ty.
M. M.: A kem pas fol iher mduket mpate premtu diçka.
Ina A.: Kem fol ça kena fol… po ashtu pun tjetër. Ti ke përmendur do emra për kët pun.
M. M.: Jo nzot.
Ina A.: Nuk ke bo mir.
M. M.: Skam fol me njeri e gjall për kët muhabet. Se nuk kam dash me e marr vesh njeri. A di për kët gjo ta jap me jetë se nuk kam fol me njeri, sepse skam dasht me e dit kush.
Ina A.: Nesër urgjent në orën 2:00 du 250 mij lek me mi nis për furgona ose fotot i kaloj të faqja ‘jeta osht qejf’ një nga adminat e mi dhe të miq tu. Mos harro nuk dua ta përsëris mo.
M. M.: Ku me i marr o shok. Skam ku me i marr. Skam kryq leku vallaj.
Ina A.: Gjej ku të dush neser ne 2 shijoj fotot te miqt.
M. M.: Tkam dhan çka kam pas, me jep edhe do koh o shok. Po skam ku i gjej deri nesër mem vra. Çoma ni foto iher të shof a i kie ma.
Ina A.: Merri.
M. M.: Edhe mki pas ba be nfamijle se i ke fshi.
Ina A.: Sdo flas më nesër afati i funit.
M. M.: Të paktën deri pasnesër se nuk e di a muj me i mbledh bile kaq tolerom.
Ina A.: Deri mbasneser ke afat. Në orën 2 fiks i du lek nisi ke te dush 300 përndryshe nuk fls mo.
M. M.: 250 tlt tashi edhe aq borxh do mundohem ti gjej.
Ina A.: Nesër bëhet llaf për 250 o plaku. Ok? 300 për masneser. Kaq mos mbëj lojra se e hëngre. Sdi me fol ma, ok edhe mtregoo…

Biseda e datës 22.01.2015

M. M.: Pse mki kërku te shokt.
Ina A.: Po tthom se je shum njeri me fattt. vks nes jam kan ka ti shpërndaj tana fotot veç pshtove mduket.
M. M: Cka je ka do.
Ina A.: Caj.
M. M.: Sa dorza do.
Ina A.: 500 gr hashash.
M. M.: Me qashi merrna une skam ku me mar.
Ina A.: Si ja bajm pra se na duhet patjetër se me rop shpije smun rri pa ta shih a mos po gja ti kun dihen sa ttash se un e gjej po a shtrejt 400 1 kg dmth 500 gr 200 e tshkojn.

Ina A.: 200euroo,,, ose hashishin her tj.
M. M.: Paj ska tjera.
Ina A.: Si sii.
M. M.: Ska herë tjera e ka marr hija planin.
Ina A.: Cka ska … oooo vks rpt hjek ata krye vks. Nij un sonte 5 net i du qato sene tash zgjedh e merr, ky asht kushti i fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura